U vihet flaka fletëve të votimit

7 Janar 2011, 19:53Politika TEMA

Pas një viti e gjysmë fletët e votimit të 28 qershorit përfunduan në flakë, as u rinumëruan, as u hetuan dhe as u ruajtën për një hetim të mundshëm siç pati premtuar kryeministri Berisha. Aksioni opozitar prej më shumë se një viti me protesta, bojkot të Kuvendit dhe deri edhe greve urie, nuk arriti dot që të përmbushte kërkesën për hetim të zgjedhjeve. Vetëm një muaj më parë PS hoqi dorë nga kërkesa për kutitë e votave duke kërkuar vetëm kutitë e materialeve zgjedhore, por ajo asnjëherë nuk ka qenë pro djegies së fletëve duke i konsideruar si një provë e manipulimeve në zgjedhjet e fundit. Por dje në Farkë ka nisur procesi i djegies së tyre. Ka qene bregu i lumit Erzen, më saktësisht, vendi i njohur si Ura e Farkës vendi i asgjësimit të tyre. Ka qenë ora 13:30 e së premtes kur në një prej gropave të riciklimit të inerteve, të përdorura shpesh dhe për asgjësimin e materialeve kontrabandë, ka nisur djegia e fletëve të votimit. Njëri nga kamionët e ushtrisë të vënë në dispozicion të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, u ngarkua me thasët plastikë të mbushur me fletët e votimit, për t’i transportuar më pas në vendin e asgjësimit. Pas një trajnimi paraprak pranë godinës së KQZ-së, Komisioni Përgjegjës për hapjen e kutive të votimit u nisën drejt fshatit Lundër në periferi të kryeqytetit. Aty gjenden magazinat ku ruhen aktualisht kutitë e zgjedhjeve, për t’i transportuar ato mandej drejt këtij institucioni. Sipas vendimit të marrë nga KQZ në datën 29 dhjetor 2010, me hapjen e kutive, materialet zgjedhore do të dërgohen në Arkivin Qendror të Shtetit, ndërsa fletët e votimit do të digjen.  Për kreun e KQZ-se kjo është procedurë rutinë dhe  bëhet pas çdo procesi elektoral, por mori këtë herë një vëmendje të madhe të opinionit publik për shkak të situatës së ngarkuar politike.  Përfaqësuesja e opozitës, zv/kryetarja e KQZ-së deklaron vendimi për hapjen e kutive të dokumentacionit zgjedhor është i nxituar, politik dhe i kamufluar teknikisht. Sipas Subashit, asgjë nuk e nxitonte KQZ-në të merrte vendime të tilla duke u bërë palë në një krizë tërësisht politike. Në reagimin e saj për mediat, zv/kryetarja e KQZ-së tha dje se vendimi për hapjen e kutive të dokumentacionit zgjedhor dhe djegien e fletëve të votimit është marrë mbi një projekt/akt të ndryshuar.

2 komente në “U vihet flaka fletëve të votimit”

  1. ben says:

    Sala dogji Shqiperine,s’po djeg fletet e votimit.

  2. huri says:

    Saliu po asgjeson faktet e krimit monstruoz.Kjo tregon se u druhet fakteve si djalli nga thimjani.Kjo tregon de po i digjet toka nen kembe

Comments are closed.

Lini një Përgjigje