Sindroma e vendit më të…

11 Dhjetor 2010, 20:35Blog TEMA

Nga Alqi Kadenasi

Duket se kemi qenë dhe do vijojmë të mbetemi ende vendi i ekstremeve, limiteve fundore në të gjitha lëmitë e zhvillimit politik, ekonomik apo social.

Shumëkujt do t’i kujtohet e djeshmja, sistemi monist që mburrej e propagandonte gjithçka sipas formulës: Më të…

Sipas asaj që dëgjohej, jo vetëm nga shteti, ne të paktën do të duhej të besonim, pasi për bindje as që bëhej fjalë, se për shembull ishim vendi me demokraci më të zhvilluar, se ishim populli me nivelin arsimor më të zhvilluar, se ishim vendi me ushtrinë më të pathyeshme, se ishim njerëzit më të ushqyer të planetit etj, etj.

Vjen me mund dhe sakrifica të mëdha pasnëntëdhjeta. Sistemi hyri në rrugën e ndryshimit radikal e bashkë me të do të duhej të ndryshonin edhe mentalitetet, vlerësimet dhe qëndrimet. Por s’ishte e thënë të ndodhte kështu.

E famshmja “më të…” nuk ishte e thënë të largohej nga fjalori dhe praktika jonë. Ajo nisi dhe vijon edhe sot e kësaj dite, për shembull me qëndrimin ndaj diktaturës.

Vijon të trumbetohet se populli ynë kishte jetuar në diktaturën “më të… egër në botë”. Thelbi i kësaj qasjeje ndaj sistemit të djeshëm është të justifikohet çdo dukuri e sistemit të sotëm politik që prek dinjitetin, privatësinë, pronësinë, të drejtat themelore të individit e të ngjashme me to e që u kujtojnë njerëzve  diktaturën e djeshme. Pra, u thuhet njerëzve: Rrini urtë se këto që po hiqni sot s’janë asgjë para diktaturës së djeshme.

Njerëzit janë të lodhur  nga  efektet  e  situatës ekonomike. Por, megjithatë, ata  pompohen çdo ditë me sloganin e vendit “më të paprekur në botë prej krizës ekonomike”. Shikojmë dhe vlerësojmë shifrat e statistikat tona ekonomike. Ato mbeten mediatikisht tejet optimiste. Një realitet virtual.

Në shkollat tona mungojnë klasat, bankat, orenditë e deri energjia elektrike. E megjithatë këto duket se nuk e pengojnë kryeministrin tonë të deklarojë se po bëhemi dhe jemi vendi me ritmet “më të larta të futjes së internetit në shkolla, institucione, familje”(!?).

Tërë miqtë e partnerët na kërkojnë të luftojmë realisht korrupsionin e ndërkohë edhe na kanë penalizuar për pamjaftueshmërinë e luftës ndaj tij. Ndërsa qeveria e qeveritarët tanë na servirin studime dhe sondazhe, sipas të cilëve ne mbetemi shembulli i aplikimit të politikave “më të fuqishme anti-korrupsion” (?!).

Sa për të qenë koherent me idenë e mësipërme dhe domosdoshmërinë e “më të…”, na vjen në ndihmë situata katastrofike e përmbytjeve në Shkodër. Është për të disatën herë që dëgjojmë refrenin se shirat e këtij viti, paskan qenë “më të mëdhatë e njëqind e pesëdhjetë viteve të fundit”. Se qeveria po e përballoka situatën me organizimin “më të mirë në rajon”. Se përballë qeveria ka opozitën “më të keqe e më antikombëtare në botë”.

A do të kemi ndonjëherë mundësinë që të hedhim tutje psikologjinë dhe sindromën e vendit “më të …”. Po, dhe vetëm atëherë kur të jemi dhe të bëhemi të barabartë me të tjerët. Deri atëherë do vijojmë të mbetemi “më të”…

1 komente në “Sindroma e vendit më të…”

  1. Bato says:

    Bravo! Konciz si dikur, profesor.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje