Paraqitjet e mirë të Del Pieros në ndeshjet e fundit duket se ka bindur drejtuesit e Juventusit për t’ia rinovuar kontratën kapitenit të bardhezinjve. Bisedimet pritet që të nisin shumë shpejt dhe rinovimi flitet se do të nënshkruhet që në fillim të marsit. Diskutimi për rinovimin e Del Pieros bëhet në dy plane: atë që ka dhënë për klubin dhe atë që pritet të japë. Ajo që ka dhënë për Juventusin tashmë dihet, pasi është lojtari që ka vendosur të gjithë rekordet në këtë klub, duke nisur që nga ndeshjet e zhvilluara, deri tek golat e shënuar. Ajo që ka më shumë rëndësi është fakti se çfarë do të japë. Këtë sezon, së bashku me Kualjarelën, Del Piero ka qenë sulmuesi që ka luajtur më shumë, duke u aktivizuar në 29 ndeshje. Kjo tregon se ai është ende në formë dhe mund të luajë në nivele të larta. Dëshira e Del Pieros është që të luajë në stadiumin e ri të Juventusit, i cili do të inaugurohet sezonin që vjen.