Shaqiri: E ardhmja ime, në Bundesligë, ose Premier Ligë

29 Dhjetor 2010, 10:38Sport TEMA

Mesfushori kosovar Xherdan Shaqiri beson se nuk do të largohet nga skuadra e Baselit deri në fund të këtij edicioni. Mendjen mund t’ia thyej atij dhe skuadrës kampione të Zvicrës, vetëm një ofertë që nuk vjen shpesh. Shaqiri insiston se nuk e ka problem edhe nëse nuk transferohet gjatë merkatos së janarit, ndonëse ofertat nga skuadrat gjigante të Evropës janë të mëdha. “Mund të mbetem te Baseli deri në fund të këtij edicioni dhe pastaj në verë të vendos se ku të shkoj. Unë nuk e përjashtoj mundësinë e largimit qysh në janar, por vetëm nëse vjen ndonjë ofertë e madhe dhe e përshtatshme, si për mua, ashtu edhe për klubin”, ka deklaruar Shaqiri. Mesfushori gjilanas ia ka mbyllur dyert Serisë A dhe La Ligës. Ai insiston se kur të largohet nga Baseli, do të luajë në Bundesligë, ose në Premier Ligë. Shaqiri kërkohet nga shumë skuadra të njohura evropiane, Barcelona, Inter, Juventus, Lacio, Arsenal, Liverpul, Bajern Mynih, Hamburg e PSV Eindhoven. Shumica e këtyre klubeve kanë ofruar deri në dhjetë milionë euro për shërbimet e Shaqirit. “Destinacioni im i ardhshëm do të jetë Bundesliga, ose Premier Liga, pasi më pëlqen futbolli i tyre. Gjasat më të mëdha janë që gjatë verës të largohem nga Baseli”, tha ai. “Ndihem mirë që vazhdimisht kam pasur oferta nga skuadrat e mëdha evropiane. Kjo më bën që të punoj edhe më shumë për të arritur suksese. Unë jam i hapur për të gjitha ofertat që vijnë në adresën time”, ka deklaruar ai. Ditë më pare, mediat zvicerane raportuan se Shaqiri është takuar me krerët e Bajern Mymih, takim ky, të cilin mesfushori kosovar nuk e mohoi, por as nuk e pohoi.

Lini një Përgjigje