Pushteti njëpartiak i PDK-së me Hashim Thaçin në krye do të zgjasë edhe përtej zgjedhjeve të 12 dhjetorit nëse këto zgjedhje aprovohen. Qeveria, sipas gjasave, do të bëhet me minoritete dhe me AKR-në, të dyja këto formacione që konstituencën e tyre në parlament e kanë thjesht për t’ia kooptuar kujtdo që bën qeverinë, që me fjalë të tjera do të thotë se numrat e tyre i bëjnë pjesë të pandashme të partisë në pushtet në një kundërvlerë të caktuar qoftë monetare apo të ndonjë lloji tjetër.
Duke pasur parasysh këtë, dhe sidomos duke parë se PDK-ja do t’ia dalë edhe me një manipulim tjetër masiv, zgjedhjet e 12 dhjetorit praktikisht do ta prodhojnë një sistem monist. Kjo do të ndodhë për shkak se nga disa mandate të kaluara është parë se përballë arbitraritetit të partisë ose partive në pushtet, institucionet shndërrohen në emra relevantë dhe gjithçka i subordinohet thjesht dhe vetëm vullnetit të partisë më të madhe në pushtet.
Mirëpo, nëse këto zgjedhje do të vulosen si të tilla, atëherë omnipotenca dhe arbitrariteti i qeverisë që do dalë nga to, do të shumëfishohen për shkak se thjesht kryeministri i mundshëm, Hashim Thaçi, ka krijuar një konfidencë të pakufishme për të përdhunuar jo vetëm ligjin, por edhe Parlamentin si institucionin më të lartë. Në anën tjetër, shkelja e ligjit dhe e Kushtetutës tashmë është bërë ligj, dhe dënohet vetëm kur për këtë kanë interesa dhe dëshirë ndërkombëtarët. Shoqëria kosovare është dobësuar aq shumë përballë fuqisë arbitrare të PDK-së së përkahur nga ndërkombëtarët saqë nënshtrimi i tërësishëm është i vetmi skenar i mundshëm.
Nëpërmjet televizionit publik dhe një varg mediash të tjera të blera tërësisht ose pjesërisht nga PDK-ja, opinioni publik kosovar me një ndjenjë të përzier skepticizmi e pieteti, do të vazhdojë ta shohë Qeverinë e Kosovës dhe pushtetin e instaluar nga zgjedhjet e deformuara si një vullnet të të huajve për të mirën e Kosovës dhe kjo do të prodhojë atë durimin dhe mazohizmin mbinjerëzor.
Manipulimi masiv i zgjedhjeve ishte një gjë që nuk e befasoi askë. Madje ai edhe u mor si normal. Edhe kur u vu re nga diplomatë të huaj, madje edhe kur u denoncua nga ata, thjesht ky manipulim u pranua si një dekorim i pritur i procesit zgjedhor dhe iu servua opinionit publik si një desert. Urime për zgjedhjet, keni pasur manipulime masive e industriale, Kosova duhet të mburret! Ju lutem shumë, mos u bëni si ata të Shqipërisë, por pranoni manipulimet pa zhurmë! Kjo pak a shumë u tha edhe nga një delegacion i BE-së me një prepotencë të paparë. Thua se asgjë në jetën tonë nuk ka rëndësi përveç integrimit evropian.
Kjo përkrahje e jashtëzakonshme ndërkombëtare ndaj, tashmë, partisë së tyre, për të mbushur kutitë me flet-votime-pa-votues, nëse kalon si e tillë, do t’i krijojë ushtruesit të detyrës së kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçi, një konfidencë të tepruar. Nëse shoqëria kosovare mbyll sytë para këtij dhunimi, atëherë meritojmë edhe t’ia mbajmë në qafë barelat e shtëpizës mbretërore zotit Thaçi dhe të shndërrohemi përfundimisht në shërbëtorë me pietet të tij.
E vërteta është se pothuajse të gjithë qenë përgatitur për një situatë të tillë. Partitë politike u futën në zgjedhje duke e ditur se një pushtet i gjithanshëm i PDK-së ka për t’i tallur ata dhe ka për t’i shndërruar në xhuxhamanë. Gjatë periudhës së omnipotencës PDK-ja shtriu kontrollin në të gjithë sektorët dhe degët e pushtetit dhe është e qartë që këtë fuqi do ta përdorte në këto zgjedhje. Rahoveci madje tregoi se ky pushtet kishte shtrirë kontrollin edhe ndaj vëzhguesëve të pavarur te “Demokracia në Veprim”, e cila heshti manipulime kolosale këtyre zgjedhjeve, ashtu siç bëri edhe në zgjedhjet e 2009-s. Prandaj, është për t’u çuditur pse partitë politike u futen në një garë, barabarësia e së cilës ishte cenuar qysh më 2009.
Sot jemi në prag të një pushteti të ri të zullumit, por ky nuk është thjesht një zullum i ndërtuar nga partia në pushtet. Ky zullum ka përkrahës nga çdo anë dhe sidomos ka përkrahës nga ndërkombëtarët. Stabiliteti politik dhe pazaret e ulëta me pronën publike janë shndërruar në objektiva makiaveliane në Kosovë. Pyetja është, kur do trashet mjaftueshëm zullumi?