Çfarë pashë në bulevard (ora 16.00)?

21 Janar 2011, 17:46Politika TEMA

Nga Mustafa Nano

Mbërrita në bulevard në orën 14.10. Rrugës pashë grumbuj njerëzish, që bënin gjithashtu në drejtim të bulevardit. Ishin protestues të organizuar. Secili grup kish zëdhënësin e vet, që lëshonte mesazhe me megafon në dorë. Isha me idenë për të shkuar tek pjesa përballë kryeministrisë për të ndjekur epiqendrën e protestës, por kur mbërrita tek ura e madhe pranë ish-hotel Dajtit më zuri syri veç një grup disaqindra vetësh në të djathtë, midis kryeministrisë e ministrisë së financave. Po mendoja se po shihja live dështimin spektakolar të tubimit opozitar të paralajmëruar me bujë, por nuk vonoi shumë dhe në krye të bulevardit, atje ku syri më thosh se duhej të ish lulishtja prapa përmendores së Skënderbeut, u shfaqën banderolat. Pak më pas shquajta siluetën e një turme që përparonte ngadalë, si një kafshë e ngathët e kolosale. Kjo turmë ka ecur për gati një orë drejt godinës së kryeministrisë, dhe prapë, kur hidhja sytë në skajin e kundërt, atje ku turma u shfaq në krye të herës, shihja njerëz që lëviznin. Dukej sikur dilnin nga dheu. Jam një dëshmitar i zakonshëm i ngjarjeve të tilla, dhe më duhet të them se kurrë nuk kisha parë aq shumë njerëz. Ishin shqiptarë që ishin mobilizuar kundër pushtetit. E di që një pjesë e tyre janë të motivuar në këtë protestë thjesht në emër të partisë apo të leader-it të tyre (gjë që dukej nga thirrjet në kor: O Sali, o legen, prite Edin se po vjen!), por në fytyrën e shumë të tjerëve lexohej një shqetësim e nerv qytetar. “Shqiptarët qënkan gjallë”, mendova për një çast si me faj, ngaqë shpesh i shoh (shqiptarët pra) si njerëz të pamobilizueshëm për kauza, prej të cilave nuk fusin gjë në xhepin e tyre. Dyshime mbi motivimin impersonal të pjesëmarrjes mund të kem akoma, por këto dyshime të mijat nuk e çbëjnë faktin, se ai bulevard kurrë më parë nuk ishte shkelur nga kaq shumë njerëz për një kauzë kaq të drejtë. “Fitorja e parë u arrit” – kjo ishte e vetmja siguri që kisha andej nga ora tre pa çerek e pasdites.

Po jetoja me idenë, se ishte dhe një protestë e bukur, por bash kur nga një xhep i turmës u ngrit një këngë labe, andej nga koka e turmës u dëgjua një ‘buuuuum’. Unë isha larg, dhe nuk shihja gjë. As mund të shkoja deri atje, ngaqë turma ishte shumë kompakte e donte mundim për ta çarë. As që doja të shkoja në të vërtetë. Por nuk kaluan as pak minuta kur, pas disa ‘buuuum’-eve të tjera, pamë turmën që po tërhiqej. Dukej sikur kafshën e stërmadhe e kish vënë përpara një kafshë edhe më e stërmadhe. “Çfarë po ndodh?”, pyesnin të gjithë, kush me sy e kush me zë. Por nuk kish nevojë për përgjigje. Pamë njerëzit që fërkonin sytë me duar, sikur ishin verbuar. U kishin hedhur gaz lotsjellës. Nuk di si kish ndodhur kjo gjë, nuk di në turma kish provokuar policinë apo policia provokonte turmën me këtë strategji. Ky informacion është i rëndësishëm “per dovere di cronaca”, jo për gjë tjetër. E dini pse? Policia nuk mund të veprojë kundër popullit opozitar. Në këtë kuptim, kanë qënë benzinë mbi zjarr deklaratat se “do ndëshkohen ata që shkelin ligjin”, “do të mbrojmë rendin kushtetues”, apo vendimi për ta rrethuar kryeministrinë me tela me gjëmba. Policia nuk mund ta mbrojë rendin kushtetues nga opozita. Vetëm diktaturat e mbrojnë rendin kushtetes nga opozita. Ndërsa në demokraci, nuk mund të ketë rend kushtetues kundër opozitës. Shkurt, pushteti vetëm mund të negocjojë me opozitën, por nuk mund të mbrohet nga opozita. Edhe kur opozita kërkon “ca si tepër”, apo “qiqra në hell”, nuk ke rrugë tjetër, veçse të dëgjosh arsyet e saj e të negocjosh zgjidhjet e mundshme. Ndërsa kur thua “do ndëshkoj opozitën, nëse shkel ligjin”, apo “nuk do ta lë opozitën të shkelë rendin kushtetues”, tregon se je një bandë e rrezikshme.

4 komente në “Çfarë pashë në bulevard (ora 16.00)?”

  1. xenilirise says:

    Deri ne Fund vellezer, deri ne fund…
    Ta shkulim te keqen qe po na ze frymen, SOT, qe te mos lejojme te keqen e radhes te na zere frymen NESER…
    Perkulem me respekt, para dhimbjes se atyre familjeve qe humben sot te dashurit e tyre, dhe me vjen TURP qe sot, nuk isha ne krah per krah me TA…
    Sigurisht ky TURP, nuk do perseritet NESER…
    Sot i treguam Europes, se jemi si ta, dhe si ata dime te protestojme e te derdhim gjakun per KAUZA te medha.
    Per fat Europa nuk eshte Pack& Co..
    DERI NE FUND

    1. kosovari says:

      O juve vetem Enver Hoxha ka dit si tju mbaj,shum ma mir ajo koh per Shqiprin nuk ju ka ndi zeri as shkaut as grekut e as italjanit,qka kerkon me shum nga kjo qeveri, ju hyret ne NATO ju hyt ne Evrop ju liberalizun vizat,juve kjo qeveri ju shtroi rugen qe nga Kuksi e ne Sarand qe kur isha para 6 vite qe nga Vlora e ne Sarand mu dashke mbi 6 ore rug e para dy vite per dy ore e gjysme mbrita ne Sarand e gjith atyre fshatrav ju shtroj rugen e ju ofroj munsin qe turistet te ken ku te shkojn,po jo skeni ju faj jeni te msur vetem me pas sistem te diktatures pra juve duhet tju kthehet XHAXHI ENVER…

  2. LORA says:

    Sot mund te them me plot gojen se shqiptaret kane vendosur te luftojne ,te sakrifikojne dhe te fitojne betejen me pushtetin ilegjitim qe i vjedh diten per diell,qe i permbyt dhe vret pa i hyre gjemb ne kembe Nga demostrata historike pashe se kohezioni i njerzve per ta fituar kete beteje nuk mund te mposhtej as nga lendet mbytese,vecse per pak sa te mbusheshin me fryme,e rishtaz te turreshin si dallge te fuqishme ne permbushjen e ketij misioni te drejte.Leviza mjaft e nuk degjova ndonje militantizem partiak,vecse parrulla per largimin e qeverise kusare.

  3. elena marko says:

    Nje turp i pa pare per ate cka pame sot , Qe kur pashe qe ne taracat e Kryeministrise dhe selise se Topallit ishin vendosur snajpra thashe : Bobo, cfare skenari te poshter po pregatit Berisha me Xhozi budallacken dhe Bashen servil ??? Pamja dukej e qarte ata po pregatiteshin te vrisnin liderin e Opozites i dukur shume mire per shkak te gjatesise se tij. , por hesapet spo ju dilnin mbare se Rama ( shume i zgjuar per strategjine qe beri , se tani me siguri do te ishte i vdekur ) dhe shume te inatosur me opozitaret por qe nuk po i shihnin kurkund , filluan te shtinin ne popull, . Hajde Berishe hajde , krahasove nje peme te djegur apo nje makine me jete njerezish . Berisha duhet derguar ne gjyq , dhe ti jepet denimi i merituar per te gjitha keto qe ka bere per te shkateruar Shqiperine . Poshte Berisha – Topalli

Comments are closed.

Lini një Përgjigje