Përtej përmbytjes mediatike

10 Dhjetor 2010, 22:03Blog TEMA

Nga Lulzim Hoxha

saktivista.com

Po t’i hedhim një sy realitetit që prodhuan mediat në vazhdën e përmbytjeve të radhës në vendin tonë mund të evidentohen qartësisht dy elemente kryesore: së pari, format dhe të gjitha instancat e transmetimit të lajmit përkundër kredos së liberalëve se konkurrenca diversifikon, në fakt u duk se për të disatën herë është duke uniformizuar perceptimet e opinionit publik. Së dyti, kjo gjendje e jashtëzakonshme dëshmoi edhe një herë efektin tepër të rëndësishëm ideologjik që prodhojnë ngjarje të tilla në strukturën mendore të qytetarëve. Duke u servirur si një ngjarje anormale brenda një konteksti normal dhe për më tepër duke u fokusuar në anormalitetin e kësaj ngjarjeje, tentohet gjithnjë më tepër që të anashkalohet anormaliteti i kontekstit ku kjo ngjarje bën pjesë. Me fjalë të tjera, kur edhe çështjes së përmbytjeve t’u vijë radha të harrohen – ashtu si shumë çështje të tjera tek ne – nëpër të gjitha mediat dhe opinionin publik në tërësi do të trumbetohet hareshëm “rikthimi në normalitet”, normalitet ku bëjnë pjesë shtëpitë tashmë të thara nga uji dhe kushtet e jetesës mediokre të realitetit tonë të përditshëm. Ajo çka duhet theksuar në këtë ngjarje nuk janë vetëm efektet rrënuese të këtyre përmbytjeve në ekonomitë e familjeve fatkeqe të Shkodrës dhe Lezhës, sepse në fakt përmbytjet vetëm sa nxorën mbi ujë gjithë zullumin ku bën pjesë realiteti socio-ekonomik në vendin tonë në përditshmërinë e tij. Kjo gjendje është pjesë integrale e realitetit tonë, është një rutinë e përditshme tek ne varfërimi i mëtejshëm i të varfërve dhe rritja e hendekut të tyre me të pasurit, kështu që anormaliteti nuk qëndron vetëm në këtë tragjedi, por në të gjithë normalitetin ku kjo tragjedi ka formën e një fenomeni të rutinizuar. Prandaj problemi më i rëndësishëm në këtë drejtim është që vetë realiteti ynë si përpara ashtu edhe pas këtyre përmbytjeve të konceptohet si i pazakontë; pra – për ta vendosur në termat e Bourdieu – “të nxirret në pah e zakonshmja në mënyrë që njerëzit të shohin se sa e pazakontë është ajo”. Prej këtej ajo çka mund të quhet “gjendje e jashtëzakonshme” nuk është vetëm një përmbytje që shkatërron akoma më tepër ekonominë e disa njerëzve që ishin të varfër që pa ndodhur përmbytja. E jashtëzakonshmja tek ne është realiteti si i tillë, pra korniza ku varfëria e këtyre njerëzve përpara dhe pas përmbytjeve merr formën e normales. Për rrjedhojë gjendja e jashtëzakonshme (apo homo sacer sipas filozofit italian Giorgio Agamben) është vetë konteksti shqiptar i rutinizuar, e thënë ndryshe: pikërisht mënyra se si gjendja jonë e pazakontë natyralizohet dhe më pas çimentohet brenda etiketimit si “e zakonshme”.

Vlen të theksohet se normaliteti dhe anormaliteti si koncepte nuk janë kurrsesi universale. Ato nuk janë gjë tjetër veçse konvencione që një shoqëri u jep disa botëkuptimeve kolektive të normativizuara nëpërmjet marrëveshjesh simbolike ndërmjet anëtarëve të një komuniteti. Po kështu këto botëkuptime nuk janë asnjëherë spontane, në fakt ato janë të shpërndara tek anëtarët e një komuniteti nëpërmjet veprimtarisë së agjentëve socializues. Po të merrnim një shembull ilustrativ, edhe vetë ndarjen mes së mirës dhe të keqes individët e mësojnë vetëm si anëtarë në një grup ku e mira dhe e keqja manifestohen në norma apo sjellje të caktuara. Ngjashmërisht idetë e individit mbi normalen apo anormalen strukturohen kryesisht falë opinionit publik, mbi të cilin media, si një ndër agjentët socializues më të rëndësishëm në shoqërinë tonë, ka një impakt deçiziv. Nëpërmjet përcaktimeve të medias se çfarë përbën “scoop” dhe cfarë jo, mund të prodhohet jo vetëm një lajm, por edhe vetë qëndrimi mbi selektimin e lajmeve nga jo-lajmet. Po kështu mënyra se si transmetohet një lajm nuk përkufizohet thjesht nga parimi i shpërndarjes së informacionit, përkundrazi mënyra e transmetimit të lajmit përmban në vetvete një mesazh subjektiv që pretendon të serviret si një mesazh objektiv. Në këtë drejtim, forma në të cilën media e përçon lajmin, e vesh këtë të fundit me një karakter të caktuar ideologjik. Kjo realizohet duke vënë në përdorim modelin e “Kalit të trojës”, i cili sipas Bourdieu mundëson përfshirjen në mjedise autonome të njerëzve heteronom. Rezultati final I këtij procesi është përfshirja e një anomalie brenda një strukture të caktuar (të pretenduar si autonome) në mënyrë të tillë që kësaj të fundit t’i këputen fijet logjike që e mbajnë në këmbë, duke shkaktuar përfundimisht një deformim të asaj që mund të quhet lajm si dhe autonomisë realisht inekzistente. Për ta shpjeguar në praktikë këtë koncept, mjafton të shohësh lajmet e përmbytjeve në cilindo prej televizioneve të pretenduara si të pavarura në vendin tonë. Kudo ngjarja tenton të ndërmjetësohet nga përkushtimi I politikanëve tanë babaxhanë që në momente të tilla nuk mund të humbasin rastin të tregojnë gatishmërinë e tyre në këto çaste emergjence. Saktësisht në momente të tilla mund të vërejmë më qartësisht shpërbërjen e asaj që televizionet e quajnë gjendje të jashtëzakonshme dhe ndërhyrjen brutale të së jashtëzakonshmes së vërtetë brenda saj. Në këto raste kur lajmet e tragjedive të tilla i shohim të konvergojnë më së miri me realitetin tonë të përditshëm, nuk është puna se gjendja është drejt kthimit në normalitet, përkundrazi: jemi duke asistuar në përfshirjen e realitetit tonë brenda një kornize tragjike. Sa herë që shohim në televizion një politikan me këmbët nën ujë dhe me çizme deri në gjunjë, apo ndonjë tjetër (çka është edhe më rrënqethëse) të veshur me mushamanë fosforeshente të policisë, mesazhi që pretendohet të jepet është radikalisht në mospërputhje me mesazhin në vetvete, apo e thënë në terma Zizekjanë: realiteti është tërësisht në mospërputhje me realen brenda tij. Nuk duhet harruar shprehja e famshme e Marshall McLuhan “mediumi është mesazhi”, që na bën të kuptojmë se nuk është dalja e politikanit me mushama fosforeshente mesazhi i vërtetë që kërkon të transmetohet, sepse në fakt ky mesazh është më tepër një tentativë e dëshpëruar për të sistemuar një gjendje të jashtëzakonshme të dalë nga kontrolli dhe rutinizimi i saj pas figurës së politikanit. Mesazhi i vërtetë na përçohet nga media si institucioni kinse i pavarur dhe jo nga ekrani i televizorit. Në këto kushte edhe i gjithë debati shterpë që vijoi këtë gjendje të jashtëzakonshme mbi pyetje të tipit: përmbytjet kishin shkaqe natyrore apo njerëzore?, nuk ishte veçse një tjetër përcaktim i mesazhit nga ana e mediumit që e kthen edhe një herë këtë gjendje të jashtëzakonshme në antagonizmin e zakonshëm mes klaneve politike rivale. “Të jesh do të thotë të shihesh” thoshte Berkeley dhe siç na dëshmojnë sjelljet e politikanëve tanë nëpër situata të tilla sa më shumë të shihesh, aq më shumë pikë fitohet. Pamja e përditshme e këtyre zonave periferike në momentin që janë të pa mbytura dhe të zhytura në monotoni nuk i thotë askujt asgjë, e aq më pak gazetarëve seleksionues të “scoop-eve”. Në çdo rast, problemi fillon gjithnjë tek e zakonshmja, dhe vihet re më tepër nga tentativat për të shitur si të zakonshme situata që realisht kanë shumë pak të zakonshme brenda tyre. Mbi mënyrat se si mediatizohet e zakonshmja varet pothuaj tërësisht impakti i ngjarjes mbi opinionin publik. Nëse ta zëmë se bashkë me lajmin se Shqipëria po përmbytet, jepen po kështu lajme se Bosnja dhe Serbia po përmbyten, atëherë vetvetiu opinioni publik priret drejt justifikimit të përmbytjes tek ne (“edhe të tjerët po mbyten, s’jemi vetëm ne, natyrës s’ke ç’t’i besh”). Për këtë arsye theksi duhet vënë jo vetëm mbi ngjarjet tragjike, por mbi të gjitha mbi mënyrën se si realiteti ynë i përditshëm është pjesë integrale e këtyre tragjedive, në këtë pikë do të arrinim në një dimension të ri dhe ndoshta më të pranueshëm të së jashtëzakonshmes që reduktohet tanimë në gjithçka që media nuk e transmeton!

Lini një Përgjigje