Qeveria dhe Ministria e Brendshme kanë shkelur ligjin për uniformat e policisë. Teksa herë pas here kryeministri Sali Berisha dhe ministri Lulzim Basha deklarojnë se “Policia do të zbatojë ligjin dhe vetëm ligjin”, apo “Policia zbatoi ligjin në demonstratën e 21 janarit”, harrojnë se ata vetë janë shkelësit më të mëdhenj të këtij ligji.
Kryeministri shqiptar nuk e di se uniforma që mban aktualisht Policia e Shtetit është e jashtëligjshme e nxjerrë me vendim po të Këshillit të Ministrave, pasi uniforma e re ende nuk ka dalë. Pjesa më e madhe e efektivëve shkojnë në punë me uniformat e vjetra të dala jashtë ligjit disa vjet më parë, ndërkohë që efektivët edhe në demonstratën e 21 janarit para Kryeministrisë mbanin një uniformë të jashtëligjshme. Ministri Basha, sikurse paraardhësit e tij Bujar Nishani dhe Sokol Olldashi kishin premtuar se do të vishnin dhe ngjishnin policinë shqiptare, por në fakt nuk bën asgjë tjetër veçse anulimin e tenderave njëri pas tjetrit që prej vitit 2005 dhe deri më sot. Kur vjen puna për të mbrojtur institucionet këta efektivë përdoren si “mish për top”, kurse për pagat, orët suplementare, dietat dhe logjistikën, ligji nuk është i vlefshëm po aq sa për mbrojtjen e krerëve të shtetit.
Kryeministrit dhe ministrit i vjen keq për plagosjen e policëve në krye të detyrës, sepse zbatuan ligjin ashtu siç duhej, por nga ana tjetër nuk ngurojnë t’i nëpërkëmbin vit pas viti, duke mos u siguruar as uniformën. Tenderi i fundit ka qenë i shpallur në buxhetin e shtetit dy vjet më parë për 6,5 miliardë lekë, por çuditërisht u çua deri në 11,7 miliardë lekë që nuk dihej se nga do dilnin dhe që pas plasjes së skandalit tenderi u anulua menjëherë, pasi u kap përpjekja për vjedhje nëpërmjet njoftimit në AKP. Ku shkuan këto para të destinuara për policinë shqiptare, për çfarë janë përdorur dhe përse nuk e mbajti premtimin ministri Basha, duke mos dhënë as sqarime për këtë skandal?. Ai premtoi se “brenda vitit 2010 policia do vishet me uniforma të reja”, por tani jemi në vitin 2011 dhe policët ende mbajnë veshur një uniformë të paligjshme. Sepse vetë Këshilli i Ministrave e ka nxjerrë jashtë ligjit vite më parë me firmë të kryeministrit, ministrit dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Dhe nëse vetë nuk e besojnë këtë informacion, le t’i shfletojnë vendimet në KM që kanë marrë për uniformën e policisë, pasi kanë miratuar uniformën e re të saj, me shenjat, përmasat, ngjyrën etj., por kjo uniformë e re ka vite që nuk po duket, përveç atyre ceremoniale.
Comments are closed.
Uniformat i griu Luli dhe i bleu pirunj.