Edhe pas zgjedhjeve mund të ketë krizë institucionale

10 Dhjetor 2010, 22:05Blog TEMA

Nga Halil Matoshi

Oferta e subjekteve politike kosovare për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 12 dhjetorit është e larmishme dhe me risi, prandaj edhe rezultati final mund të jetë i befasishëm dhe i papritur. Vota e lirë e qytetarit është manipuluar dhe abuzuar sistematikisht.

Tendenca më e rrezikshme e pasluftës në Kosovë është përpjekja që të vihet kontroll mbi tërë shoqërinë kosovare, përmes shërbimeve sekrete partiake, për instalimin e partisë-shtet, e kjo tendencë fillimisht shfaqej nga LDK-ja e pastaj nga PDK-ja.

Në disa shtete të dobëta (ku renditet edhe Kosova, së paku sipas raporteve të organizatave kredibile ndërkombëtare) është mjaft e zakonshme që qeveria “të blejë” opozitën politike, duke i siguruar një qasje në tenderime, pra duke i siguruar asaj mundësi ekonomike.

Më 12 dhjetor partitë që ishin në pushtet, por edhe ato opozitare nga përbërja e kaluar e Kuvendit do të garojnë me ndërgjegje të papastër. Ato edhe nuk sollën asgjë të re, qoftë në programet e tyre, qoftë me modelin e fushatës parazgjedhore, pos gjurulldi premtimesh të rrejshme, për parajsën në tokë të Kosovës së varfër, të kombinuara me një dozë patriotizmi, por jo edhe ide për një model të ri e të besueshëm qeverisës. Ndërkaq që, gjatë fushatës, jo vetëm oponencë më të qëndrueshme, por edhe alternativa, secila në takatin e vet, po paraqesin dy subjektet e reja në skenën politike kosovare, lëvizja “Vetëvendosje” dhe Fryma e Re. Po të kishte sadopak vetëdijesim shoqëror dhe votë inteligjente që ndëshkon keqqeverisjen, e të votohej Fryma e Re dhe lëvizja “Vetëvendosje”, aq sa të mos e rrezikonin pragun prej pesë për qind, atëherë Kuvendi i Kosovës do të kthehej në arenë ku luftohet jo vetëm për demokraci e liri fjale, por secila qeveri do t’i nënshtrohej kontrollit parlamentar, do të debatohej për secilin cent të arkës së shtetit dhe do të niste krijimi i etikës së pushtetit, e këto efekte do ta influenconin demokratizimin edhe të partive politike, por edhe të tërë shoqërisë kosovare.

Sidoqoftë rezultati final do të jetë i ngushtë mes PDK-së dhe LDK-së, për nja 2-3 për qind, mirëpo duke qenë parti me elektorat të disiplinuar e të bindur dhe duke qenë në pushtet, pra me mundësinë e shfrytëzimit të resurseve qeveritare, PDK-ja është favorite. Në anën tjetër LDK-ja nën lidershipin e Isa Mustafës, që po perceptohet si i vetmi kandidat që mund ta sfidojë Hashim Thaçin, mund të jetë befasia e këtyre zgjedhjeve.

Ylli i kryebashkiakut të Prishtinës është në zenit dhe fare lehtë mund ta shuajë “shkëlqimin” e Hashim Thaçit. Derisa lëvizja “Vetëvendosje” i ka gjasat më të mira ta kalojë pragun zgjedhor falë aktivizmit të saj të vazhdueshëm, befasi tjetër e këndshme do të ishte hyrja e Frymës së Re në Kuvendin e Kosovës.

Ashiqare, kështu siç është kjo Kosovë, partitë e mëdha megjithatë do të dalin fituese, por puna më e vështirë duket të jetë mundësia e koalicionimit. Deklaratat e ashpra të LDK-së dhe të AAK-së, se nuk do të bëjnë koalicion me Hashim Thaçin dhe me SHIK-un, kundërshtimi nga lëvizja “Vetëvendosje” dhe nga Fryma e Re i koalicionimit me ata që kanë keqqeverisur, si dhe rritja e decibilëve të zërit oponent nga AKR-ja që i rrinte në krah Thaçit, së bashku me satelitët e saj, tash për tash e lënë PDK-në të vetme me komunitetet pakicë. Prandaj, për këtë parti, edhe nëse del e para, telashet e mëdha mund të nisin pas shpalljes së rezultateve zgjedhore. E kjo, mund ta vazhdojë krizën institucionale, madje ka gjasa që të shkohet sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme. Sepse, për të parën herë nuk po vërehet ndonjë entuziazëm për përqafim me Hashim Thaçin, pos LDD-së që nuk është deklaruar (por që mund të ketë probleme me pragun zgjedhor.)

Në një situatë të tillë, PDK-ja edhe nëse arrin të ndërtojë qeverinë, ajo do ta ketë shumë zor që ta mbijetojë mandatin e plotë (ndoshta as dy vjet të plota) duke qenë përballë një blloku opozitar të fuqishëm.

Për një proces zgjedhor demokratik, subjektet politike duhet ta trajtojnë PDK-në si faktor real politik, që ta mundin në kutitë e votimit përmes alternativës politike, e jo përmes gjuhës përjashtuese, ngase një qasje e tillë vetëm sa e bën këtë parti më të arsyeshme. Në politikë vlen rregulli i pashkruar: kurrë mos thuaj kurrë. Forca gravitacionale e pushtetit mund ta thyejë secilën “Jo”, sado e fortë të jetë. Mjafton një deklaratë nga ambasadat perëndimore se Kosovës i duhet konsensus i ri për bisedime me Serbinë dhe për blerjen e “liberalizimit të vizave”, që edhe liderët më të fortë të zbuten. Megjithatë, nuk do të jetë shumë interesant fakti se kush do të dalë i pari, sa modeli i ndërtimit të Qeverisë, kur qeveri kompetente ekspertësh, e të çliruar nga personalitetet që kanë shenjë barazimi me korrupsionin e krimin proklamojnë edhe Thaçi, edhe Mustafa.

Të dy lojtarët kryesorë u thonë kosovarëve se do të befasohen.

Ndërkohë që pozicionin më të mirë për të qenë i dyti në qeveri, qoftë ajo e PDK-së apo e LDK-së e ka AAK-ja, e cila mund ta japë edhe kryetarin e shtetit.

Por megjithatë pos votuesit konservativë, secili qytetar më liberal këtë herë mund të ndërrojë kutinë e votimit, pikërisht për të ndëshkuar ata që vodhën paranë publike.

Disa shtete të reja (të dobëta) janë etiketuar si “kleptokraci” (Jackson 1990), një nofkë e përshtatshme për plaçkitjen, grabitjen dhe konfiskimin sistematik nga ana e shtetit. Kleptokracia në një vend mbretëron kur zyrat e shtetit nuk shërbejnë tutje për të favorizuar konceptin e të mirave publike, por për të krijuar pasuri personale. Në kleptokraci nuk ekziston dallimi midis shërbimit publik, besimit dhe fitimeve private.

E shteti i ri i Kosovës, ka indikator që dëshmojnë se po bie në një palë duar. E në anën tjetër, mungesa e alternativave opozitare demokratike, si pasojë u krijojnë hapësirë “pakicave agresive” të aktivizmit dhe në këtë kontekst, shfaqja e lëvizjes “Vetëvendosje” ishte në rend të parë pasojë e jo shkak, prandaj kur të gjithë perceptohen si hajna, kjo mund të rikthejë dhunën.

Shoqëria kosovare ndërkohë prodhoi diçka të tretë, alternativë qytetare, që identifikohet si frymë e re, e cila përpiqet ta rikthejë idealin e shpresës për ndryshime, pa e gërryer legjitimitetin vertikal dhe horizontal dhe pa e turpëruar shtetin?

Por, rastisi që zgjedhjet të jenë të jashtëzakonshme dhe ky grupim politik nuk arriti të krijojë struktura të forta në rrafshin horizontal dhe ta masovizojë ideologjinë e shpresës.

Por kjo ende nuk do të thotë se duhet hequr dorë.

Liderët politikë gjithnjë e më shumë përmendin të drejtën e punës (lirinë ekonomike) të drejtën e lëvizjes së lirë, edukimin, emancipimin dhe integrimet. Por më së paku të drejtën të jenë të lirë nga frika.

Të mundësh që ta kritikosh qeverinë pa fikën se do të t’i thyejnë eshtrat dajak, një kësi hyqmi i duhet Kosovës. Nëse Kosova e pas 12 dhjetorit (kushdo që i fiton ato) shpall interes nacional sundimin e ligjit, pra gjyqtarin e pavarur, atëherë që këtu nis ndërtimi i shtetit të lirive qytetare e lirisë së shprehjes, lirisë së shtypit dhe të drejtave të njeriut, si edhe të lirive ekonomike dhe mbi të gjitha…

Pa vendosjen e pushtetit të gjyqtarit të pavarur në Kosovë, as nuk do të ketë liberalizim të vizave për kosovarët, as investime të huaja dhe as integrime evropiane.

Të gjitha këto do të shërbejnë vetëm si grishje për t’i fituar zemrat e votuesve, por ata që janë dëshmuar se dinë ta vjedhin arkën e shtetit dinë t’i vjedhin edhe jetët tona!

Deri në këtë derexhe ka rënë etika e pushtetit.

Faktorët ndërkombëtarë të involvuar në mbajtjen e status quosë së stabilitetit të brendshëm (menaxhimin e krizës së transicionit pas 17 shkurtit 2008), pra duke investuar në stabilitet, para se në mirëqenie dhe demokratizim. EULEX-i i përkushtuar në stabilitet, harroi “peshqit e mëdhenj” dhe dekriminalizimin e politikës kosovare, opozita “u shit”, kurse kuvendi ra nën diktatin e ekzekutivit, i cili ia caktonte agjendat dhe ia kurdiste numrat. Këto tendenca e kanë çuar Kosovën në shembje të idesë së një shteti normal të së drejtës.

E kanë cenuar vdekshëm demokracinë dhe lirinë.

A do të rikthehet shpresa më 13 dhjetor?

Lini një Përgjigje