Manipulimet në zgjedhjet e fundit dhe emërimi i mundshëm i ministrave të rinj, po krijojnë përçarje mes zyrtarëve të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila në fund mund të rezultojë edhe me largimin e disa zyrtarëve të saj, raporton gazeta “Zëri”.
Përkundër gëzimit të fitores në këto zgjedhje, përfaqësues të rëndësishëm të saj janë të indinjuar me manipulimet që komisionerët e vetë partisë u kanë bërë votave të tyre, duke i adresuar te kandidatë të tjerë brenda PDK-së.
Burime brenda kësaj partie kanë deklaruar për “Zërin” se numri i të irrituarve me këto manipulime është tejet i madh dhe se kjo gjendje mund të shkaktojë probleme të mëdha brenda PDK-së në një të ardhme të afërt.
“Nëse procesi i rinumërimit nuk i korrigjon gabimet dhe më 9 janar do të ketë përsëri manipulime nga komisionerët e PDK-së, partia mund të zhytet në krizë të rëndë të brendshme”, ka thënë një prej kandidatëve të PDK-së për deputet.
I shqetësuar për atë që ka ndodhur ditën e zgjedhjeve brenda vetë PDK-së, është shfaqur sekretari i përgjithshëm i saj, Jakup Krasniqi, dhe disa kandidatë të PDK-së për deputetë.
Krasniqi ka thënë se në “organizimin konspirativ” të zgjedhjeve, në shumë vendvotime kanë marrë pjesë të gjitha partitë dhe komisionerët e tyre, duke mos përjashtuar edhe PDK-në.