PD rrëzon komisionin hetimor, shkel Kushtetutën

20 Dhjetor 2010, 21:51Politika TEMA
PD rrëzon komisionin hetimor, shkel Kushtetutën

Nga mbledhja e Komisionit të Ligjeve

Duke marrë një vendim që bie në kundërshtim të hapur me Kushtetutën, deputetët demokratë kanë vendosur që të mos lejojnë ngritjen e një komisioni hetimor të kërkuar me aq ngulm nga opozita. Bëhet fjalë për kërkesën më të fundit të deputetëve të PS-së për hetimin e zgjedhjeve të vitit 2009, kërkesë ku nuk ekziston më në objektin e hetimit çështja e shumëpërfolur e fletëve të votimit, që mazhoranca e cilësonte si një kërkesë antikushtetuese dhe antiligjore. Por ndërkaq duket se deputetët demokratë që votuan dje kundër kërkesës e së paku 30 deputetëve që kanë firmosur për hetimin e zgjedhjeve nuk e kanë lexuar nenin 77 të Kushtetutës së vendit, ku thuhet në mënyrë të lexueshme qartë dhe për ata që nuk janë juristë se Kuvendi është i detyruar ta ngrejë një komision hetimor të kërkuar nga 1 e 4-ta e deputetëve. Siç ka ndodhur dhe në rastet e komisioneve të mëparshme hetimore, kur njëra palë nuk është dakord me arsyet dhe me objektin e hetimit e ankimon këtë gjë në Gjykatën Kushtetuese, por nuk mund të mohojë të drejtën për ngritjen e një komisioni hetimor.

Gjithsesi dje në Komisionin e Ligjeve shumica qeverisëse tregoi hapur qëndrimin e saj ndaj kërkesës të Partisë Socialiste për hetimin e zgjedhjeve parlamentare të qershorit të vitit të kaluar duke mos e pranuar kërkesën e PS-së. Deputetët e shumicës miratuan një relacion të tyre ku kërkesa e opozitës vlerësohet në parim, pra që zgjedhjet të hetohen, por jo sipas mënyrës që kërkoi opozita përmes një projektvendimi. Më tej deputetët e shumicës votuan pro një relacioni të paraqitur nga deputeti i Partisë Demokratike Viktor Gumi ku mbahet qëndrim kundër për tre nene bazë të projektvendimit të paraqitur nga opozita. Ato që kanë të bëjnë me drejtimin e komisionit hetimor për të cilin opozita kërkon të jetë i saj, përbërjen e komisionit, ku opozita kërkon të ketë shumicën, çka sipas shumicës bie në kundërshtim me kushtetutën. Ky kundërshtim bie dhe kundër deklarimeve dhe ofertës së mëparshme të kryeministrit Berisha që opozitës do ti jepet shumica dhe kryesimi i komisionit. Shumica thotë se projektvendimi i opozitës duhet të riformulohet që të marrë votat e shumicës ditën e enjte kur në Kuvend është vendosur të votohet për kërkesën e PS, në ditën e fundit të sesionit kuvendor për këtë vit. Deputetët e opozitës protestuan duke u larguar nga mbledhja duke deklaruar se nuk kishin ç’bënin më atje.  Për demokratët, ky draft i selisë rozë dhe i opozitës në tërësi ka të paktën tre pika ku shkelet Kushtetuta. “Mbështetur në analizë, projektvendimi ka defekte në përcaktimin kushtetues të objektit të hetimit, të moscenimit me organet e tjera dhe përcaktimit të racionalitetit të Kuvendit. Pikat 2, 3 dhe 4 duhet të riformulohen”, ka deklaruar deputeti i PD, Viktor Gumi. Por socialistët nga krahu i tyre akuzuan mazhorancën se po pengon qëllimisht ngritjen e komisionit hetimor, si mënyra e vetme, siç tha deputeti Xhafa, për të mos lejuar kryerjen e transparencës së zgjedhjeve, një skemë kjo që për selinë rozë përkthehet si një tentativë e re për të grabitur procesin e ardhshëm elektoral. “Ajo që do të duhej të bëhej sot ishte hapja rrugë këtij procesi, për të cilin kemi rënë dakord, për të cilin jeni shprehur zyrtarisht edhe me shkrim dhe keni garantuar partnerët ndërkombëtarë. Dhe kjo është një gjë e rëndë. Ju nuk mund të silleni as me demokracinë, as me parlamentarizëm”, ka deklaruar Xhafa.

Pas largimit të opozitës, maxhoranca miratoi e vetme relacionin e Gumit, i cili kërkonte ndryshimin e 3 neneve të kërkesës. Sipas kryetarit Rusmajli, Partisë Socialiste i lihej e hapur mundësia për të bërë rregullimet e nevojshme për të proceduar. “Oferta politike e maxhorancës ka qenë dhe është në fuqi. Është e gatshme për t’u zëvendësuar. Pastaj do të jetë komponenti tjetër i parlamentarizmit, ai politik siç tha Gumi, që do ta çojë përpara këtë çështje” tha Rusmajli.

Neni 77 / Kushtetuta

1. Kuvendi zgjedh nga gjiri i tij komisione të përhershme, si dhe mund të caktojë komisione të posaçme.

2. Kuvendi ka të drejtë dhe, me kërkesë të një së katërtës së të gjithë anëtarëve të tij, është i detyruar të caktojë komision hetimi për të shqyrtuar një çështje të veçantë. Përfundimet e tyre nuk janë detyruese për gjykatat, por mund t’i njoftohen prokurorisë, e cila i vlerëson sipas procedurës ligjore.

3. Komisionet e hetimit veprojnë sipas procedurës së parashikuar me ligj.

Lini një Përgjigje