AAK, definitivisht jashtë qeverisë

29 Dhjetor 2010, 15:14Rajoni TEMA

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), definitivisht ka vendosur që mos të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme të Kosovës. Burime brenda kësaj partie, kanë bërë të ditur për Koha.net se, pjesa dërmuese e vendimmarrësve në AAK janë të mendimit që të qëndrojnë në opozitë, përkatësisht mos të jenë pjesë e koalicionit me PDK-në, edhe me kushtin që partia e Ramush Haradinajt ta ketë  nga radhët e veta presidentin.

Më saktësisht, sipas këtyre burimeve, njerëz me ndikim në këtë parti, siç janë Ardian Gjini, Burim Ramadani, Blerim Kuçi, por edhe shumë të tjerë, janë shprehur kategorik kundër koalicionit të mundshëm me PDK-në. Ata kanë edhe arsyetimet e tyre për këtë vendim. Sipas tyre, janë arsyet strategjike ato që kanë vendosur të qëndrojnë në opozitë. Burimet theksojnë se përfaqësuesit e rrymës anti-koalicion në AAK kanë vendosur që mos të hyjnë në qeveri, për shkak se, sipas llogarive të tyre, humbja nga ky veprim do të ishte ndjeshëm më e madhe se përfitimi. Ata kanë theksuar se me një president nga AAK-ja, por që ai nuk do të jetë lideri Ramush Haradinaj, për shkaqe të njohura, funksioni i postit të presidentit do të zbehej, madje, sipas tyre, ky funksion i ushtruar nga ndokush nga AAK-ja pos liderit, do të mospërfillej nga aleatët në koalicion, në këtë rast nga PDK-ja dhe në këtë mënyrë në vend se të përfitojë, AAK-ja do të humbiste, së paku në imazh, por edhe më shumë. Ndërkaq, qëndrimi në opozitë bashkë me LDK-në, sipas përfaqësuesve të AAK-së që preferojnë opozitën, do ta forconte partinë, do t’ia rriste reputacionin dhe do t’ia shtonte respektin, duke sfiduar  veprimet e gabueshme të Qeverisë.

Por, nuk është se në AAK nuk ka zëra që duan koalicionin me PDK-në. Një nga ta, përflitet shumë se është Blerim Shala, i përkrahur vetëm nga Jahja Lluka.

1 komente në “AAK, definitivisht jashtë qeverisë”

  1. Nikoja says:

    Kosova me qeverine aktuale ka humbur shume mbeshtetjen e nderkomtareve dhe me se keqi ka humbur shume njohjet nga shtetet e tjera.Per mendimin tim Thaqi nuk eshte njeriu i duhur per te qeverisur Kosoven.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje