Berisha, dorëzo gardistët!

1 Shkurt 2011, 11:51Politika TEMA

Nga Ermonela Felaj

Deputete e PS

Sali Berisha vazhdoi dje të fliste për puçe imagjinare, për çadra e stilolapsa pistoleta, për thika me helm e armë të sofistikuara, duke e thelluar me çdo fjalë e akuzë që hidhte edhe më tej krizën e rëndë ku ka rënë vetë e ku ka futur dhe vendin.

Sali Berisha flet për puçe, por i vetmi puç që po ndodh sot në Shqipëri është ai i regjimit të matrapazëve e kusarëve që drejton Saliu i cili sot po sulmon çdo institucion të pavarur që ka mbetur në vend.

I vetmi puç që po ndodh në Republikën e Shqipërisë është injorimi i Prokurorisë nga Sali Berisha që refuzon të dorëzojë 6 gardistët që mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për 3 jetë të pafajshme e për shumë të plagosur nga plumbat e qëlluara në mënyrë kriminale kundër protestuesve jashtë kompleksit të kryeministrisë.

I vetmi puç që po ndodh sot në Republikën e Shqipërisë është sulmi primitiv e i papranueshëm i regjimit të Saliut kundër Prokurorisë e sistemit të drejtësisë për të shpëtuar togën e vrasësve të Gardës Republikane që vrau shqiptarë të paarmatosur e të pafajshëm sepse guxuan të protestojnë kundër Saliut.

Sali Berisha duhet të dorëzojë menjëherë përpara drejtësisë të 6 gardistët që vranë e plagosën shqiptarë të pafajshëm. Çdo përpjekje për të folur për marrëveshje të trilluara për të lënë gardistët të lirë dhe çdo tentativë për të fshehur krimin që këta 6 gardistë kryen për hesap të Sali Berishës është thjesht e kotë.

Ne kërkojmë që Policia e Shtetit të dorëzojë menjëherë të 6 gardistët tek organet e drejtësisë, jo pse këtë e kërkon opozita, jo pse këtë e kërkojnë familjet e të vrarëve e të plagosurve, jo pse këtë e kërkojnë shqiptarët që nuk mund t’i tolerojnë kurrë vëllavrasësit mes tyre. Policia e Shtetit duhet t’i dorëzojë të 6 gardistët përgjegjës për tragjedinë e 21 janarit sepse këtë e kërkon ligji.

U kujtojmë po ashtu drejtuesve të Policisë së Shtetit se përgjegjësia për moszbatimin e kësaj kërkese të sistemit të drejtësisë është dhe do të mbetet e tyre, dhe se bëjnë mirë të kujtojnë pasojat e rënda penale që bart ky refuzim për të gjithë ata. Drejtuesit e Policisë së Shtetit duhet ta dinë se zbatimi i urdhrave politike të Sali Berishës nuk ka për t’i shpëtuar ata nga përballja me ndëshkimin e rëndë që parashikon ligji për këtë shkelje flagrante që po konsumojnë. Le të mos i gënjejë mendja këta zotërinj se do të mund të fshihen pas alibisë së urdhrave të të ashtuquajturit kryeministër.

Lini një Përgjigje