Rama: Nuk zbrapsemi!

22 Janar 2011, 11:59Politika TEMA
Rama: Nuk zbrapsemi!

Kryesocialisti akuzoi kryeministrin për vrasjen e katër demonstruesve duke u kërkuar ndërkombëtarëve të shohin atë që po ndodh në Tiranë, e që nuk ndodh në asnjë vend demokratik. Ai tha se “do vazhdojmë protestat, demonstratat tona, pa dhunë paqësisht urtësisht me fuqinë e pandalshme të rezistencës së popullit”

Kryetari i PS Edi Rama kërkoi dje nga drejtori i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj që të mos bllokojë urdhër-arrestet për 6 gardistët për të cilët prokuroria kishte lëshuar fletarrestim qenë mesdite, si të akuzuar për vrasjen e dy protestuesve dy ditë më parë. Kreu socialist theksoi gjithashtu se demonstratat nuk do të ndalen por theksoi se nuk do të ketë dhunë. “Apeli im për drejtorin e policisë së shtetit është të jetë drejtor, por jo ekzekutor i një pushteti që ka humbur çdo legjitimitet. Ndaj të mos bllokojë urdhër-arrestet e dhëna nga Prokuroria, port ë lejojë ekzekutimin e tyre. Ne do të ecim para me forcën e arsyes dhe jo të përdorim arsyen e forcës. Dje u keqpërdorëm barbarisht nga një polici e degraduar jo mbi protestues të armatosur që hidhnin gurë, por mbi protestues që kishin në dorë ombrella. Ne do vazhdojmë rrugën tonë, nuk do të zmbrapsemi në rrugën tonë…Ne do vazhdojmë protestat, demonstratat tona, pa dhunë paqësisht urtësisht me fuqinë e pandalshme të rezistencës së popullit. Unë u them se asgjë nga çfarë thotë e çfarë ndodh, ky pushtet i dalë mendsh dhe duarsh të çdo fuqie kushtetuese e ligjore, por është thellimi në një rrugë pa krye të kusarisë e matrapazllëkut, thellimi në zullumin që trashet e trashet, por që po i vjen ora pa dyshim”, tha dje Rama.

Deklarata e plotë e kryetarit të PS-së

“Tmerri i ditës së djeshme që doli me zë e me figurë, ashtu siç qe një dënim me vdekje pa gjyq e as faj për demonstrues pa asnjë rrezikshmëri për askënd e asgjë, por vetëm pse ishin opozitarë, është pjesa më tragjike e një kapitulli të krimit shtetëror që mori jetë njerëzish. Po nuk është e vetmja pjesë e patolerueshme e sjelljes së dhunshme të regjimit të kusarisë e të matrapazllëkut, që ne e dënojmë me të gjithë forcën e zemrës e të mendjes. E përballë të cilit ne do të qëndrojmë me të gjithë forcën e zemrës e të mendje.Një tjetër pjesë është ajo e rrahjeve dhe ndalimeve të dhunshme të dhjetëra qytetarëve nga një polici e keqpërdorur siç nuk ndodhte prej shumë kohësh. Janë të shumta rastet e familjarëve që nuk kanë asnjë të dhënë për njerëzit e plagosur e të ndaluar, jo vetëm në vendngjarje, por edhe në autobuza me argumentin se plagët e tyre të dukshme dëshmonin pjesëmarrje në demonstratë dhe faj.Keqpërdorimi i policisë ka sjellë edhe plagosje policësh të pafajshëm, të cilëve u shpreh të gjithë solidaritetin tonë dhe keqardhjen e thellë që dëmtuan fizikisht për shkak të një operacioni kriminal të pushtetit, me qëllim dhunimin e opozitës përmes provokimit deri në fund të demonstruesve për të justifikuar deri edhe përdorimin e armëve të zjarrit mbi trupat e tyre. Asnjë polic fatmirësisht, s’është plagosur me armë zjarri, tre demonstrues janë vrarë me armë zjarri, një i katërt është në agoni dhe tre të tjerë kanë plagët e armëve të zjarrit në trup. Kjo mjafton, kaq mjafton për të kuptuar fare qartë se kush i kishte armët, se demonstruesit nuk ishin as bandë e armatosur, as grup kriminal, as pjesë e ndonjë skenari për të pushtuar institucionet, si në vitin e mbrapshtë ’97, ndërkohë që kryeministria i kthye në një llogore grykësh duke nxjerrë në pah plotësisht dorën kriminale të këtij regjimi vrastar kusarie e matrapazllëku.

Kam diçka për të thënë me këtë rast edhe për të gjitha gojët e lidhura me gurmazin e ndyrë të Saliut, që dje i’u sulën opozitës si gjahtarët e shtrigave të kohës së Enverit nga të gjitha ekranet ndërsa sot kanë mbushur gazetat me gulçima mjerane antiopozitare. Jo vetëm për gojët e kusarëve të regjimit, po edhe për ato të prapashtesave të këtij regjimi në hapësirën e debatit publik. Në emër të një Evrope të cilën mediokriteti agresiv i këtyre shërbëtorëve profesionistë të çdo regjimi në fakt, e identifikon me surratin e pushtetit, ata dënojnë opozitën për dhunë dhe nuk thonë asnjë fjalë për vrasjet që në Evropë konsiderohen krime shtetërore të paimagjinueshme. Zoti i ndihtë në verbërinë e tyre, por unë u kujtoj se demonstruesit europianë nuk qëllohen me plumba as në protesta shumë më jopaqësore sesa ajo e djeshmja e të vrarëve, të plagosurve, të rrahurve e të ndaluarve për një shprehje proteste që në Evropën e protestave do të garantohej nga policia pa asnjë problem. Demonstruesit europianë nuk vriten as kur hyjnë në parlament siç bënë në Romë, as kur djegin e shkatërrojnë vlera kolosale materiale siç kanë bërë në Paris apo në Londër vetëm pak javë më parë, as kur mbajnë një vend të tërë në shah mat me muaj siç bënë para pak muajsh në Greqi. Demonstruesit europianë respektohen dhe garantohen edhe pse protestojnë shumë më jo paqësisht sesa demonstruesit tanë, për gjera shumë më të parëndësishme sesa grabitja e zgjedhjeve, grabitja e pasurive të popullit apo gënjeshtrat si ato që pasuan kapjen e zëvendëskryeministrit kokë e këmbë në korrupsion. Gënjeshtra shumë më elegante kanë larguar njëherë e mirë nga politika perëndimore burra të mëdhenj shteti, jo laro si Meta e Saliu që duan ta vjedhin, tallin e pastaj edhe ta vrasin popullin e tyre për ta kthyer Shqipërinë në një bajrak të kusarisë e të matrapazllëkut. Europa dhe bota demokratike, Evropa dhe bota e ëndrrave tona, Evropa bota ku duam të bashkohemi bashkë me ata që na ka frymëzuar gjithnjë në përpjekje tonë, fal gjithçka po jo dhunën shtetërore mbi qytetarët që manifestojnë në emër të lirisë e të drejtave të tyre sepse Evropa dhe bota ku duam të integrohemi është e ngritur mbi këtë liri dhe të drejtë të qytetarit për të protestuar ndaj qeverisë së vet dhe mbi detyrimin e qeverisë për të garantuar qytetarin në protestën e tij, sepse Evropa dhe bota ku duam të integrohemi është e ngritur mbi parimin se qeveria varet nga populli jo populli nga qeveria.

Njësoj si me videon e kusarisë e matrapazllëkut, që u mohua egërsisht e paturpësisht, e që është një nga shkaqet e rezolutës qytetare mbarë popullore, ashtu dhe videon që talenti i spikatur dhe kurajës së rrallë të një gazetari të njohur të kronikës së zezë, e cila zbuloi para gjithë Shqipërisë dje e botës sot dorën vrastare që e ktheu demonstratën e opozitës në një tragjedi, e pasoi përsëri ulërima e zëvendësit të Saliu në Koalicionin e Turpit.

Ulërima e pushtetit të vjedhur për të vjedhur Shqipërinë, që ushtroi dje një dhunë barbare jo për të mbrojtur Kushtetutën, as për të mbrojtur institucionet, po e vetëm për të mbrojtur vetveten nga drejtësia. Po zëvendësi i Saliut s’ka më faj që gulçon ekraneve, tanimë është drejtësia që vonon të zbardhë të vërtetën e matrapazllëkut të tij me zë e m fugur, e cila e ka fajin për ulërimat e tij që vazhdon ti dëgjojë ky popull.  Ndërsa sot unë vazhdoj ripyes njësoj si mbrëmë:

Ku je Sali? Ku i ke provat e ndyrësive që nxore mbrëmë nga goja për opozitën, për drejtues të saj. Për mua personalisht, duke na akuzuar si vrasësit e të vrarëve që në fakt, ashtu siç e pa mbrëmë Shqipëria , me zë e me figurë dhe ashtu siç sot po e sheh tërë bota me zë e me figurë, janë viktimat e pushtllëkut të pakufishëm të pushtetit tënd të marrë fund?

Ku je Sali? Provat rrëqethëse ta përsëris, të nxorën lakuriq. E ke qef të madh këtë fjalë, po lakuriq nate ama, krijesë e verbër që nuk sheh dot dritën, nuk ballafaqohesh dot me të vërtetën e nxjerrë në dritë, nuk i reziston dot tundimit primitiv për të dhunuar këdo që thotë se nuk jeton dot në errësirën tëndë.

Ku je SAli? Edhe ky ishte montazh, edhe ky ishte sajim i një çakalli mediatik, edhe ky ishte komplot vizual i një çakalli mediatik, edhe ky ishte komplot vizual i Edi Ramës dhe opozitës bastarde për të mashtruar popullin që ti, zëvendësi yt, koalicion yt i turpit  e do aq shumë?

Përsërisim po ashtu thirrjen për Prokuroren e Përgjithshme: Një hetim i shpejtë, i plotë dhe i pavarur, është më shumë se asnjëherë  një emergjencë për interesat kombëtare. Ne e presim atë me qetësi e me shpresë pas dëshmisë së pastër e rrëqethëse të gazetarit kurajoz Artan Hoxha. Të cilin e falënderoj, edhe çdo ekran, gazetë e gazetarë, që ka zgjedhur të jetë në krahun e duhur të historisë, jo me Partinë Socialiste po me popullin shqiptarë, me Shqipërinë që është atdheu ynë i përbashkët, e të cilin nuk mund tja dorëzojmë Saliut.

Shqiptarë e shqiptare, sot është ditë zie. Në këtë ditë zie për tre të vrarë dhe me ankthin për jetën e një të katërti, policia e keqpërdorur e Shtetit sapo bëri një deklaratë për 113 të ndaluar që sipas kësaj policie të keqpërdorur sot, ashtu siç u keqpërdor mbrëmë dhe ashtu siç nuk keqpërdoresh prej vitesh, tentuan të hynin në kryeministri. Unë i bëj thirrje Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë të mos bëhet pjesë e skenarit ogurzi të orkestruar nga vetë Saliu, të vënë në jetë nga Lulëzim Basha dhe garda e një Republike të marrë peng nga bodigardë, horra e injorantë të shpurës së Saliut që qëllonin në mish njeriu në mes të Europës si në një pyll pa zot e as frymë njeriu. Çdo abuzim me ata 113 njerëz po shënohet edhe do dënohet, herët ose vonë, nga një drejtësi e drejtë, e lirë dhe e pavarur që do të fillojë me fundin e këtij regjimi kusarësh e matrapazësh. Me zgjidhjen e re, me futjen e procesit politik në binarët e vet, me zgjedhje  të reja në horizont dhe me rikthimin e normalitetit në jetën e të gjitha institucioneve, e mbi të gjitha me vendosjen aty ku qëndron në themelin e demokracisë të raportit të popullit me qeverinë, duke i rikthyer popullit të drejtën që të gjykojë qeverinë .

2 komente në “Rama: Nuk zbrapsemi!”

  1. andi says:

    Ne kete vend pushteti duhet te jete i limituar per kryeministrin.Drejtesia duhet te vetadministroj fondet qe perfiton nga gjyqet dhe sherbimet e tjera legale….policia dhe garda e shtetit nuk duhet te qelloj demostruesit …me plumba…ai gardisti qe shtiu cfare mendon ….se do ta mbroj saliu perjete…moren tre jete njerezish pa qene nevoja….te denohet ai komandant garde qe dha urdhe ai Dash…felliqesira.Te publikohet emri i tij ne media…

  2. AlbinoBlackSheep says:

    Nje pyetje per Z.Rama. Si do te mbrohemi nqs sulmohemi neser perseri nga snajperat dhe cubat e Sales? Misioni yt me i shenjte eshte mbrojtja e protestuesve.Gjaku yne nuk duhet te derdhet kot ne rruget e Tiranes se nuk eshte me pak i vlefshem se ai i Berishes.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje