Polemikat e fundit mes sulmuesit brazilian Pato dhe shokëve të ekipit, Ibrahimoviç dhe Gatuzo, sipas mediave italiane, ka bërë që kuqezinjtë ta mendojnë seriozisht shitjen e tij. Braziliani do të zëvendësohej me një tjetër talent, Mario Baloteli, që shumë herë ka shprehur dëshirën të veshë fanelën e Milanit. Për Paton është shumë i interesuar Karlo Ançeloti, që kërkon të zëvendësojë Didier Drogba, duke parë moshën e këtij të fundit. Vitin e kaluar Çelsi kishte ofruar 50 milionë euro për brazilianin, por Milani nuk kishte pranuar. Situata tani ka ndryshuar dhe çmimi i Patos pritet që të jetë shumë më i ulët. Ndërkohë që përgatitet për shitjen e brazilianit, Milani po mendon për të zëvendësuar atë. Dhe kush më mirë se Baloteli mund të ishte zëvendësuesi i tij? Megjithatë, për këtë rast është problemi Mançester Siti, që duket se nuk ka ndërmend që të heqë dorë nga lojtari i ri italian, duke qenë se vetëm këtë sezon e ble. Gjithsesi, këto janë vetëm zëra merkatosh dhe ndoshta nuk ka asgjë të vërtetë.