Nga Ardian Vehbiu, respublica.al
Kush ka marrë avionin në SHBA këto ditë, do të ketë vënë re me habi një tabelë të re në hyrje të zonës së kontrolleve të sigurisë: tash e tutje, pasagjerëve nuk u lejohet të marrin me vete, në kabinë, kaseta toneri për printer.
Ndjekësit e vëmendshëm të lajmeve e dinë se ky rregull i ri, i çuditshëm në vetvete, i detyrohet reagimit të autoriteteve amerikane ndaj një orvatjeje për terror, pas gjase duke futur, në avion, bomba të maskuara pikërisht si kaseta toneri.
Vendimi për të ndaluar kasetat e tonerëve, pas këtij incidenti, do parë edhe si mënyra tipike me të cilën reagojnë burokracitë shtetërore dhe institucionale ndaj një kërcënimi abstrakt: duke marrë masa që një incident i ndodhur tashmë, të mos përsëritet më.
Kështu, vëzhguesit kanë vënë re se krejt makineria e sigurisë në aeroportet amerikane synon të pengojë përsëritjen e një katastrofe të njëjtë me atë të 11 shtatorit 2001, kur terroristët jo vetëm morën në kontroll avionë pasagjerësh, por edhe i përdorën këta avionë si raketa kundër rrokaqiejve dhe objekteve me rëndësi strategjike, si Pentagoni.
Prerëset e thonjve, brisqet dhe piskatoret janë viktimat e përditshme të kësaj mendësie burokratike.
Vetëm një vit më vonë, pasi një farë Richard Colvin Reid u rrek të shpërthejë, në 2002, lëndë plasëse që kishte fshehur në këpucë, autoritetet amerikane vendosën që të gjithë pasagjerët të zbathin këpucët në pikat e kontrollit; për të parandaluar një “shoe bomber” të dytë – sado i pagjasë të duket një atentat i tillë në të tashmen dhe në të ardhmen.
Po kështu, kur autoritetet britanike zbuluan, në vitin 2006, një komplot për të prodhuar lëndë eksplozive në nevojtoret e avionëve të linjave duke përzier lëngje të ndryshme të rëndomta, u mor vendimi që pasagjerëve të mos u lejohej më të sillnin në kabinë ujë të gazuar ose shampo; ndalim që u shtri, paradoksalisht, deri edhe te shishet me qumësht për bebet.
Në fakt, burokracitë nuk mund të reagojnë ndryshe, përveçse duke u përpjekur të parandalojnë incidente ose katastrofa që kanë ndodhur tashmë; masat e marra në lëmin e luftës kundër terrorizmit përfaqësojnë rregullin, jo përjashtimin.
Nëse ka ndonjë logjikë në përpjekjen për të parandaluar çfarë ka ndodhur tashmë, kjo mund të diskutohet.
Pas sulmeve me bomba në metrotë e Londrës dhe të Madridit, në metronë e New York-ut tani policia herë pas here organizon kontrolle të befasishme të çantave të shpinës së udhëtarëve; mu në hyrje të stacioneve, në sy të të gjithëve. Gjasat që kjo nismë të ketë çuar në uljen e rrezikut për terrorizëm në metro janë fare të ulëta, meqë mundësitë për të sulmuar sistemet e transportit publik janë të pafund; për këtë arsye, shumë vëzhgues flasin jo aq për masa të sigurisë, sesa për “teatër të sigurisë”, i cili ka për qëllim jo aq të parandalojë katastrofat, sesa të qetësojë publikun dhe të bindë vetë agjencitë e sigurisë se po bëjnë vërtet diçka për të përligjur fondet astronomike që u janë vënë në dispozicion. Në të njëjtën kohë lufta kundër terrorizmit zhvillohet, dhe nuk mund veçse të zhvillohet me strategji, taktika dhe mënyra të tjera.
Përtej lëmit të sigurisë dhe të anti-terrorizmit, mekanizmi duket se vepron edhe me mënyrën si mbrojnë, kundër viruseve kompjuterike, programet përkatëse anti-virus; të cilat më një anë identifikojnë viruse tashmë të njohura dhe të etiketuara, më anë tjetër zbulojnë viruse të panjohura, duke analizuar mënyrën si sillen zakonisht programe të tilla në kompjuterin pritës.
Tek e fundit, kjo është edhe mënyra si mbrohet vetë organizmi i gjallë ndaj sulmeve virale ose bakteriale: duke u mbështetur jo vetëm në kujtesën për sulme të tilla që kanë ndodhur, por edhe në një sistem që mbron ndaj infeksionit në përgjithësi.
Përndryshe, dinamika e përgatitjes së një sulmi çfarëdo ndaj një objekti ose sistemi të mbrojtur nuk është veçse një tërësi orvatjesh për të identifikuar, mes opsioneve të ndryshme, pikërisht atë që kundërshtari mbrojtës nuk e pret. Nga kjo pikëpamje, nuk mund të mos u japësh të drejtë atyre që flasin për “teatër të sigurisë”; terrorizmi nuk mund të neutralizohet duke parandaluar format që ka marrë në të shkuarën dhe ndalimi i kasetave të tonerëve ose i shisheve me lëng pjeshke ose, fundja, edhe i qeseve me trahana ose deodorantëve për erë këmbësh nuk është veçse efekt anësor, ose jashtëqitje e një burokracie të hatashme të sigurisë, e cila kërkon të përligjë dhe të riprodhojë vetveten, duke vepruar me inteligjencën e një insekti, por sistematikisht.
Planëzuesit e reagimit ndaj ngjarjeve të paparashikueshme i drejtohen shpesh matematikës ose teorisë së lojërave për ndihmë; bie fjala, nëse tornadot në zonën bregdetare të Boston-it janë të rralla, a ka kuptim të shpenzohen fonde dhe të bëhen investime për t’u mbrojtur ndaj këtyre fenomeneve të natyrës? Po ashtu: sa duhet të shpenzojë, bie fjala, qeveria malteze për të mbajtur në gatishmëri mjete për zhbllokimin e rrugëve nga bora në dimër?
Llogaritja e probabilitetit vlen edhe në rast ngjarjesh vërtet shumë të rralla, si tërmetet; ende nuk parashikojmë dot ku do të ndodhë tërmeti i ardhshëm, por një qytet në një zonë me rrezikshmëri të rritur për tërmete është mirë t’u kërkojë ndërtuesve që të zbatojnë kritere të forta anti-sizmike në projektimin e ndërtesave. Për të njëjtën arsye, rregullat e mbrojtjes kundër zjarrit duhen zbatuar më rreptësisht në rafineritë e naftës ose në fabrikat e miellit, sesa në një bletari ose në një pishinë publike.
Më anë tjetër, ka edhe dukuri që përsëriten vetvetiu, meqë është në vetë natyrën e tyre të përsëriten; qeveria në një vend të Europës qendrore ka të drejtë të shpërfillë rrezikun që rrugët të bllokohen nga bora gjatë stinës së verës; por nëse e bën këtë në dimër, atëherë nuk po e kryen detyrën e saj. Ndryshe nga grupet terroriste, të cilat synojnë gjithnjë ta fitojnë lojën me ty duke u përpjekur deri edhe të parashikojnë se çfarë po parashikon ti, natyra veç kërkon të të provojë se ajo gjithnjë fiton, pavarësisht nga kundërshtari që i është ulur përballë. Për të bërë një analogji me shahun, terroristët ose grupet e krimit të organizuar luajnë në mënyrë kombinative ose duke shfrytëzuar dredhitë taktike; ndërsa natyra është lojtare pozicionale.
Këto ditë, të gjitha këto do t’i kemi menduar, teksa jemi përpjekur të kuptojmë nëse katastrofa e përmbytjes në Shkodër mund të parandalohej apo jo. Meqë jetojmë në një vend ku pluralizmi interpretohet sistematikisht si relativizim i së vërtetës, shkaqet e përmbytjes dihen, por arsyet mbeten të panjohura. Specialistët flasin për mbingarkim të kaskadës së Drinit, prurje hidrike të jashtëzakonshme, pasojat e ngrohjes globale të klimës, mbushjen e shtratit të lumenjve, rrëgjimin dhe prishjen e qëllimshme të sistemeve të kullimit si pasojë e privatizimit të tokës, dëmtimin e argjinaturave dhe amortizimin e infrastrukturës; opozita qorton qeverinë që nuk mori masa që përmbytjet e një viti më parë të mos përsëriteshin; njerëzit vuajnë; ekzekutivi del në televizion veshur me çizme dhe xhupa fushorë, duke vizituar zonat e dëmtuara dhe praktikuar metaforën e Venezia-s.
Normalisht, nuk ka nevojë të jesh specialist, për të kuptuar se zona e Shkodrës dhe krejt Ultësira perëndimore kanë nevojë të mbrohen aktivisht ndaj përmbytjeve. Specialistët, në raste të tilla, tregojnë se çfarë duhet bërë për të parandaluar gjëmën; ekzekutivi merr masat përkatëse, në bazë të këshillave të ekspertëve. Nëse ujërat vijnë sërish dhe përmbytja përsëritet, madje pa kaluar as edhe një vit i vetëm, ka vend për, të paktën, ngritje vetullash.
Masat e jashtëzakonshme të marra në Perëndim kundër terrorizmit i kanë kritikuar e ndonjëherë përqeshur, sepse shumë prej tyre, së paku pjesa më e dukshme për publikun, mbështeten në një supozim që e trajton terrorizmin si të ishte forcë e natyrës – sado kaotike nga natyra, përsëri e parashikueshme në vetvete.
Njëlloj, paaftësinë e qeverisë në Tiranë për të parandaluar dëmet e përmbytjes së tanishme në Shkodër, vetëm një vit pasi ndodhi, në të njëjtën zonë, një katastrofë e ngjashme me të sotmen, e kanë kritikuar dhe do ta kritikojnë sepse, përballë një rreziku në thelb natyror, nuk ka treguar as edhe inteligjencën e një insekti.
Të tjerë do ta akuzojnë ekzekutivin, përkundrazi, se përballë rrezikut që përmbytja në Veri të përsëritej, iu fal logjikës së kumarxhiut dhe vendosi të rrezikojë, duke gjykuar se përmbytja e vjetshme ia kish djegur gjasat kësaj të sivjetshmes.
Ky arsyetim është natyrisht i gabuar, edhe pse ndeshet rëndom. Ka me miliona njerëz, anembanë botës, që luajnë në lotari duke përdorur sisteme të cilat bazohen në numrat që kanë dalë, për shembull, gjatë 100 vjetëve të fundit. Dëgjon të thuhet, bie fjala: “42-shi ka vite që nuk ka dalë.” Po kështu, nëse gjatë një loje tavlle bie tre herë rresht dopio gjashta, shumë lojtarë e konsiderojnë pothuajse të sigurt që herën e katërt dopio gjashta nuk do të bjerë më, edhe pse probabiliteti i hedhjes së ardhshme nuk varet fare nga çfarë është hedhur deri më tash. (Përkundrazi, një kumarxhi i regjur, që ka parë sesi dopio gjashta ka rënë tre herë rresht, do të vërë bast që do të bjerë edhe herën e katërt, duke supozuar, me të drejtë, se zaret janë të trukuara.)
Sa vlen kjo analogji për të kuptuar se çfarë ndodhi pikërisht në Shkodër? Ishte vallë përmbytja e barasvlershme me një katastrofë probabiliste, ku dopio gjashta kishte dalë jo tre, por tridhjetë herë radhazi; apo luajti qeveria me zare të trukuara?
Do të ishte shumë e lehtë, madje komode, që të bëje me faj shtetin për një ngjarje të parashikueshme, por në disa aspekte të pakontrollueshme, si përmbytja. Për shkatërrimet infrastrukturore në zonat e veriut nuk bën dot me faj vetëm ekzekutivin e tanishëm; i cili nuk mund ta trajtojë natyrën dhe terrenin njëlloj si ai i djeshmi, që sillej me qytetarët e vet si t’i kishte bagëti. Nga ana tjetër, qeveria ndoshta mund dhe duhej të kishte zhvilluar një fushatë të gjatë sensibilizimi në media, para se t’ia mbërrinte stina e shirave; fushatë e cila do të dëshmonte, së paku, për pafuqinë e ekzekutivit përballë një dukurie të tillë të natyrës.
Pas përmbytjes së vjetshme, Shkodra dhe zonat përreth mund të ishin paralajmëruar për rrezikun e përsëritjes; pushteti lokal mund të ishte mobilizuar për të mbrojtur dhe mirëmbajtur infra-strukturën ekzistuese; mund të ishin kërkuar dhe ndoshta siguruar investimet përkatëse. Qeveria së paku mund të kishte bërë diçka të ngjashme me autoritetet e sigurisë në aeroportet amerikane: të ndalonte, si të thuash, transportimin e tonerëve për printer, duke shpenzuar jo më shumë mjete financiare se ç’iu deshën, bie fjala, për të festuar para një muaji të ashtuquajturën “heqje të vizave”; ose për t’i treguar popullit se një institucioni publik mund t’i tolerohet dëshira e vullneti për t’i shërbyer vetvetes, por nuk mund t’i lejohet kurrsesi të adoptojë logjikën e kumarxhiut.
Comments are closed.
Sikur ta skip-ni te gjithen, jane vetem dy paragrafe qe duhen lexuar ne kete artikull:
” paaftësinë e qeverisë në Tiranë për të parandaluar dëmet e përmbytjes së tanishme në Shkodër, vetëm një vit pasi ndodhi, në të njëjtën zonë, një katastrofë e ngjashme me të sotmen, e kanë kritikuar dhe do ta kritikojnë sepse, përballë një rreziku në thelb natyror, nuk ka treguar as edhe inteligjencën e një insekti….”, dhe tjetra…..”Qeveria së paku mund të kishte bërë diçka të ngjashme me autoritetet e sigurisë në aeroportet amerikane: të ndalonte, si të thuash, transportimin e tonerëve për printer, duke shpenzuar jo më shumë mjete financiare se ç’iu deshën, bie fjala, për të festuar para një muaji të ashtuquajturën “heqje të vizave”; ose për t’i treguar popullit se një institucioni publik mund t’i tolerohet dëshira e vullneti për t’i shërbyer vetvetes, por nuk mund t’i lejohet kurrsesi të adoptojë logjikën e kumarxhiut…”
Kudos …… Vehbiut per kendveshtrimin
Amerikaneve u kalon miu nen hunde vetem njehere se pastaj marrin masa.Ne na kalon 100 here e prape nuk bejme gje.