Kosova që ka harruar luftën

16 Dhjetor 2010, 21:50Blog TEMA

Nga Arbër Zaimi

saktivista.com

Lufta për çlirim do të duhej të qe momenti sublim kur thuren shpresat e një populli për liri e për tejkalim të situatave të dominimit e shtypjes. Është pikërisht ai momenti kur e shkuara duket se dobësohet aq shumë, sa ndoshta do të mund të harrohet përfundimisht, e pa asnjë lloj gradualiteti do të mund të kalohet në një të ardhme më të mirë e më të ndritshme.

Mirëpo kjo rrallë ndodh. Në realitetin historik shpeshherë luftërat prodhojnë pikërisht të kundërtën e kësaj, prodhojnë një vijueshmëri thelbësore, duke krijuar vetëm spektaklin e ndryshimit. I tillë është rasti i luftës më të fundit që ka përjetuar populli shqiptar, luftës së Kosovës. Konteksti historik i kësaj lufte dihet, po ashtu dihet dhe konteksti politik. Të trajtuar për një kohë të gjatë si qytetarë të dorës së dytë, të varfëruar, të diskriminuar për arsye etnike në marrëdhëniet ekonomike, kulturore e sociale, e më në fund të shfarosur prej Jugosllavisë së atëhershme, populli shqiptar i Kosovës prej kohësh kish nisur të mbrunte rezistencën, të akumulonte energjinë për një përplasje të mundshme që do të mund të sillte çlirimin. Natyrisht që, si në të gjitha situatat e ngjashme, barrën më të madhe e për pasojë meritën e morën ata që vendosën të sakrifikonin gjithçka, pa vënë në kandar as pasuri, as jetë e as familje.

Fati e deshi (në fakt jo tamam fati, por nuk është synim i këtij shkrimi të thellohet në këtë aspekt) që lufta që shqiptarët nisën të mbështetej edhe nga shumë shtete të tjera, sidomos pasi u bë e qartë që në themel të kësaj lufte nuk qëndronte as ekspansionizmi, as agresiviteti i shqiptarëve, por dëshira e tyre për vetëpohim, për t’u bërë pjesë e kombeve të lira.

Kështu që lufta me serbët u fitua, natyrisht duke paguar çmimin e rëndë, humbjen e jetës të sa e sa martirëve, zhdukjen e mijëra njerëzve ende të pagjetur, gjymtimin e dhunimin e mijëra të tjerëve. Në 1999 gjithsesi shqiptarët e Kosovës ndodheshin përballë një fakti pozitiv, tani brutaliteti kish mbaruar, mjaftonte të shtroheshin binarët për një rrugë të re, që do të justifikonte sakrificën.

Njëmbëdhjetë vjet më vonë më ka rënë rasti të shoh në ç’kushte jetojnë fëmijët e disa prej martirëve të luftës. E kam fjalën përshembull për dy djem të vegjël bjondë që një ditë më lypën do cent në sheshin nënë Tereza në Prishtinë. Po e kam fjalën edhe për shumë e shumë të tjerë që ndoshta nuk janë në këtë derexhe, e gjithsesi janë në mjerim. Më ka rënë rasti të shkoj në shtëpitë e martirëve, më ka rënë rasti të takoj invalidë lufte që ende kanë katër a pesë plumba në trup, e që sot jetojnë me një përkrahje prej pak më shumë se 200 eurosh (e me këto nuk e ushqen dot familjen në Kosovë). I kam parë tek jetojnë në shtëpi të lagështa e të pandrequra, me muret e dekoruara me një flamur që nuk ua njeh askush, apo me fotografi të luftës që tani duket aq e largët. I kam parë tek shtrëngojnë nofullat, pasi nuk mund të ankohen.

Kosova e pasluftës është qeverisur prej tre a katër partive që në elitën e tyre kanë pasur figura të dala po nga kjo luftë. Po ç’luftëtar, ç’politikan është ai që i takon vetëm përpara zgjedhjeve familjet e bashkëluftëtarëve të vet që u martirizuan? Po ç’shtet është ai që lë në harresë sakrificat e atyre që shtruan themelin e lirisë? Ç’është kjo liri e kushtëzuar, që të detyron të harrosh se si e quan vetveten, e të imponon emra të rinj, flamuj të çuditshëm e himne memecë?

Kosova e pasluftës nuk është karakterizuar nga ndonjë shkëputje prej të shkuarës. Populli ka vazhduar të jetë i trembur, varfëria ka vazhduar të shtohet, dyqanxhinjtë paguajnë haraçe, fabrikat e minierat janë shkatërruar që të privatizohen më lirë, arat janë lënë djerrë e 20% e tokës bujqësore është shkatërruar përgjithnjë. Qytetet janë kthyer në geto prej ndërtimeve pa plan, shkollat janë kthyer në ndërtesa (ndoshta dhe të reja) ku ti nuk mund të marrësh asnjë lloj dije, spitalet janë kthyer në tregje ku lulëzojnë bizneset e fatkeqësive. Me sa duket “gjeneralët” trima që dikur nuk iu trembën plumbave të armiqve, nuk i rezistuan dot “bakllavasë” së korrupsionit. Tashmë ata janë kokë e këmbë të ndërthurur me interesa me njëri-tjetrin, ndërsa nuk harrojnë t’u servilosen ndërkombëtarëve.

Por shpresa nuk mund të vdesë. Ajo që nuk u çua në fund prej luftës, prej misionit të saj çlirimtar, do të mund të çohet prej vullnetit politik të popullit të Kosovës. Vetëm duke marrë pjesë aktive, vetëm duke e dëshmuar veten në lartësinë e duhur e përmbi elitën politike aktuale ky popull do të mund të shpëtojë prej kësaj faze të “post-pushtimit”, ku ata që paraqiten si çlirimtarë në fakt nuk janë veçse “post-dhunues”. Vetëm duke bërë ndarjen e qartë mes atyre që dhanë jetën, pasurinë e gjithçka për luftën dhe atyre që e shfrytëzuan luftën për t’u bërë të pasur do të mund të themelohet një moral i ri për popullin e Kosovës, një moral që do të mund ta çonte përpara në rrugën e zhvillimit e të shtetndërtimit, një moral që do t’u lejonte njerëzve që ballëhapur të pohonin ekzistencën e tyre.

Lini një Përgjigje