Në divanin e tiranit

10 Dhjetor 2010, 14:34Blog TEMA

Nga Enver Robelli

Në një barakë gati të rrëzuar nga stuhia: Si e takoi shkrimtari austriak Peter Handke të akuzuarin për krime të luftës, Radovan Karaxhiq, në dhjetor 1996?

Peter Handke, shkrimtari austriak me origjinë sllovene, njëri prej autorëve me ndjeshmërinë më të lartë artistike në hapësirën letrare të gjuhës gjermane, sërish është i pranishëm në të gjitha mediet. Së fundi ka botuar dy libra. I pari: “Ende stuhi”, një dramë, një kronikë familjare mbi paraardhësit sllovenë të autorit, mbi rezistencën e tyre kundër nazizmit në krahinën e Korushkës (Kärnten) në Austri. Skena: treva Jaunfeld e Korushkës, e cila banohet kryesisht nga sllovenët. Figurat: Nëna, gjyshi, gjyshja, Ursula, motra e nënës dhe vëllezërit e nënës (ose dajat e Handkes): Benjamin, Valentin dhe Gregor. Kritikët letrarë e kanë vlerësuar “Ende stuhi” si veprën më personale të Peter Handkes. Libri i dytë: “Një vit duke folur nga nata”. Ky vëllim përbëhet prej 500 fjalive, thirrjeve, dialogëve, rrëfimeve, të cilat herë janë absurde, herë komike, herë trishtuese. Handke i ka shënuar këto sa herë që është zgjuar nga gjumi. Një libër i ëndrrave. Një fluturim mendimesh si pjellë e shkrepjeve të kujtesës. Libri i tretë nuk është shkruar nga Handke, por bën fjalë për Handken. Fjala është për biografinë e parë të këtij autori, të shkruar nga gazetari gjerman Malte Herwing. Titulli: “Mjeshtri i muzgut”. Libri ka ngjallur debate në mediet e Gjermanisë menjëherë pas botimit. Dhe sërish debatin e ka ndezur veprimtaria e dyshimtë e Peter Handkes nën hijen e nacionalizmit serb.

Mision humanitar?

Në gazetën “Frankfurter Allgemeine Zeitung” Herwing ka botuar një kapitull nga libri i tij, i cili shpjegon rrethanat e një udhëtimi të Peter Handkes në Bosnjë në dhjetor të vitit 1996. Atëbotë Handke niset bashkë me disa miq serb, por edhe me një lektor të shtëpisë së famshme botuese gjermane “Suhrkamp” drejt Bosnjës. Në një barakë gati të rrëzuar nga stuhia (kështu shprehet Handke me ton pothuaj poetik), në Pale, në “kryeqytetin” e serbëve të Bosnjës, autori austriak takon Radovan Karaxhiqin. Është muaji dhjetor 1996, kur Karaxhiqi tashmë është i akuzuar për krime të luftës, për gjenocid, për shfarosjen e tetë mijë njerëzve në Srebrenicë dhe për kërdinë ndaj mijëra civilëve në Sarajevë. “Kreu i serbëve”, i cili më vonë u zhduk në nëntokë dhe bëri një jetë tjetër me emrin dr. Dragan Dabiq, merr si dhuratë nga duart e Handkes librin “Një udhëtim dimëror”, një pamflet politik i Handkes, në të cilin ai kërkon “drejtësi për Serbinë” dhe fyen shumë gazetarë perëndimorë, duke i akuzuar si anti-serbë. Karaxhiqi revanshohet dhe i dhuron Handkes një vëllim me poezi nga prodhimtaria e tij personale. Handke thotë se kishte shkuar te Karaxhiqi me mision humanitar. Në Salzburg disa boshnjakë e kishin lutur të interesohet për fatin e të afërmve të tyre të zhdukur në Bosnjë. Handke thotë se ia kishte dhënë Karaxhiqit një listë me emrat e personave të zhdukur. Pastaj s’kishte ndodhur asgjë. Karaxhiqi e kishte vështirë t’i gjente njerëzit që i kishte vrarë ushtria e tij.

Mst: Kush ishte ndërmjetës?

Në mediet gjermane udhëtimi dimëror i Peter Handkes te Karaxhiqi është kritikuar ashpër. Si është e mundshme që ai të vizitojë një terrorist dhe kriminel të kërkuar nga drejtësia ndërkombëtare? Si është e mundshme që bashkë me Handken në Pale të shkojë edhe një lektor i shtëpisë botuese “Suhrkamp”, e cila prej shumë deceniesh e mban lart bajrakun e iluminizmit dhe potencon rëndësinë e të drejtave të njeriut si vlerë universale? Mund t’i paramendojmë: Shkrimtari i famshëm dhe lektori nga Frankfurti, të ulur në divanin e tiranit, i cili duke sjellë rakinë e kumbullës u drejtohet mysafirëve me këto fjalë: “Raskomotite se!” Handke është përpjekur të arsyetohet. Në një intervistë për gazetën “Süddeutsche Zeitung” ai ka thënë se gjatë vizitës në Bosnjë në fund të vitit 1996 nuk e kishte takuar vetëm Karaxhiqin, por edhe gjeneralin serb Jovan Divjak, i cili kishte luftuar në anën e myslimanëve, duke mbrojtur Sarajevën. Madje paskësh qenë i planifikuar edhe një takim i Handkes me kryeimamin e Bosnjës, por kishte dështuar për shkak si kleriku kishte udhëtuar në Bruksel. Handke ka treguar se takimin me Karaxhiqin e kishte ndërmjetësuar Valentin Inzko, edhe ky pjesëtar i pakicës sllovene të Korushkës, atëbotë ambasador i Austrisë në Sarajevë. Sot Inzko është e përfaqësues i lartë i bashkësisë ndërkombëtare dhe i ngarkuar i Bashkimit Evropian në Bosnjë. Si është e mundshme që një diplomat të organizojë takime me një person të kërkuar për krime lufte? Inzko e ka përgënjeshtruar Handken. Përmes zëdhënëses së tij në Sarajevë ai ka thënë se kurrë nuk e ka takuar Karaxhiqin, as nuk ka mbajtur kontakt me të dhe për askënd nuk ka ndërmjetësuar takime me të, pra as për Handken. Këtu dikush nuk po e thotë të vërtetën: Handke apo Inzko? Shkrimtari ka njoftuar po ashtu se gjatë qëndrimit në Sarajevë ka fjetur te Inzko. Por, këtij s’i kujtohet t’i ketë bërë konak Handkes.

Handke dhe Rugova

Handke e ka arsyetuar udhëtimin te Karaxhiqi dhe pjesëmarrjen në varrimin e Slobodan Milosheviqit me dëshirën e tij që “në vendin e ngjarjes” të marrë informata të dorës së parë. “Unë dëshiroja të lexoja një poezi të Karaxhiqit”, shkruan Handke në librin e tij “Një udhëtim dimëror” nga viti 1996. Më vonë, në këtë kontekst, në një reportazh të gjatë mbi procesin gjyqësor kundër Slobodan Milosheviqit në Hagë, Handke shkruan se gazetat franceze e quajnë Ibrahim Rugovën, presidentin e shqiptarëve të Kosovës, “Gandi i Ballkanit”, poet, nxënës të Roland Barthes, i cili flet pastër frëngjisht. “Por, deri më sot nuk kam mundur të lexoj asnjë poezi të Rugovës. Ku mbetet këtu vëzhgimi në vendin e ngjarjes. Dhe kush apo çka më merr mua paragjykimin tim? Pa vëzhgim nuk ka çlirim”. Paragjykimin ndaj Rugovës dhe shqiptarëve të Kosovës në përgjithësi Handke e ka ndërtuar vetë. Në vitin 1996 ai kishte qëndruar në Prishtinë, ishte pritur dhe gostitur nga letrarët provincialë serbë, por s’kishte takuar asnjë autor shqiptar, asnjë politikan, as Ibrahim Rugovën. Handkes më shumë i pëlqente atëbotë, dhe vazhdon t’i pëlqejë edhe sot, vrapimi i tij apokaliptik.

Disa autorë nuk kanë mundur ta durojnë falsifikimin e historisë dhe kanë shkruar replika të mençura kundër teksteve të Handkes, në të cilat shpaloset një mirëkuptim i neveritshëm për krimet serbe. Autori zviceran Jürg Laederach në shenjë proteste për shkak të publikimit të librit “Një udhëtim dimëror” e kishte braktisur shtëpinë botuese “Suhrkamp”. Shefi i atëhershëm i “Suhrkampit”, Peter Unseld, kishte lejuar të tërhiqej për hunde nga shkrimtarët nacionalistë serbë dhe të drejtën e botimit në serbisht të librit “Një udhëtim dimëror” ia kishte dhënë shtëpisë botuese “Gligorije Bozhoviq” nga Prishtina. Shtëpia botuese “Gligorije Bozhoviq” në vitet 90-të i takonte grupit “Panorama”, e cila e kishte përvetësuar pasurinë e “Rilindjes”, e cila ishte shtëpia më e madhe mediale e shqiptarëve në Jugosllavinë e Titos. Kështu zëri i Peter Handkes në serbisht jehonte nga Prishtina drejt botës, duke u çjerrë: “Drejtësi për Serbinë”. Titull i plotë i librit është ky: “Një udhëtim dimëror te lumenjtë Danub, Savë, Moravë dhe Drina, ose drejtësi për Serbinë”.

“Terrorist monoman”

Filozofi francez Alain Finkelkraut ka shpjeguar se arsyeja pse Handke manifeston një antigjermanizëm të ashpër dhe një proserbizëm të verbër lidhet me historinë e tij familjare. Handke, sipas Finkelkraut, është aq i dalldisur në antigjermanizmin e tij (për shkak të rolit të babait, i cili ishte shërbëtor besnik i regjimit të Hitlerit) saqë me të as që mund të komunikohet në mënyrë normale. Rrjedhimisht në librin e tij “Drejtësi për Serbinë” ai përveç toneve lavdëruese për utopinë e tij, sulmon ato gazeta gjermane, të cilat kanë qenë kritike ndaj agresionit serb në Ballkan. Në sytë e Handkes gazetarët janë kriminelë, të cilët gjoja i përshkruanin serbët qëllimisht si kriminelë! André Glucksmann, një filozof tjetër francez, ka bërë publike këtë diagnozë për autorin austriak: “Handke, një terrorist monoman” (Nga latinishtja: monoman = i çmendur, i dehur pas një përfytyrimi, pas një ideje apo animi).

Lini një Përgjigje