Kosova do të vendosë vetë

11 Dhjetor 2010, 20:31Blog TEMA

Nga Ardit Rada

Zgjedhjet e parakohshme që mbahen sot në Kosove, të lajmëruara vetëm pak kohë më parë, pritet të sjellin një risi. Në fakt nuk është e lehtë në një vend me prezencë ndërkombëtare të bollshme në institucionet e tij, të ketë si alternativë një lëvizje radikale, të papërfytyruar më parë përveçse në rastet e skenarëve të luftës, siç është lëvizja “Vetëvendosje”.

Megjithatë, si interesante në të gjithë historikun e kësaj levizje, desha të veçoja faktin se pikërisht në momentin kur “Vetëvendosje” gjendej e rreshtuar në anën e shoqërisë civile, oponenca më e madhe ndaj saj vinte pikërisht nga të huajt. Tashmë kur lëvizja në fjalë vendosi të marrë pjesë në zgjedhje, diçka e habitshme ka ndodhur. Zyrtaret e prezencës ndërkombëtare në Kosovë janë distancuar nga kjo sipërmarrje e re e Vetëvendosjes, ndërkohë që disa të tjerë e kanë mbështetur idenë drejtpërdrejt apo në mënyrë të tërthortë.

Vetëm pak ditë më parë, ish-diplomati amerikan, William Walker, mori pjesë në një tubim të mbajtur në Gjakovë nga lëvizja “Vetëvendosje” nga ku deklaroi madje se ai ndjehej aktivist i saj dhe se ajo ishte institucioni i vetëm demokratik në republikën më të re në botë. Deklarata në fjalë, jo vetëm që bëri bujën e radhës, por i kushtoi Walkerit edhe vendin e tij të punës në Universitetin Amerikan të Prishtinës. Kompromiset e reja të Vetëvendosjes duket se janë në udhë të drejtë. Ky afrim disi i papritur me ndërkombëtarët “e penduar” nuk të lë të kuptosh vetëm se ka një lloj diplomacie dhe serioziteti brenda kësaj iniciative qytetare, por ajo ka një vlerë tjetër akoma edhe më të madhe: Hedh poshtë të gjitha mëdyshjet, zërat dhe stereotipin e krijuar se Albin Kurti nuk bën kompromis me ndërkombëtarët për asgje dhe çka është më e rëndësishmja, prezenca e Walker përhap në opinionin publik diçka të papritur: Idenë dhe bindjen se qëllimet dhe programi i Vetëvendosjes mund të mbështeten dhe nga ndërkombëtarët, aq më tepër prej atyre që dikur kanë qenë në shënjestrën e protestave të kësaj lëvizje.

Për ta konkretizuar më tepër, kjo dalje publike dhe mbështetje e Walkerit, i përcjell shqiptareve një mesazh aq të qartë sa edhe të padëgjuar më parë; se bashkimi kombëtar, largimi i prezencës së huaj nga vendi dhe dhënia e shtetit në dorë vetë kosovarëve, mbështetet dhe do të mbështetet nga diplomacia perëndimore.

Nuk duhet harruar se “Vetëvendosje” mbi të gjitha është lëvizja e vetme në trojet shqiptare që ka hapur publikisht një debat tepër të ndjeshëm për shqiptaret e sidomos ata të Kosovës. Rikthimi i flamurit kombetar, festimi i 28 Nëntorit si Dita e Pavarësisë së popullit shqiptar kudo që ai ndodhet, bashkimi kombëtar etj. Të gjitha këto, dhe shumë të tjera të kërkuara vetëm në mënyrë demokratike: Zhvillimin e referendumeve për të shmangur kalimin në konflikt të armatosur, prova të të cilit gjejmë në Maqedoni, fillimisht iniciuar nga UÇK e pasluftës dhe e drejtuar me pas nga AKSH.

Por tonet e ashpra të Vetëvendosjes sigurisht që mund t’i trembin disa, vendas dhe të huaj, por tashmë është bërë e ditur në një farë mënyre se jashtë petkut të zyrtarit çdo gjë është e pranueshme. Deklarata se Pako Ahtisaari do të kthehet mbrapsht në një rast të mundshëm të fitores se Vetëvendosjes nuk është diçka aq e thjeshtë sa për t’u anashkaluar me heshtje, e aq me tepër kurrsesi të mbështetet hapur publikisht nga perëndimoret. Por me ç’duket, edhe bota tashmë e lodhur nga korrupsioni dhe keqfunksionimi i qeverisë Thaçi dhe nga koalicionet e brishta të Prishtinës zyrtare, ka menduar t’i japë kosovarëve shansin për të vendosur vetë për ato gjëra për të cilat luftuan, tentuan në paqe dhe u zhgënjyen nga të vetët. Prandaj, sot, të votosh për Vetëvendosjen është si të votosh njëherazi për shumë referendume që dikur i ëndërronim.

3 komente në “Kosova do të vendosë vetë”

  1. Nendetsja 105 says:

    Argument qe te tjeret se kane perdorur fare per te mos thene qe as e kane kuptuar. Bravo autorit dhe suksese Vetevendosjes neser.

  2. Fisniku Malisheva says:

    ke qellu bukur me ket koment

  3. Haradinaj says:

    kalle vlla kalle. suksese albinit nesret

Comments are closed.

Lini një Përgjigje