Mbrojtësi serb, Milovan Miloviç, kishte dëgjuar shumë gjëra të këqija për Shqipërinë, por ka mbetur i impresionuar me të shkuar në këtë vend. Miloviç, 30-vjeçar, në fillim të këtij viti u huazua për gjashtë muaj nga Vojvodina te Dinamo e Tiranës.
“Kam dëgjuar tregime të ndryshme, por kjo që kam parë këtu është fantastike. Tirana me të gjitha është qytet evropian. Tani për tani nuk kam asnjë problem”, ka thënë Miloviç në një intervistë për gazetën serbe “Sportski Zhurnal”.
Miloviç ka treguar se në Tiranë është pritur shumë mirë. Sipas tij, kur njerëzit kanë mësuar se është nga Serbia, janë treguar edhe më mikpritës.
“Kur njerëzit dëgjojnë se nga jam, tregojnë dëshirë më të madhe për mikpritje. Mua të gjithë më kanë pranuar shumë mirë, nga lojtarët, trajneri, zëvendëspresidenti e deri te njerëzit e rëndomtë në rrugë”, ka shtuar Miloviç.
Miloviç ka thënë se zëvendëspresidenti i Dinamos është adhurues i madh i futbollit serb dhe i futbollistëve nga Serbia. Ai ka treguar se ai e ka ndjekur plot dy vite. Miloviç ka thënë se shumë shpejt ka arritur marrëveshje me Dinamon, ndërsa me kushtet është maksimalisht i kënaqur. Sipas tij, shqiptarët janë shumë të saktë sa u përket pagave.
“Shqiptarët janë si zviceranët. Këstin e parë e kam marrë tashmë. Shpresoj se njësoj do të jetë edhe me të tjerat. Nëse çdo gjë do të jetë në rregull, jam i bindur se do të nënshkruaj edhe kontratë. Sa i përket organizimit të klubit, çdo gjë është në nivel. Kemi një qendër sportive shumë të mirë. Kam marrë apartament vetëm 100 metra larg fushës së stërvitjes. Stadiumi është shumë i mirë”, ka theksuar Miloviç, që më herët ka luajtur për Partizanin e Beogradit. Ka një paraqitje edhe për përfaqësuesen e Serbisë.
Miloviç nuk e përjashton mundësinë që kampionia në fuqi, Dinamo, të mbrojë titullin, edhe pse fazën e parë e ka përfunduar në vendin e pestë, me nëntë pikë më pak se Flamurtari i Vlorës, që ndodhet në krye.
Futbollisti serb ka thënë se në Tiranë nuk flet shumë për Kosovën.
“Kam vërejtur që shqiptarët nuk janë tepër të dhënë pas bashkëkombësve të tyre nga Kosova. Kjo megjithatë është një temë tjetër, ndërsa unë në Shqipëri jam vetëm për futbollin”.
Numri i futbollistëve nga Serbia që bëjnë karrierë në Shqipëri është duke u rritur çdo ditë e më shumë. /kohaditore/