Jemi mbledhur për t’i paraqitur publikut të interesuar këtë libër, por besoj se kjo për shumë prej nesh është njëherazi dhe një përkujtim i atyre pesë ditëve të Dhjetorit dhe vazhdimit të tyre, kur së pari studentët, të mbështetur më vonë dhe nga qytetarët e Tiranës, sfiduan regjimin pa frikë dhe pa ju nënshtruar dredhive e dhunës, duke e mposhtur dhe arritur një fitore të madhe pluralizmin politik dhe partinë e parë antikomuniste Partinë Demokratike. Pikërisht protagonistëve të atyre ditëve që ndryshuan historinë ju kushtohet ky libër.
Për vetë natyrën e tij libri paraqet dokumente dhe materiale që lidhen me lëvizjen studentore dhe krijimin e Partisë Demokratike, me reagimin e pushtetit diktatorial komunist për të nënshtruar studentet dhe për t’i devijuar protestat e tyre nga kërkesa për pluralizëm politik, që mbarte në vetvete rrëzimin e diktaturës.
Dokumentet dhe materialet që po publikojmë japin mundësinë të vendosim saktësisht në kohë ngjarjet, të njohim protagonistët e atyre ditëve historike, të orientohemi për kërkime të mëtejshme që lidhen me ndodhitë e asaj periudhe historike, për sa kohë që janë gjallë dëshmitarët të cilët dëshirojnë të flasin. Dhe dëshmitë apo kujtimet janë të besueshme kur thonë të vërtetën të gjithë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, por dhe kur gjejnë vërtetim në dokumentacionin autentik. Ato marrin vlerë me botimin e dokumentacionit dhe duhen për një interpretim më të plotë të tij. Një pjesë e mirë e tyre janë të publikuara, të tjera janë të mirëpritura. Ky libër do të ishte një ndihmesë dhe për to.
Publikimi i dokumentacionit historik do të pamundësoj hamendjet apo dhe të pavërtetat. Ky ka qenë dhe synimi i ynë në përgatitjen e këtij botimi, që mbështetur në dokumente autentike, t’i japi lexuesit madje dhe studiuesve të periudhës, një tablo të asaj që ndodhi, por jo opinionet apo kujtimet e protagonistëve, gjithashtu të dobishme, të dhëna në kohë të ndryshme shpesh dhe jo të njëjta. Këto materiale të pakundërshtueshme do të ndihmojnë, do të nxisin dhe të kontribuojnë në shkrimin e saktë të atyre ditëve të lavdishme të revoltës kundër komunizmit dhe për përmbysjen e diktaturës, nga studentët e Universitetit të Tiranës dhe të mbështetjes që i dhanë qysh në fillim kësaj lëvizje qytetarët e Tiranës të të gjitha shtresave.
Por po aq të nevojshme janë dhe materialet dokumentare si dhe kujtimet, që lidhen me ndodhitë e periudhës nga rrëzimi i Murit të Berlinit dhe vrasjes së diktatorit komunist Çaushesku deri në prag të Dhjetorit, e në mënyrë të veçantë ato që kanë të bëjnë sidomos me pseudopluralizmin ramizian dhe farsën e shoqatave si subjekt elektoral dhe pseudo protestat për përmirësime kushtesh dhe ato ekonomike, të cilat studentët i refuzuan me zgjuarsi dhe pjekuri, duke i hapur rrugë pluralizmit politik. Gjithashtu ne mendojmë se botimet me kritere shkencore të materialeve, kujtimet dhe studimet nuk duhet të ndalen në këto kufij kohor, por të vijnë deri në ditët tona që tranzicioni të njihet realisht me arritjet mangësitë, mossukseset dhe aspekte të tjera që e karakterizojnë.
Kjo punë nuk do të ishte e mundur të realizohej pa ndihmën dhe kontributin e mjaft miqve të cilët unë i falënderojë nga zemra për punën dhe gatishmërinë e tyre. Jashtë çdo dyshimi do të ishin të mirëpritura vërejtjet dhe sugjerimet për përmirësimin e kësaj pune në një ribotim eventual. Të mirëpritura do të ishin dhe më shumë dokumente të tjera që pasurojnë njohjen e kësaj periudhe.
Sigurisht që mirënjohja e ime është dhe për Universitetin Europian të Tiranës, shtypshkronjën “Onufri” dhe personalisht Henri Çilin, për gatishmërinë e shprehur dhe që po e shohim të konkretizuar sot, në botimin cilësor e të menjëhershëm të librit. Me urimin gjithashtu që të vijohet me botime të kësaj gjinie dhe studime për tranzicionin.
*Fjala në promovimin e librit “Dhjetor ’90 – Dokumente & Materiale” në UET