Shkelja e pavarësisë së institucioneve duhet të përjetohet si një katastrofë

2 Shkurt 2011, 20:10Politika TEMA

Nga Ismail Kadare

Eshtë pak të thuash se mbyllja e vitit që shkoi nuk ishte e mirë për shqiptarët. Dhe, si të mos mjaftonte kjo, në kundërshtim të plotë me urimin « na qoftë i mbarë ky vit », fillimi i vitit 2011 ishte edhe më i keq.

Pa u zbehur ende kujtimi i festave, normaliteti i jetës shqiptare u prish. E kjo nuk është aspak një fjalë goje. Normalitetin e jetës e prish lufta, katastrofa natyrore, por mbi të gjitha njeriu vetë, kur nuk është normal.  Një specie e tillë njerëzore e përfton normalitetin si diçka të huaj, madje të rrezikshme. Ndaj në rastin më të parë përpiqet ta shkallmojë atë.

Eshtë e njohur tashmë se një vend jo normal sundohet « mirë », por qeveriset keq. Këtë të vërtetë e njohin sidomos  sistemet totalitare, qysh nga diktaturat hidrike (ato që kanë përdorur mungesën e ujit si mjet sundimi), gjer në ditët tona. Vetëm në rende të tilla, që dalin nga rendi normal i gjërave mund të krijohen psikoza të sëmura, ato që lindin pastaj ankthet dhe terrorin, shenjat e pashmangshme të sundimit tiranik.

Në mesazhet e panumërta që vijnë këto ditë nga Tirana, për t’u shpërndarë anekënd në diasporën shqiptare, rrallë herë mungojnë shenja të tilla.  Të gjithë popujt e ish-Lindjes janë tepër të ndjeshëm ndaj tyre. E në këtë kah do të ishte e kuptueshme që shqiptarët, ata që tiraninë e patën më të egrën e më të zgjaturën, do të ishin dyfish më të ndjeshëm. Në ngjarjet e janarit, midis psikozës dhe veprimeve shpesh kaotike, ata do të kapnin spikamën e fantazmës së totalitarizmit, rendit të përmbysur 20 vjet më parë.

Ishte, me sa dukej  ky , shkaku kryesor që, në këtë janar të trishtë, trazimi ishte aq i thellë  e aq dëshpërues. Këto rrjedha njerëzore, për të cilat është lehtë të thuhet, të mos dalin më, të mos shfaqen, të mos na shqetësojnë, nuk mund të anashkalohen. Në mos u shfaqshin në rrugë, ato do të jenë në thellësi, çka ëshë edhe më shqetësuese. Në qoftë se ato nuk ngjiten dot gjer tek institucionet, ku, sipas dokeve të demokracisë europiane do të duhej të çonin normalisht zërin e tyre, institucionet duhet të zbresin tek ata, për të kuptuar ku ka ngecur makina e demokracisë, përse mesazhet nuk kalojnë, shkurt, përse sistemi është bllokuar.

Në një gjendje të tillë është e kuptueshme, madje është një nga shenjat e pakta të mira, që qindra, për të mos thënë mijëra njerëz janë duke marrë pjesë në një rrahje të madhe mendimesh, në mjediset publike,  në shtypin e shkruar dhe atë elektronik. Ata japin gjykimin e tyre për ngjarjetr që kanë ndodhur, e sidomos për ato që  mund të ndodhin më pas.  Pavarësisht nga idetë e drejta apo të gabuara, nga pasionet, motivet apo stili i ndërhyrjes, ky trazim i madh njerëzor  tregon se qytetarët i përjetojnë si të tyret çështjet, hallet,  dramat e republikës.

Ky shkrim bën pjesë në këtë rrahje mendimesh, pa mëtuar asgjë më tepër. Eshtë thjesht një lloj interviste, përgjigje për disa pyetje, me të vetmin ndryshim se ato nuk janë bërë prej ndonjë gazetari, por prej një shumice lexuesish, nëpërmjet letrash, mesazhesh , bisedash dhe telefonimesh të shumta gjatë këtyre dy javëve.

Ka gjasë që për gjëndje të tilla jo të zakonshme, prej një intelektuali , e aq më tepër prej një shkrimtari të priten përgjigje jo fort të zakonshme, nga ato që cilësohen si origjinale. Duhet thënë se në këtë rast vështirë se mund të ketë të tilla. Këtu nuk jemi në art. E keqja shoqërore, ku hyn edhe kriza e tanishme, për fat të keq, rrallë herë mund të jetë origjinale. Zakonisht ajo është e përsëritur, e lodhshme dhe shpesh e mërzitshme  gjer në dëshpërim.

Padurimi dhe nervozizmi politik në Shqipëri kanë kapërcyer kufijtë e lejueshëm. Me to është bashkuar paniku, i cili e ka bërë më të rrezikshme gjithçka. E keqja është se klasa politike, ajo që duhej të ishte e fundit që të kapej nga paniku, ishte e para që u përfshi prej tij.  Si rrjedhojë e kësaj , shteti dhe shoqëria shqiptare u gjendën  në pozitën e atij  të sëmuri që, pasi e ndien se po dridhet ethesh, në vend të vejë termometrin, e thyen atë.

Termometri  thyhet kur i sëmuri nuk dëshiron të marrë vesh sëmundjen ngaqë ai e di atë. Për të mos thënë se sëmundja është ai vetë.

Ndoshta këtu do të gjendej përgjigja e pyetjes se përse në Shqipëri lufta politike është kaq e egër. Ka gjasë që dy dukuri të jenë vendimtare për këtë : etja e pamasë për pushtet dhe korrupsioni.

Dihet se të dy këto lëngata janë tepër të njohura e po aq të vjetra në historinë e njerëzimit. Mund të thuhet se luftën e gjatë me to, falë faktorëve drejtpeshues, njerëzimi nuk e ka fituar, por as e ka humbur.

Ndërkaq, në rrethana të caktuara, kur dufi për pushtet dhe korrupsioni lidhen me njeri-tjetrin, ashtu si në klonimet që prodhojnë monstra,  përzjerja që del prej kësaj lidhjeje mund të jetë fatale. Duke u kushtëzuar e duke e zënë peng njeri-tjetrin ata e kanë vështirë të ndahen sipas kalendarit dhe zakoneve të demokracisë.

Me sa duket kjo përzjerje ka ndodhur në Shqipëri gjatë këtyre viteve të tranzicionit.  Dhe kështu shpjegohet që në jetën tonë dramaciteti shfaqet aq shpesh, aty ku nuk e ka as vendin e as arsyen.

Nuk ka qenë rrufe në të kthjellët, por ka ndodhur vit pas viti e stinë pas stine mu në sytë tonë.

Psikoza e rënduar do të pillte çoroditjen e mendimit, e kjo shthurjen e gjuhës, zvetënimi i së cilës na befasoi të gjithëve  veçanërisht këtë dimër. Ajo që njihet si krizë e retorikës, është më shumë  se aq. Kërcënime, mallkime, kërcitje dhëmbësh, thirrje për dyluftim, të gjitha këto u bënë të zakonshme në jetën shqiptare. Hapësira e jetës normale ngushtohej përherë e më fort nën këtë  trysni.

Në këto kushte njeriu normal,  që ndihet qënia më e pambrojtur midis jonormalitetit do ta kishte të vështirë të parashtronte ndonjë program mirëkuptimi, pa le pastaj idenë e një zbutjeje a të një kompromisi, mesazhe  që ishin të lejueshme veç për ambasadorët e huaj apo të dërguarit e Brukselit.

E tillë ishte atmosfera në ditën e   21 janarit, kur në skenën politike hyri vdekja.

Në skenë do të thërres vdekjen.  Fjalët janë të Shekspirit, mbi kateër shekuj më parë, në kohën që dramaturgu bëhej gati të shkruante tragjeditë më të zymta të tij. Ne s’jemi në teatër, e aq më pak në vitin 1600.  Ne jemi në fillim të vitit 2011, në qendrën e kryeqytetit të një vendi europian, në prag të pranimit në aleancën më të emancipuar të popujve, me vullnetin tonë për të qenë pjesë e familjes.

Më 21 janar, gjatë një demonstrate, për fat të keq të dhunshme, u vranë me armë  tre njerëz të paarmatosur, pra të pafajshëm, qytetarë të shtetit demokratik shqiptar, e njëkohësisht tre qytetarë të ardhshëm të Bashkimit  Europian. Kjo e fundit nuk theksohet as për të mitizuar e as për të sublimuar këtë Bashkim, por për t’u kujtuar të gjithëve se ne, pa hyrë ende në këtë shtëpi të përbashkët, kemi cënuar programin e saj, atë program që me sinqeritet dhe përkushtim e kemi shpallur si programin tonë.

Një pyetje e pashmangshme del në këtë rast :  na duhet ndërhyrja e vdekjes ,  që ne të jemi seriozë ? Dramaturgut i duhet vdekja për të thurur dramën e tij, tiranit për të ridëshmuar forcën, sidomos kur ajo po e lë, po shtetit demokratik përse i duhet ? Për t’i kujtuar publikut devizën famëkeqe të Kaligulës : Oderim dum metuant . (Le të më urrejnë, veç të më kenë frikën) ?

Ka kohë që  pyetja për seriozitetin duhej bërë ngaqë ka kohë që kjo po ndodh e ne vazhdojmë të mos jemi seriozë.  (Komedia e gjyqit të Gërdecit, zvarritjet,  dredhitë  janë më keq se një shuplakë që i bëhet haptas dinjitetit publik. Ajo bën pjesë në modelin që prej kohësh i propozohet këtij vendi, për të mos marrë seriozisht asgjë).

Ka kohë që ky « banalizim i së keqes », siç është cilësuar, po rreh të modelojë moralin shqiptar. Formula bazë të jetës demokratike : nderimi për institucionet dhe pavarësinë e tyre, rreh të  kthehet në një shprehje të zbrazët, nga ato që hyjnë në njerin vesh, për të dalë nga tjetri.  Rrjedhimisht ngjarje të rënda si kriza institucionale, bëjnë jo më shumë përshtypje se një breshër i përkohshëm.

Shqipëria duhet të përgatitet për t’i thënë ndal  një përçudnimi të tillë. Duhet pranuar se kjo s’është as e thjeshtë e as e lehtë. Kërkon vullnet pa dyshim, po në radhë të parë kërkon bindjen e thellë që demokracia shqiptare, ajo që në të vërtetë është e pandarë sot nga Shqipëria , duhet marrë seriozisht.

Për t’u kthyer tek ngjarja e 21 janarit, duhet kujtuar se në historinë e popujve, ajo që njihet si trajtim, si « administrim i së keqes »,  ka qenë shpesh faktor për zhvillime të mëtejshme. Ato kanë qenë për të mirë ose për të keq.  Me ç’duken shenjat , trajtimi i ngjarjeve të fundit, kulmimi i të cilave ka qenë vrasja e qytetarëve, nuk po shkon në kahun e duhur. Ajo rend në kahun e gabuar, madje   në vend që të fashitet, thellohet.

Natyrisht që ka pak gjasa që një grindje kaq e gjatë të ndreqet me pajtim të shkurtër, sipas stilit vulgar të pijetoreve, kur kërcënimet tmerruese përfundojnë befas në përqafime sentimentale, po aq pa vend sa ç’kishin qenë kanosjet. Askush nuk e pret dhe as e beson këtë telenovelë. Në qoftë se presim diçka të ngutshme, si hap i parë serioz dhe i besueshëm do të ishte hetimi krejtësisht i pavarur. Hetimi dhe natyrisht dënimi i fajtorëve do të ishte i domosdoshëm si hap i parë, por jo i mjaftueshëm. Një proces tjetër, që do të ndihmonte, në mos në prerjen, në shterrimin e hap-pas-hapshëm të pezmatimit shumëvjeçar, do të ishte po aq i detyrueshëm.

Eshtë thënë dhe herë tjetër se, në rastin e krimit të mirëfilltë, krimit numër një njerëzor, vrasjes së njeriut prej njeriut, për ndërprerjen e befasishme të tij, shpesh vihet në veprim ajo që quhet « zënia e gjakut ». Eshtë një dukuri e pashpjegueshme, jashtë arsyes, me të drejtë e cilësuar  si ndërhyrje misterioze e natyrës ose e hyjnisë.

Për fat të keq, në jetën politiko-shoqërore një mekanizëm i tillë nuk ekziston.  Nuk ka frenim natyral për krimet politike, për shtypjen, tiraninë, shkallëzimin e së keqes shoqërore. Njerëzimi, si i vënë në provë, është i detyruar që ai vetë të shpikë mjetet  mbrojtëse.

Historia e demokracisë është, ndër të tjera, historia e krijimit të këtyre  mekanizmave.  Kultura politike, kultura në përgjithësi , idetë humaniste, filozofia, arti, ligjet, kushtetutat, gjithë doket e qytetërimit bëjnë pjesë në të. E mbi të gjitha, institucionet e pavarura. Janë ato që ndodhen në vijë të parë për kontrollin dhe frenimin e kësaj makine  aq të nevojshme  e njëherësh të bezdisshme, me emrin shtet.

Për mendësinë shqiptare, institucionet e pavarura, për arsyet që dihen, ende nuk e kanë as peshën e as hijen e shtetit. Nuk ka hymne për to e as rituale mbresëlënëse, megjithatë janë pikërisht ato, më saktë nderimi për to që përcakton të ardhmen tonë. Ndaj nuk është e tepruar të thuhet se shkelja e pavarësisë së tyre duhet të përjetohet si një katastrofë.

Fakti që në Ballkan ka sot dy shtete shqiptare, të cilët në një mënyrë ose në një tjetër ndikojnë dhe rrezatojnë tek njeri-tjetri, përgjegjësinë e politikës dhe të strategjisë shqiptare e bën të dyfishtë.

Shqipëria hyn ndër shtetet e vegjël të Europës, por si shtet i parë historik i shqiptarëve, rrjedhimisht qendër e hapësirës shqiptare në Ballkan, pesha e saj i kapërcen dukshëm përmasat e saj.

Që vendi ynë është  më i rëndësishmi për ne ngaqë është i yni, kjo nuk përcakton rëndësinë objektive të tij. Dihet se kjo e fundit varet nga faktorë të tjerë, kryesisht nga skajimi i saj në pejsazhin politiko-strategjik në gadishull, dhe natyrisht rolin që luan.

U bë një luftë në Ballkan, nga ato për të cilat thuhet « u tund bota ».  U cilësua kjo si « luftë morale », tepër e rrallë në histori, dhe në të vërtetë ashtu ishte : luftë kundër një masakre, një shpërnguljeje, një tmerri, në emër të mbrojtjes të së drejtavze njerëzore. Shqiptarët u gjendën në qendër të saj, ndaj e thënë shkurt, lufta u bë për ta. Si rrjedhojë harta e Ballkanit , dhe jo vetëm harta, ndryshoi. Në një këndvështrim më të epërm kjo luftë pak a shumë mund të quhej : rivendosja e një drejtpeshimi të prishur.

Pas kësaj, ishte e logjikshme që shteti historik i shqiptarëve të merrte vetvetiu një rol stabilizues në gadishull.  Po aq sa ç’ishte e pritshme që Serbia e ndëshkuar të merrte rolin e kundërt : ta prishte drejtëpeshimin. Ajo do të bënte çmos ta kthente kokëposhtë këtë gjendje. Të vërtetonte se ndërhyrja europiano-amerikane, ajo që me krenari ishte quajtur morale, s’kishte  qenë e tillë. Që prodhimi i saj, shteti i ri i Kosovës,  qenë një dështim. Se veç rikthimi në gjendjen e vjetër , do të kthente normalitetin.

Për këtë Serbia do të përdorte çdo mjet. Raporti i famshëm i organeve, në thelb zëvëndësimi i një ngjarjeje historike, me një rrëfenjë sensacionale me vampirë, të ngjashme me mitin e vrasjeve rituale, akuzë e njohur kundër  hebrejve, ishte njera nga përpjekjet.

Kosova dhe Shqipëria u gjendën të papërgatitura. Gjykimi gjakftohtë ka munguar. Gjykimi gjakftohtë është rrjedhojë bindjesh dhe jo çoroditjesh emocionale. Dhe bindja vjen nga e vërteta. Ajo , në këtë rast, do të diktonte përgjigjen e duhur. Edhe sikur ngjarja të ishte e vërtetë, ajo s’mund të ndryshonte asgjë në tablonë makabre të dhjetëra viteve shtypjeje, terrori shtetëror, përdhunime e masakra të papara në Europë, në këtë gjysmê shekulli.  As historia, as portreti i popujve, e aq më pak qëndrimet politike, nuk ndryshohen nga krime kanibaleske, që ndodhin sot e kësaj dite në Londër, në Tokio a në Berlin, ashtu siç njofton shtypi. Kanibalët shqiptarë, në këtë rast, nuk ka pse të kenê ndonjë trajtim të ndryshëm nga kolegët e tyre parizianë opo berlinezë. Ndaj përgjigja duhej të ishte : hetoni dhe na ndihmoni t’i kapim.  Përpara se të jenë armiqtë e dikujt, ata janë në radhë të parë armiqtë e kombit, që fatkeqësisht i ka pjellë.

Por gabimi është bërë mê parê në Shqipêri dhe sidomos në Kosovë. Ajo tablo kolosale e krimeve, që u përmend më lart, nuk u dëshmua në masën që duhej , prej atyre që e kishin këtë detyrë : intelektualëve në radhë të parë, historianëve dhe akademikëve. Këtë mungesë e paguan sot i gjithë kombi shqiptar.

Vizioni i epërm, i plotë i gjërave nuk është ndonjë luks, por cilësi e domosdoshme e klasës politike. Nuk mund të ketë rol stabilizues Shqipëria në gadishull nëse brenda saj nuk gjen dot rrugët e nevojshme të zgjidhjes së problemeve. Rrjedhimisht , çka kujton se fiton jashtë kufijve të saj, e humb aty për aty brenda vetes.

Eshtë hera e parë në historinë e saj që Shqipëria gjendet në një skajim të tillë të ndërlikuar. Ngjarjet e kohëve të fundit në Mesdhe, treguan se shtetet me një zhguall të pranueshëm, që iu lejon të kryejnë ca detyrime ndërkombëtare të gjykuara pozitive, nuk mund të vazhdojnë më atë rol nëse brenda tyre punët nuk ecin.

Pa bërë krahasime me to, mund të thuhet se një kundërthënie e tillë sa vete bëhet e bezdisshme tek ne. Shqipëria nuk mund të vazhdojë të ketë dy pamje : një për brenda, tjetrën për jashtë. E aq më pak dy thelbe : njerin të pranueshëm për Europën e Bashkuar, e tjetrin jo. Ato s’mund të bashkëjetojnë gjatë. Një ditë njera do të bjerë e ne do të gjendemi në një krizë të pashembullt , më të rëndë se kjo. Ngjarjet e janarit të këtij viti ishin një paralajmërim .

Gjatë gjithë këtij muaji është folur shpesh për ndërkombëtarët. Për rolin që duhet të luajnë ose të mos e luajnë në jetën tonë. Për ndërhyrjet që disa i quajnë të pamjaftueshme, e disa të tepruara, sipas volisë politike të çastit.

Marrëdhëniet tona me ndërkombëtarët dëshmojnë paqartësinë, mungesën e parimeve, shkurt, ankthin tonë të pafund.

Ne jemi në një aleance europiane. Një aleancë nuk është një idil me baresha e me fyej. Në botën tonë të ashpër një aleancë është, para së gjithash, një shtab në gjendje alarmi , ku midis aleatëve  mund të ketë edhe acarime, edhe moskuptim, por gjithmonë për parime të mëdha.

Ne e kemi pranuar këtë gjendje. Kjo aleancë është shansi i vetëm  i një populli tepër të vetmuar. Një ngecje te pragu i Europës, ose më keq, një përplasje portash në fytyrë, ka gjasë të shënonte fundin e rrugëtimit tonë në histori.

Në kohën tonë janë tepër të rrallë popuj që mund të kenë histori të veçuar nga të tjerët. Ka kohë që fatmirësisht historia jonë nuk është më e tillë. Ajo është histori shqiptare e njëherësh shqiptaro-europiane.

REMOTE_ADDR:[]

18 komente në “Shkelja e pavarësisë së institucioneve duhet të përjetohet si një katastrofë”

  1. huri says:

    NESE EDHE KESAJ HERE DEMOKRACIA NGEC,ATEHERE NUK NA E KA FAJIN ASKUSH VEC VEHTES TONE.TAMAM ,SHQIPERIA NUK MIND TE VAZHDOJE ME DY SURRETER,NJE SURRAT PER NDERKOMBETARET DHE SURRATI TJETER PER NE TE GJORET.A E SHIKONI SI BEHET SALI MASHTRUESI PARA TE HUAJVE,SI PIKPYETJE ,SA NUK I BIE PERTOKE HUNDA.KURSE PARA NESH ZGERDHESHET,SKERMITET,BILE TASHTI SE FUNDMI BEN KOMIKUN E BILE EDHE BUDALLAIN.TA SHPORRIM KETE KERME NGA MESI JONE.SA ME SHPEJT ,AQ ME SHPEJT DO JEMI SI GJITHE EVROPA.TA HEQIM NGA ZVERKU KETE MOSTER ME GJITHE JUNTEN E TIJ TE MASKARENJVE…

  2. mendertafuti says:

    Ke te “drejte” o Kadare.Me akademizmat e tua dhe atyre te Evropes eshte i ngopur ky popull.
    Sot behet fjale per nje operacion te dhimshem,te thelle dhe per kete nuk mjaftojne moralizimet e merziteshme.Sot duhet thene gjerat me emrin e tyre te vertete pa pasur frike se kjo ose ajo gjysem e partive politike,intelektualeve apo popullit milet do te revoltohet ose “gezohet” nga analiza Juaj mor zoteri.Qe parashikimet dhe paralajmerimet e tua te kene njefare efekti duhet folur troç:Po deshi ky popull te mos mbesi ne zgrip te historise perjete duhet qe antagonizmi i shemtuar ndershqiptar te zbutet pak he per he,si fillim i nje procesi te tere zbutjeje,vetkuptohet.Dhe hapi i pare imediat ne kete drejtim eshte menjanimi nga vendimmarrja politike e Sali Berishes,zjarrvenesit dhe nxitesit te ketij antagonizmi qe po e çon ne gremine kete popull akoma evropian.
    Hapat e tjere pastaj do te jene me te lehte.
    Keshtu duhet folur zoteri,e jo me gjuhe Ezoperish,evropianesh,amerikanesh apo kadareistesh!!!

  3. Epirioti says:

    Shyqyr qe folet edhe ju me ne fund zoti Kadare! Shkrim-analize shume e bukur dhe e sakte. Keni kapur vertete cdo aspekt dhe e keni gjykuar me shume pene, sic dini ta beni gjithmone. Mirepo ka nje te mete te “vogel” fare ky shkrimi juaj. Eshte pak i vonuar ne kohe. Them i vonuar se gjithcka dnodhe sot eshte “investim” i 20 viteve injoranci nga politika fshatare shqiptare dhe nga investimi i madh nga serbo-greket dhe arabet nen syrin me katarakt te europes. Atehere duhej te ngrihej zeri. Hitleri nuk ishte i fuqishem, fuqine ia dha europa me tolerimet e njepasnjeshme e vit pas viti. Edhe Sali Gjeja e gjalle ka pas gjithmone shume pak mbeshtetje ne populle shume ne europe. Misioni juaj do te ishte, gjithmone ne nder te Shqiperise, te ushtronit pa droje emrin dhe reputacionin tuaj, si dhe te shume akademikeve te tjere te vendit, per te denoncuar dhe frenuar qe ne fillim filiza gjenetikisht te modifikuar. Merita e nje intelektuali me peshe boterore eshte vizioni i tij per ate qe logjika sjelle nga veprimet aktuale te individeve te semure si Sali Berisha. Sot ne ne Shqiperi nuk ka peshe fjala e asnje akademiku sepse ata nuk reaguan kur duhej, sot vendi nuk ka inteligjence, pasi ajo Akademi e Shkencave e rrudhi punen e saj derisa u katandis ne nje kafene veresie. Sot Shqiperia ndjehet me e rrezikuar se kurdo, jo nga armiqte tane tradicional se ata vazhdojne me te njejtin ritem, por nga mosshkollimi, mungesa e cilesise se saj, zhdukja e elites intelektuale qe kane emigruar ashtu si edhe ju. Me lejo te ta them, edhe pse nuk me pelqen. Sistemi i Enver Hoxhes qendron shume me perpara se ky sistem anarkik qe sundon sot ne vend. Shqiperia po mburret ende me plejaden e intelektualeve te para ’90-tes, por c’alarm mund te japim pas 5 ose 10 viteve kur ne vetem po konsumojme e nuk po prodhojme me dije, intelektualizem, me nje fjale nuk po prodhojme me kulture, qytetari, respekt ndaj shtetit dhe ligjit. Mund te shkruaj edhe me shume, por jane bere persiatje keto analiza ku politikani shihet si akademik, si i ditur, si qytetar, si europian, gje qe eshte e kunderta ne realitet. Megjithate ju falenderoj per shkrimin tuaj, do ishte me keq po te mos shkruanit fare.
    Me mire vone se kurre!

  4. Elza says:

    Me ne fund, t’a degjuam dhe ty zerin z.Kadare.Je lindur e rritur ne kete toke shqiptare. Presim te kontribuosh me shume per kete popull.Por me mire vone se kurre,thote populli.

  5. nicolla disha says:

    Z. Kadare nuk ta lexova se qfare kishe shkruar, sepse me dukesh i merzitshem, edhe e kam per ofendime te lexoje rromanet e tua. kur shkruan perdore shume dorca dhe nuk ke guxim ti thuash berishes fajtore ose krimnel. thats why, but thank you anyway!

  6. MEMEDHETARI says:

    Dakord,z.Kadare!Ju e keni thene bukur:”Shkelja e pavaresise se institucionve duhet te perjetohet si nje katastrofe”…
    Por,me duket se e keni lene fjaline ne mes…Ju nuk po na tregoni se cfare te veprojme,si te dalim nga kjo katastrofe!
    Nuk eshte se ne nuk e dinim kete:Ne po e perjetojme katastrofe e shkuar katastrofes…
    Prandaj jemi ngritur ne kembe i madh e i vogel por e keqja ,sic e dini,eshte se AUTORI I KESAJ KATASTROFE eshte Kryeministri i vendit!!!!!!!!
    Cfare te bejme,z.Kadare me kete person te papergjegjeshem???
    Prisnim te na flisje me TROC!!!!
    Sidoqofte FALEMINDERIT!!!!!

  7. Fred.Dibrani.Hamburg says:

    I nderuar Zoti Kadare.Ju beni pjese ne ate ELITEN e shquar te intelektualeve,qe me vepren e tyre kane dhene nje kontribut te jashtzakonshem ne perhapjen e kultures dhe historise sone ne mbare boten.Ju jeni mjeshter i fjales,qe fatmirsisht eshte gdhendur ne disa vepra te pavdekshme.Ju jeni mjeshter i fjales qe FATKEQESISHT ju ka munguar shqiptareve ti degjonin prej gati 20 vjetesh qe kur ju morret vendimin me e braktis atdheun.Ju ma ne fund e morret mundimin Majesti tu thoni shqiptareve dicka.Por shqiptaret nuk ju kuptojne se ju nuk flisni burrerisht,ju nuk flisni thjesht,ju nuk flisni troc.Ju keni mbetur po ai GJENIU i fjales,por nje shqiptar i keq.Ju nuk flisni thjesht sic e ben kolegu juaj Rexhep Qosja.Ai flet shqip.Pena e tij e arte eshte kallashi ma i mire me largu Sali Berishen.Ju e keni akoma kete mundesi me e bere.Fjala juaj pritet akoma me padurim nga shqiptaret.AKOMA.Pra me lejoni tju LUTEM qe te beheni BURRE,me lejoni tju lutem qe tju dhimbset Shqiperia,me lejoni tju lutem qe te mos perseritet 1997,te mos perseritet Gradeci,te mos perseritet 21 Janari.Me lejoni tju lutem qe te thoni:Mjaft me Sali Berisha,ik se e shkaterrove Shqiperine.Mjaft me Sali Berisha shanci,jot politik morri fund.Bejeni kete gje Ismail Kadare.Tregoni qe ju dhimbset vendlindja jone,qe ju dhimbset ai popull qe po mjerohet e po vritet dita-dites.Ju siguroj se do tjua FALIM heshtjen e gjate.Alfred Vicishta Hamburg Gjermani

  8. rayz says:

    Z Kadare

    Shkrimi juaj tingellon si nje fjalim ne nje sesion shkencor a sipozium. Ne keto momente duhet te flisni me thjesht e me kuptueshem per popullin, si nje nga intelektualet shqiptare me te mire duhet ti thoni troc gjerat ashtu si jane dhe jo me dy kuptime pavaresisht nga pozicioni qe keni…..
    Merrni pak shembull nga Zoti Rexhep Qosja.

    Emigrant Los Angeles

  9. xenilirise says:

    U “vete demaskua” edhe nje tjeter PUTCH-ist…me sa duket ky eshte “IDEOLOGU” i tij!
    Sot e ne ditet ne vazhdim, dy vrimat anale te jashteqitjes se kombit, “Goja e Berishes dhe 55-sa e Bari Falliut”, do merren gjere e gjate me zhvillimin me te fundit, daljen ne skene te ideologut te veprimtarise puçiste.
    Do asistojme ne “hapjen spektakolare” te Dosjes K…
    Pune te mbare…

  10. driton says:

    Shkrime shume i mire dhe me vlere per shoqorine ,Shqiptare e cila nga pa pergjesija e poltikanave gjendet sot me nje rruge jo forte te mire.Te lumte zoetri ,Ismali Kadare.

  11. saimir says:

    I nderuar z.Kadare !Me lejo qe nepermjet ketij komenti modest te te uroje “gezuar ditlindjen”.Lexoj shkrimin tuaj te goditur dhe mbushem me oksigjenin e munguar keto 20 vjete!Lexoj e marr force per te qene edhe une pjese e ketij”Puçi” te mire keqtrajtuar nga nje fenomen qe tashme eshte bere problem i dites ne te gjithe familjet shqipetare!E teksa mendon se je pjese e ketij populli ,njekohesisht ndjen keqardhje e ripyet vehten se kush ishte e mira e kesaj kohe(20 vjeçare) qe populli e mirepriti e kerkoi te kontribonte per te aritur nje dite qe edhe ai te ishte pjestar i familjes Europiane me te drejtat e tij legjitime si pjese e ketij kontinenti!Mirpo paralel me keto shpresa 20 vjeçare kungulleshka e luajtur nja njerezit me te piset te ketij populli keto 20 vjete nepermjet lojrave te tyre te ndyra ,ku si objektiv ishte “miratimi e mbrojtja e konçesioneve te mafjes boterore” e nepermjet saj pasurimi galopant i nje grupi hajdutesh,te pa moral e me mungese te theksuar qytetarie e pergjegjesie bene te mundur çuarjen e vendit pse jo edhe drejt nje lufte civile(kujto 97).I nderuar Kadare ka ardhur koha qe shkrime te ketij niveli sikunder edhe ato te po nje akademiku si R.Qosja jane ushqimi me i mire per nje popull te etur qe syte ia ka mbuluar pluhuri i “Gerdecit”,qe veshet ja ka shurdhuar pellitja e kryegomarit shqipetar Sali,e qe mendjen ja kane mpire disa “diplomate” qe jane shquar ne fushat e tyre ku edhe jane specializuar e qe kerkojne te ngrysin karieren e tyre diplomate ne Shqiperi.Me behet qejfi kur nepermjet kesaj medie te shkruar me vjen nje mesazh nga te dy mendjet e ndritura te akademikeve te medhenj te ketij vendi qe per fatin tone te keq ndodhen ne nje pozicion te njejte me popullin persa i perket kendveshtimit se ku ndodhet shqiperia sot.E s’ka si te ndodhe ndryshe kur te dy shquheni nga ndjenja te larta civilizimi,kombetare,e morale paçka se nuk ndodheni ne te njejtin reshtim ku ma do mendja qe eshte vetem çeshtje e ndjenjave liberale nga njera ane e ndoshta te parit te gjerave me me nacionalizem nga ana tjeter,ku per kete mosperputhje nuk ka faje as te qenit nder i shqiptarise,e as niveli qe ju mbartni.Faj per kete eshte se Ju jetoni ne nje vend me kuptimin e vertete te fjales vend demokratik e qe per te keqen tone (nuk e di perse) ne i jemi larguar ketij vendi duke e kerkuar hyrjen ne Europe nepermjet pertej Atlantikut,e akademiku tjeter po kaq i nderuar sa edhe Ju ne nje vend qe eshte ndoshta me i izoluar persa i perkete jetes reale te n je vendi te mbarsur me jete te vertete demokracie.Se fundi edhe nje here me lejoni t’ju beje nje thirrje qe te dyve duke dashtur qe çeshtja kombetare t’ju bashkoje jo vetem me veprimet por edhe me mendimet paçka se edhe keshtu qe te dy i sherbeni kombit Shqipetar i cili ka nevoje shume per qytetarine tuaj,per ndjenjat tuaja,per atdhedashurine tuaj si dhe per mençurine pasi Shqiperia eshte ne nje udhekryq se sot te kater anet e tij te çojne ne drejtim te paditur.Behuni pjese e shpetimit te ketij vendi siç eshte bere edhe ne keto momente kryetari i opozites(le te themi pa hezitim)i cili i ka vene gjoksin perpara grykes se tankut Sali qe te vret diten e vjen te te pije kafene naten.Ju faleminderit

  12. eh ….kadare mbetesh nje gjigand je nje superfuqi intelekti per fat te mire tendin dhe per fat te keq tonin ndodhesh jashte hapesirave shqipetare.respekte dhe mirenjohje

  13. astrit cerma says:

    Si gjithmon,bukur z Ismail…Bukur…Por…Shume gjate ore byrazer…Shume gjate.Duhen prere drute shkurte sepse kjo soba jone…Nejse…U befshe 100 vjec…

  14. lilolabja says:

    Z KADARE u befshi dhe 100 vjeç!Je dhe do mbetesh per shume kohe te gjate gjeniu i letres shqiptare .Jemi me fat te madh si komb ,qe kjo toke lind nje gjeni si ju ,nje atdhetar si ju. Kontibuti juaj per çeshtjen Shqiptare eshte i pa çmueshem dhe urimi im eshte tju kemi ne mes nesh akoma dhe shume vjet .1000here faleminderit Z KADARE !

  15. dorand says:

    Zoti Kadare me inteligjencen e tij duhet te luaje nje loje me konstruktive ne shqiperi. Ai si nje figure e larte shqiptare te mos harrojme se zgjodhi rruken me te lehte e me te pafrutshme per popullin e vet. Ku ishte zoti kadare deri tani? Ka 20 qe ai popull po abuzohet e vritet e ai tani po kthehet nga rehatia frances per te na shpjeguar situaten me metaforat e shekspirit? Zoti kadare duhet ta kuptoje se me eksperiencen qe ai ka duke jetuar jashte shtetit mbase e ka harruar historine e shqiperise e cila tanime eshte mesuar duke sulmuar kryemisitrine e duke rrezuar pushtete. Po zoti kadare po ju rikujtoj se ne 97 ose 98 deri me 2004 e 2005-2006 nuk rrezikoje asgje duke hedhur qeverine por vetem ta ktheje ate vend prapa edhe 100 vjet sic jemi mesuar ta kthejme. por tani pervec asaj ne rrezikojme partneritetin ne nato revokimin e vendimit per vizat tejzgjatjen e pamase te marrjes se kandidatures per vend antar ne eu. Zoti kadare nqs po shikoni nje mundesi marrje pushteti tani qe po prononcoheni per shtyp athere une do tju pergezoja po ju lutem nqs mendoni te vini ne pushtet mos i hidhni benzine zjarrit te ndezur po mbani nje pozicion te denje per nje burre shteti perpara se ta humbni respektin qe populli ka per ju.

  16. rrapi-i-treshit says:

    DORAND punon gje ne shtet ti ?????

    1. dorand says:

      or mik une jam ne Amerike po car shteti. pse po pate opinion ndryshe me ty duhet me qene ne shtet?

  17. Renidi says:

    Nuk mund te rri pa ju falenderuar z.Kadare.
    reagimi juaj eshte nje fakt qe situata ne vendin tone nuk eshte fare e mire edhe pas 20-vetesh te rrezimit te asaj diktature qe ju e pershkruani me mire se te tjeret.
    Ju jetoni e punoni large SHqiperise,si JU kane jetuar dhe punuar edhe ne te shkuaren mjaft nga mendjet e ndritura te shqiptareve,nuk po citoj emra te tyre sepse Ju i dini dhe jam i sigurt se dini te thoni edhe me shume se te tjeret per ta ,me vjen natyrshem mendimi se eshte shqiperia vend i ndaluar per mendjet me te ndritura te saj ?,eshte populli i ketij vendi qe nuk i ka kuptuar dhe vazhdon te mos i kuptoje?,Apo keta njerez me mendje te ndritur nuk kane qene kaq mendje ndritur?
    Kushdo qe te jete e verteta nje gje e kemi vertetuar :gjithmone kemi demonstruar ne sy te gjith botes se armiku me i rezikshem i SHqiptarit eshte vete SHqiptari.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje