UPDATE- Presidenti Bamir Topi ka reaguar për ngjarjet e 21 janarit dhe për ato që kanë ndodhur më pas, duke përfshirë edhe sulmet ndaj prokurorisë, por dhe ndaj tij vetë. Presidenti ka thënë se përpjekja për nënshtrimin e drejtësisë do të ishte fatale. “Unë jam besimplotë se drejtësia do të dijë të kapërcejë këtë sfidë, ashtu siç pohoj se kjo është sprova më e madhe dhe historike për drejtësinë shqiptare. Nënshtrimi dhe frikësimi ndaj pushteteve të politikës do të ishte fatale për shtetin e së drejtës dhe demokracinë në Shqipëri. Suksesi dhe përballja dinjitoze me presionin e politikës do të rimëkëmbë besimin e humbur dhe do të kthente shpresën se Shqipëria ka një të ardhme të sigurtë demokratike dhe se institucionet janë të qëndrueshme dhe të pathyeshme ndaj presioneve të individëve. Fryma e ligjit dhe ligjeve që burojnë nga kushtetushmëria parlamentare mbi zgjedhjen e institucioneve të pavarura nga Kuvendi i Shqipërisë, mbështet pavarësinë e ushtrimit të pushtetit dhe jo vartësinë e tyre nga Kuvendi, apo nga mazhoranca zgjedhëse apo ekzistuese. Çdo interpretim ndryshe, nënkupton nënshtrimin ndaj atij që e ka zgjedhur dhe bindjen e verbër dhe në shkallën më të lartë ndaj tij,” tha Topi.
Sipas tij, pushteti politik për kërkon nënshtrimin e institucioneve demokratike. “Pushteti politik kërkon tkurrjen dhe nënshtrimin e institucioneve demokratike”, tha presidenti.
Topi pohoi se përgjegjësia e 21 janarit po përpiqet që të shpërndahet në institucionet e pavarura dhe demokratike. “Po përpiqen që të shpërndajnë përgjegjësinë e 21 janarit, duke sulmuar institucionet”, tha Topi.
Presidenti deklaroi se do mbetet zëdhënës dhe përfaqësues i qytetarëve. Ai shtoi se ata janë shumë më tepër se ata që frikësohen nga e vërteta e 21 janarit.
“Në një shtet demokratik, respekti ndaj ligjit dhe institucioneve përbën shpirtin e shtetit dhe moralin e shoqërisë. Qytetarët e Shqipërisë, sot qytetarë të denjë të një vendi të NATO-s, nuk mund të lejojnë që fryma e anti-ligjit të shtyjë vendin prej një rruge, prej së cilës jemi larguar prej vitesh. Unë flas dhe duhet të flas në emër të qytetarëve dhe jo në emër të partive politike. Presidenti përfaqëson interesat e të gjithë shtetasve dhe shtresave të shoqërisë. Unë mbetem zëdhënësi edhe i atyre që nuk ndihen të përfaqësuar politikisht, edhe i atyre, zëri i të cilëve nuk mbërrin tek veshi i politikanëve, edhe i atyre që janë të pakënaqur nga politika, nga qeveria apo opozita, pavarësisht se mund të kenë votuar edhe për to, edhe i atyre të cilët sot janë të përhumbur në mjegullnajën politike të pas 21 janarit. Dhe këta natyrisht që janë shumë! Shumë më tepër se ata që frikësohen nga e vërteta e 21 janarit, shumë më tepër se ata që përpiqen të shpërndajnë përgjegjësinë duke njollosur institucionet, shumë më tepër se ata që betejën politike për pushtet e fshehin nën petkun e qytetarisë dhe kërkesave të saj për liri dhe më shumë të drejta dhe barazi shoqërore,” tha Topi.
Presidenti ka zbardhur edhe një pjesë të komunikimit të tij me kryetaren e Kuvendit. Sipas Topit, kjo e fundit i ka kërkuar të ndërhyë në një institucion të pavarur. Më poshtë pyetje- përgjigjet e konferencës për shtyp.
Televizioni ‘Klan’: Zoti President, kemi dëgjuar Kryeministrin e vendit të thotë që në 21 janar, kur Selia e Kryeministrisë ishte rrethuar për rreth 5 orë nga protestuesit, ju nuk keni kontaktuar me të. Në të vërtetë, pse ka munguar komunikimi me Kreun e Ekzekutivit? – pyetja e parë. Pyetja e dytë: Ndërkohë që po afrojnë zgjedhjet e 8 majit, kemi parë deklarata të përfaqësuesve të opozitës që thonë se nuk do të bëhen pjesë e këtyre zgjedhjeve. Ata shohin vetëm zgjedhjet e parakohshme si një mundësi për zgjidhjen e krizës. Ju, si President i Republikës, a mendoni që zgjedhjet lokale janë një moment ku partitë politike duhet të marrin pjesë dhe janë një moment që mund të shihen dhe si zgjidhje e kësaj krize politike?
Unë jam deklaruar në mënyrë të qartë edhe ditën e 21 janarit, nëpërmjet një deklarate publike, e cila për fat të keq, ishte e vetmja në ato momente të vështira. Sigurisht, ju të medias, e keni mundësinë, por natyrisht keni dhe detyrimin që ta rishpalosni. Unë sigurisht që i kam të cituara në mënyrë kronologjike dhe falë kësaj teknologjie, sot asgjë nuk shkon dëm. Gjithçka regjistrohet në kohë reale, memorizohet dhe kthehet në një vlerë shumë të rëndësishme për të rivendosur të vërtetën dhe të drejtën, edhe atëherë kur ajo sulmohet. Sigurisht, të gjithë kontaktet e Presidentit të Republikës, në të gjitha cilësitë, kanë qenë dhe mbeten, dhe do të mbeten institucionale. Ju mund të keni dëgjuar një zë, por keni dëgjuar dhe zëra të tjerë për një komunikim me mjaft shqetësim të Presidentit për situatën. E kam thënë dhe vazhdoj ta them, dhe kjo duhet të jetë edhe në vëmendjen dhe ndërgjegjen e politikanëve, një parandalim, një profilaksi është njëqind herë më e vlefshme se një terapi, se një mjekim. Duke iu referuar këtij momenti shumë të rëndësishëm, po ju kujtoj mbrëmjen e datës 20 janar, që duke shfrytëzuar një komunikim me Trupin Diplomatik në Pallatin e Brigadave, duke parë një tension politik totalisht të papranueshëm, jam shkëputur nga leximi i fjalimit, dhe këtë mund ta vërtetoni, sepse e keni me zë e me figurë, dhe kam thënë këto fraza që vlejnë shumë. Citoj: “Në çdo moment, edhe në këto çaste që ne po flasim, forcat politike, individët politikë, edhe në ato momente kur tensioni politik konsiderohet mjaft i lartë, edhe atëherë kur ndjeshmëria qytetare është prapë e lartë, të gjithë aktorët e rëndësishëm politikë, aktorët institucionalë duhet të gjejnë maturinë, duhet të gjejnë qetësinë! Duhet të gjejnë ekuilibrin që të rivendosin dialogun politik, sepse interesat e Shqipërisë sikurse e kanë thënë edhe rilindasit tanë, janë mbi të gjitha, mbi interesat e vogla, mbi interesat meskine! Bashkëpunimi është shumë i rëndësishëm! Ai është i rëndësishëm jo vetëm në një ditë. Bashkëpunimi midis tyre për interesat e popullit është i rëndësishëm në çdo çast dhe në çdo ditë të vitit”. Kjo ka qenë në vëmendje të politikës, të politikanëve dhe të gjitha institucioneve, kjo e thënë afër orës 20.00 të mbrëmjes së datës 20 janar.
Për t’iu kthyer datës 21 janar, në një vlerësim në kulmin e situatës së krijuar para Kryeministrisë, unë e quaj të tepërt që ta risjell deklaratën time, por ka qenë një deklaratë e shpejtë, shumë efikase dhe fatkeqësisht nuk pashë që t’i bashkangjiteshin zëra të tjerë për të qetësuar situatën, për t’i dhënë mbështetje institucioneve. Por, duke parë peshën e këtij momenti shumë të rëndësishëm dhe për t’i qartësuar gjërat edhe artëherë kur të tjerët i kanë të qarta dhe tentojnë t’i errësojnë, unë po citoj vetëm ekstraktin e deklaratës së datës 21 janar. “Presidenti i Republikës bën thirrje për qetësi dhe maturi! U bën thirrje të gjithë faktorëve politikë që të qetësojnë demonstruesit dhe të garantojnë sa më shpejt të jetë e mundur rikthimin e rendit publik dhe mbështetjen e forcave të policisë, që të garantojnë ruajtjen e rendit, të institucioneve shtetërore dhe në mënyrë të veçantë, qetësinë dhe sigurinë e qytetarëve. Presidenti Topi u bën thirrje faktorëve politikë t’i rikthehen urgjentisht dialogut dhe të marrin përgjegjësitë politike për ruajtjen e stabilitetit të vendit. Shqipëria ka nevojë të shërojë plagët, jo të hapë plagë të reja!”
Këto janë deklarata të Presidentit dhe natyrisht që të vendosesh në pozicionin e kritikuesit për substancën e mesazhit të Presidentit, së paku duhet të kesh kurajo, cilido që të jetë ai, pavarësisht. Institucioni i Presidentit është institucion mbi të gjithë, është Kreu i shtetit, është ai që jep mesazhe dhe garanton harmoninë institucionale dhe kurrsesi nuk mund të bëhet pjesë e debateve apo sherrnajave politike. Është një profesion që unë e njoh mirë se nga politika vij. Por politika duhet të dijë të respektojë, të respektojë institucionet. Unë e di që politika bën debate të ashpra në shumicën e rasteve, sidomos duke ardhur dhe simptomat bëhen më të rënda. Vijnë jo vetëm duke e ashpërsuar gjuhën e tyre, por duke e banalizuar. Ky është motivi? Ky është misioni i politikës? Natyrisht që jo. Do të bjerë Presidenti në këto rrethana për të bërë atë që s’e ka bërë asnjëherë në jetën e tij, për të përkeqësuar sadopak mënyrën e komunikimit. Por kurrsesi për ta banalizuar. Çështja është që të gjithë faktorët politikë, të gjithë institucionet, sikurse e thashë edhe në deklaratën time, duhet të mësohen që në Shqipërinë, vend i NATO-s, që ka standarde të mirëpërcaktuara, duhet të respektojnë institucionet. Nuk është e rastit që lufta më e ashpër bëhet ndaj institucioneve të pavarura, edhe pse ndërkombëtarët, partnerët tanë më të rëndësishëm bëjnë thirrje të vazhdueshme: ‘Rregulloni komunikimin politik midis jush, por kurrsesi mos u hidhni në sulm frontal kundër institucioneve të pavarura’. Vetëm shteti i së drejtës është ai shtet që do t’u garantojë të gjithëve, në radhë të parë qytetarit të thjeshtë, qetësinë, sigurinë dhe ne urojmë që ky shtet i së drejtës, i institucioneve të pavarura, pavarësisht problemeve që kanë, të dinë të rrisin çdo ditë performancën e tyre dhe të na japin bindjen që ne vërtet do të jetojmë në Shqipërinë demokratike, europiane dhe euroatlantike.
Përsa u përket zgjedhjeve, po në mesazhin e datës 20 janar kam folur për zgjedhjet e 8 majit. Kush më shumë se sa Presidenti nuk do të flasë për atë ditë që e ka dekretuar vetë? Mos harroni që kam folur edhe në një datë tjetër. Referojuni, sepse të gjithë deklarimet e mia kanë qenë konsistente, kanë qenë në një linjë, nuk kanë qenë të devijuara dhe padyshim dhe njëherë bëj thirrje që partitë politike t’i rikthehen dialogut. Pushteti i partive politike kurrsesi nuk mund të kthehet në pushtet individësh. Partitë politike kanë marrë në dorë misionin për të përfaqësuar njerëzit që i simpatizojnë, që i votojnë, por kurrsesi për të mos i lënë ata pa pushtetin demokratik që është natyrisht në shërbim të tyre. Faleminderit!
Televizioni ‘Planet’: Kisha dy pyetje nëse është e mundur: E para, në kushtet kur në datën 21 janar, siç e pamë të gjithë, Kryeministria u sulmua për disa orë nga demonstruesit e organizuar nga opozita. A duhet të kishit thirrur ju Këshillin e Sigurimit Kombëtar për të sqaruar më tej situatën, që çoi në këtë lloj situate që u krijua? Dhe e dyta: Pavarësisht se Kushtetuta nuk ju detyron juve që të paraqiteni në Komisionin Hetimor të ngritur nga mazhoranca për të dëshmuar për ngjarjet e 21 janarit, a do të kishte qenë më e udhës për të qenë transparent, edhe në lidhje me akuzat që janë bërë nga mazhoranca në drejtimin tuaj, duke qenë si pjesë e organizimit të kësaj demonstrate, të kishit patur një anëtar të Institucionit që ju përfaqësoni?
Së pari, institucionet, të gjitha, sidomos në vëmendje të ngjarjes së 21 janarit, janë në punë më shumë se kurrë. Duke parë zhvillimin e ngjarjeve, duke mbështetur institucionet e pavarura, duke mbështetur pikërisht atë që unë sapo e thashë, linjën e një hetimi tërësor, të paanshëm, profesional, që do të thotë jo politik, në këto kushte, institucionet operojnë për të kaluar situatën dhe sidomos kur situatat janë akute, natyrisht secili i ka fare të qarta përgjegjësitë e veta ligjore. Nëse është thirrur ose jo në momente të veçanta, Këshilli i Sigurimit Kombëtar thirret atëherë kur vërtet gjërat duhet të jenë për t’u analizuar, për të gjetur pikërisht atë që nuk ka funksionuar si duhet dhe për të vazhduar në mënyrë shumë korrekte punën e institucioneve. Kështu që unë mendoj, që jemi plotësisht në detyrimet tona kushtetuese dhe institucionale, se të gjitha institucionet, sikurse thashë, janë në punën e tyre. Mënyra se si e shprehin pastaj është çështje e secilit institucion.
Përsa i përket komunikimit me Kuvendin, lidhur me Komisionin Hetimor Parlamentar, referuar ligjshmërisë për komisionet hetimore, është absolutisht mëse legjitime që Kuvendi, pavarësisht që është trajtuar në mënyrë unilaterale, pra vetëm një krah, ka të drejtën të ngrejë komisione hetimore parlamentare. Sikurse ka ndodhur në të kaluarën, ka sot, do të ketë edhe në të ardhmen. Është një mekanizëm demokratik i Institucionit të Kuvendit të Shqipërisë. Komunikimi i Kuvendit të Shqipërisë me Institucionin e Presidentit, po t’u referoheni thënieve apo kërkesës së Komisionit Hetimor, ka qenë që Presidenti duhet të vijë të dëshmojë. Kam pasur një komunikim publik, sepse në Shqipëri është shumë mirë që ajo që duhet të bëhet më shumë se çdo gjë tjetër, duhet të jetë transparenca publike, sepse politika gjithmonë tenton t’i ndryshojë, t’i denatyrojë gjërat dhe i jep mesazhin publikut ashtu siç do ajo. Ndoshta duke qenë në një transparencë publike, dhe ju e dini që unë kam një asistencë juridike mjaft të mirë, kam dalë publikisht dhe kam thënë që Presidenti, duke iu referuar Kushtetutës, duke cituar gërmën e Kushtetutës, pranon të dëshmojë, ashtu sikurse e thotë Kushtetuta, në Selinë ku zhvillon veprimtarinë e tij. Menjëherë pas këtij reagimi, vjen një kërkesë tjetër që ‘ne, Presidentin nuk e kemi kërkuar të dëshmojë’ – është bërë publike apo jo, ‘kemi kërkuar që të informojë’. Atëherë, nëpërmjet zotit Peçi, meqënëse ndryshon objekti, referuar po prapë Kushtetutës së Shqipërisë, ka një paragraf shumë të qartë. Presidenti, si Kreu i shtetit, merr, kërkon informacion nga të gjitha institucionet dhe kurrsesi nuk detyrohet që të japë informacion. Sidoqoftë, e gjithë korrespondenca e Presidentit me institucionet e tjera është totalisht zyrtare. Nuk punohet me numra ekstra, por ka një procedurë aq të rregullt, zyrtare, ligjore, protokollare, sa herë që kërkohet të dihet se ç’letër nga këto institucione është futur në Presidencë apo ç’letër nga Presidenti ka shkuar në këto institucione, kjo gjendet fare mirë në institucionet përkatëse. Pra, edhe njëherë e them, Presidenti ka qenë gjithmonë dhe do të jetë gjithmonë në respekt të kuadrit të tij kushtetues, aty ku detyrohet dhe aty ku ka të drejtën. Aty ku ka të drejtën, natyrisht ka dhe detyrimin, sepse, në rast se Presidenti do të shkojë diku për të treguar dhe për të demonstruar, dhe një gjest qytetar sportiv jashtë kornizës së tij, mund t’i thuhet: ‘President, ke gabuar!’ Pse? Sepse Presidenti, jo rastësisht, me Kushtetutë ka këtë kornizë të detyrueshme ligjore. Edhe njëherë dëshiroj t’ju them që është në një vëmendje të jashtëzakonshme, në një vëmendje rigoroze, që e gjithë veprimtaria e Institucionit të jetë brenda parametrave të Kushtetutës dhe Presidenti e ka të mirëpërcaktuar këtë punë.
Televizioni ‘Vizion Plus’: Zoti President, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, dje gjatë raportimit në Komisionin Hetimor Parlamentar tha se ju kishte dërguar një letër, dy ditë pas demonstratës, ku shprehte shqetësimin e saj, të themi, lidhur me qëndrimin tuaj për këtë ngjarje. A mund të na jepni ndonjë detaj lidhur me këtë letër dhe çfarë ju kërkonte Kryetarja e Kuvendit? – pyetja e parë. E dyta: Këto ditë kemi parë, zoti President, që të akuzuarit kryesorë të ngjarjes së Gërdecit kanë dalë, janë liruar. A është ky një dështim i drejtësisë shqiptare?
Lidhur me pyetjen tuaj të parë, në natyrën e komunikimit mes institucioneve natyrisht që ka edhe komunikime të karakterit konfidencial. Por, përderisa linja e konfidencialitetit nuk u respektua, unë do vazhdoj ta respektoj, sepse jam qytetar dhe e njoh shumë mirë natyrën e institucionit. Por, pa prekur linjat konfidenciale që ju siguroj që nuk janë private, as për çështje të karakterit privat apo personal, por linja konfidenciale për një kërkesë që i është bërë Presidentit të Republikës për të ndërhyrë në një institucion tjetër të pavarur, kam kthyer një përgjigje në sensin figurativ do ju thoja, të kopsitur nga pikëpamja ligjore, që Presidenti do të akuzohej nëse do të ndërhynte se si mbas kuadrit kushtetues, neneve të caktuara të saj, Presidentit nuk i lejohet të ndërhyjë në asnjë lloj institucioni për çështje konkrete. I gjithë kuadri kushtetues që përcakton marrëdhënien e Presidentit me të gjitha institucionet e tjera janë marrëdhënie që janë të shkruara, që janë në frymën dhe në gërmën e Kushtetutës.
Pra, pa u futur në linja të tjera, sepse gjithça mbetet, do të doja që duke e interpretuar një korrespondencë konfidenciale, do të doja që askush, këtë e them konkretisht dhe në parim, nuk duhet t’i jap nota dramaciteti, as duke e perifrazuar, as duke paragjykuar. Ju siguroj që brenda kësaj linje, gjithçka është kushtetuese dhe korrekte. Dhe nëse dikush kërkon të mos ta respektojë linjën e konfidencialitetit, unë jam i hapur që nëse dëshiron që gjithçka të bëhet publike, unë jam i hapur që gjithçka të bëhet publike. Ia lë nënçmimin të tjerëve. Pra, asgjë nuk është konspirative, gjithçka është kushtetuese dhe zyrtare.
Përsa i përket pyetjes tjetër që është gjithashtu shumë e rëndësishme, po bëhen tre vjet nga ai shpërthim i 15 marsit në Gërdec, që krijoi jo vetëm një tragjedi kombëtare, por i veshi institucionet me një mjegullnajë të pafund.
Sigurisht kemi folur, janë bërë shumë moralizime për këtë çështje. Unë i qëndroj linjës së fjalës që mbajta dhe sot me ju, që e drejta dhe vetëm e drejta, duhet të dalë dhe kjo duhet të jetë garancia për çdo qytetar. Qoftë për viktimat, qoftë për familjarët e viktimave të Gërdecit, qoftë dhe për të ndarë të vërtetën nga e pavërteta, sistemi i drejtësisë ka sfidën e madhe që të vendoset në ballë të kësaj rruge, e cila në shumë momente nga qytetarët kritikohet me të drejtë. Unë, edhe për këtë çështje kam paralajmëruar kur isha për një vizitë në Pogradec. Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë kishte paralajmëruar për këtë çështje. Është ngritur me porosinë time një Inspektoriat i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i cili në bashkëpunim me Inspektoriatin e Ministrisë së Drejtësisë të shkojë dhe të verifikojë aspektet proceduriale dhe ligjore. Ju e keni parë lojën e avokatëve sepse keni qenë ju, që e keni transmetuar sa herë ka pasur proces. Është shumë e rëndësishme që drejtësia të reflektojë në të gjitha hallkat e saj, por duke e njohur shumë mirë sot plagën e drejtësisë, duhet të kuptojmë të gjithë që defektet e një politike jobashkëpunuese kanë bërë që shumë reforma në fushën e drejtësisë të mbesin pa realizuar, duke krijuar vakuume. Unë nuk dëshiroj t’i futem situatës së gjykimit politik të kandidaturave shumë profesionale. Nuk dëshiroj t’i kthehem sepse është një temë shumë e rëndë për jetën e institucioneve demokratike shqitpare. Gjithkush duhet të kuptojë që ky vend ka Kushtetutë dhe ka një kuadër ligjor! Sa kohë gjërat janë të sanksionuara dhe sa kohë kandidaturat u referohen me përpikmëri parametrave të ligjit, askush nuk ka të drejtën që të paragjykojë politikisht, duke i futur insitucionet e drejtësisë në një impas, duke i lënë kokë mbas kohe dhe në një vakuum, sikurse ishte rasti i fundit i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, kur u detyrua Konferenca Gjyqësore që të marrë fatet e veta në dorë për të mos ia lënë asaj politike, e cila pambarimisht e zvarriti, e zvarriti dhe e la sistemin e drejtësisë në pikën e hallit. Kjo është arsyeja që edhe një herë, vërtet drejtësia ka problemet e veta. Ata natyrisht duhet të shkunden mirë në të gjitha drejtimet, se problemet janë të ndryshme, jo thjesht për tragjeditë e kësaj natyre, por edhe për çështje civile të ndryshme! Ju i dini. Njerëzit, me të drejtë revoltohen, njerëzit kanë të drejtë të ndihen të hutuar kur shikojnë që shumë gjëra nuk shkojnë ashtu siç duhen. Edhe njëherë do i bëj thirrje nga kjo tribunë partive politike, që edhe në këtë sens, edhe në fushën e drejtësisë, të rregullojnë bashkëpunimin e tyre, të reformojnë më tej sistemin e drejtësisë, në mënyrë që të rrisim standardet e dhënies së drejtësisë.
Gazeta “55”: Zoti President, ka pasur shumë interpretime për 21 janarin, sidomos për praninë tuaj fizike. A ka mundësi ta dimë se ku keni qenë nga ora 13.00 deri në orën 17.00 të asaj dite, që të shuajmë edhe kureshtjen e publikut? Edhe një pyetje të dytë, nëse ka mundësi: “Meqenëse ka dështuar marrëdhënia e Presidentit me Kuvendin lidhur me Komisionin Hetimor, a mund të dëshmoni publikisht, cili është qëndrimi juaj për demonstratën e 21 janarit? Si mund ta karakterizoni atë?
Për këtë pyetje, në rast se ju keni marrë ndonjë certifikatë që jeni pjesë e Komisionit Hetimor, unë me kënaqësi jua jap përgjigjen.
Ju duhet të dini që Presidenti jeton në Tiranë. Nuk e ka pasur zakon gjatë tre viteve e gjysmë të ushtrimit të detyrës së tij, qoftë edhe për një natë të vetme të qëndrojë në rezidencat shtetërore. Kjo do të thotë se jetoj në Tiranë dhe gjatë këtyre viteve, nga pikëpamja e ushtrimit të së drejtës për të bërë pjesë në shoqëri, padyshim që jeta është varfëruar. Jeta ime në këto vite është koncentruar nga zyra e shtetit, në zyrën time në shtëpi. Padyshim që i gjithë aktiviteti i Presidentit është shumë transparent dhe është shumë institucional. Uroj që edhe të tjerët, qoftë përfaqësues të institucioneve, qoftë përfaqësues të medias të varur apo të pavarur, të kenë sensin e realitetit! Vetëm sensi i realitetit do të bëjë që çdo individ, çdo person, çdo gazetar, çdo politikan të jetë afatgjatë, të mos jetë afatshkurtër dhe i mbuluar me turp.
Gazeta Shqiptare: Kohët e fundit jeni bërë objekt i sulmeve të ashpra nga Kryeministri, nga Kryetarja e Parlamentit duke ju akuzuar ju për të ashtuquajturin “puç të shtetit”. A mendoni se Komisioni Hetimor do ta zhvendosë hetimin drejt institucionit tuaj duke ju akuzuar për përfshirje në të ashtuquajturin puç?
Së pari do të thoja që unë kam kohë që nuk vendos diagnoza. Kjo do të thotë që merrem vetëm me aktivitetin tim shumë institucional dhe padyshim që ky institucion është transparent në të gjithë aktivitetin e tij. Është në të drejtën e çdolloj institucioni që të zhvillojë aktivitetin e tij brenda parametrave kushtetues që i lejon kushtetuta dhe ligji. Unë uroj që çdo institucion, qoftë edhe ata, të cilëve ju u referoheni, të rifitojnë, sepse e kanë mundësinë, hapësirën e funksionimit demokratik! Çdo institucion, në radhë të parë Parlamenti shqiptar! E kam thënë edhe kohë më parë. Nuk kam thënë ndonjë gjë të re, sepse duke besuar që shkoj gërmë pas gërme sipas vlerësimit të Komisionit Evropian, kam thënë për Parlamentit që duhet t’i rikthejë Parlamentit hapësirën demokratike! Duke filluar me frymën e funksionimit, me procedurën dhe me produktin. Ai është organi përfaqësues i popullit, i cili kurrësesi nuk mund të ndahet në popull të djathtë apo të majtë, sepse ligji është i rëndësishëm për të gjithë. Aktiviteti i Parlamentit është i rëndësishëm për të gjithë, qofshin ata që e ndiejnë veten të majtë, qofshin ata të djathtë, qofshin këta të qendrës, qofshin ata që nuk duan t’ia dinë për politikën. Ky është reflektim që duhet bërë nga çdo lloj institucioni: në çdo institucion të rikthehet hapësira demokratike. Kjo është plotësisht e mundur dhe kjo nuk duhet të jetë në funksion të karrigeve të pushtetarëve, cilido qoftë ai, por në funksion të qytetarëve.
TVSH: Zoti President, sot, pas më shumë se dy javësh nga ngjarja e 21 janarit, drejtësia po akuzohet për zvarritje të qëllimshme të hetimeve, madje për dështim në këtë drejtim. Ju jeni autoriteti më i lartë i drejtësisë në vend. Sa përgjegjës ndiheni për këtë?
Së pari, unë i qëndroj edhe njëherë paragrafit të dytë të fjalës sime sot: duhet të kemi parasysh që drejtësia të punojë, të tjerët duhet të heshtin! Vërtet, Presidenti ka edhe cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, por ju duhet ta dini që edhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë kompozohet nga përfaqësues të disa pushteteve. Nga ana tjetër, ritheksoj edhe njëherë nevojën që çdo institucion, pavarësisht që nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me sistemin e drejtësisë, duhet të kontribuojë me transparencën, me të gjithë dokumentacionin për t’i shërbyer së drejtës. Duhet ta lemë drejtësinë të punojë! Drejtësia, sikurse ju edhe po e shikoni, po punon. Minimumi që duhet të bëjmë të gjithë është që duhet të mos ta intimidojmë! Ta lejojmë që të punojë, të nxjerrë produktin e vet! Urojmë që drejtësia të japë drejtësi!
Televizioni Alsat: Në situatën e fundit, ju shpresoni se ka vend për dialog apo është rasti për zgjedhjet e parakohshme? Kam parasysh që opozita po mban këtë qëndrim se zgjedhjet e parakohshme do të ishin mundësia e vetme për dialog me mazhorancën në këtë situatë.
Edhe njëherë, unë kurrsesi nuk mund të futem dhe nuk mund të bëhem pjesë e opsioneve politike të partive politike. Kjo është kategorike. Kështu që mos kërkoni nga Presidenti se çfarë intensionesh, se çfarë opsionesh kanë partitë politike! Ajo që unë jap si një mesazh konstant, gati-gati, i kthyer në mërzi, kur u bëj thirrje që të ushtrojnë maturi dhe dialog. Po të shikoni, në të gjitha ligjëratat e mia, pavarësisht se mund të ketë qenë direkte apo në funksion të ndonjë aktiviteti të caktuar, është dhënë vetëm ky mesazh. Ky është mesazhi që duhet të japë Kryetari i Shtetit dhe besoj që këtë mesazh japin të gjithë krerët e shteteve kur ka probleme të kësaj natyre politike. Unë uroj që të kemi një rikthim në normalitet të jetës politike! Uroj që të rikthehet në normalitet jeta e Parlamentit në tërë kompleksitetin e vet, sepse Shqipëria ka nevojë qoftë për transparencë politike dhe publike, qoftë për debatin politik parlamentar, qoftë për ligje dhe për garancinë që të gjithë së bashku duhet t’u japim institucioneve, pavarësisht se ku jemi dhe se çfarë detyrash ushtrojmë në një moment të caktuar.
Comments are closed.
…Bamir, mos bej kompromis më me Berishen siç bëre për Gërdecin, dhe popullin do ta kesh krah teje. Vetem disa lapangjoze sahanlepires te Saliut ne PD nuk te duan, pjesa tjeter eshte me ty!.
Ne filmin Operacioni Zjarrit me personazh kryesor te ndjerin Llazi Serbo,qe luante Kreshnik Martinin,ne kete film perkrah Llazit ka luajtur dhe i madhi Ndrek Luca ne rolin e Pjeter Mustakuqit,midis roleve kryesore spikaste dhe ai i memecit,ne nje moment te filmit ndodh habia kur memeci fillon te flase te gjithe shtangen,kur dikush thote se memecit i erdhi goja!!!Jo më kot shkeputa nje pjese te filmit per ta krahasuar me ate qe po ndodh me presidentin e vendit z.Bamir Topi,Me ne fund ai i dha fund agjerimit te shprehurit,pame nje tjeter njeri sot,nga ajo qe kemi pare deri dje,presidenti beri ate qe i takon te beje nje kreu shteti,duke ju rikthyer edhe nje here personazhit te filmit,thone se kur nje memeci i vjen goja eshte shume e veshtire per tja mbyllur ate (pra gojen)Uroj,dhe shpresoj qe keshtu te ngjase dhe me presidentin tone…
Mori zemer Presidenti?
Mire qe ja xhveshen shume kopetenca, por ate te emerimit te gjykatesve dhe prokuroreve ashkush nuk ja ka levizur.?!!!!!!!!
Cfare drejtesie i kerkon ky zoteri… popullit???? JE VETE PERGJEGJES PER KETE “FARE” DREJTESIE!
Po te leviznje zyren tende ca dite tek KLD-ja, mbase do kishe mare vesh se procesi “Gerdeci” u be si kurs kualifikimi per avokate dhe gjykates te “Plepave”!
Po te therisnje ne raport nje here ne muaj Ministrin e Drejtesise (atribut i yti kushtetues) do kishe mare vesh se Leter-Porosite per vrasesit e Remzi Hoxhes dhe shume te tjreve qe duhet te gjykohen “humbasin” neper selite tona diplomatike.
Po diplomatet a jane nomeklature edhe e jotja?!!!
Z. President! Do Zoti ta kesh kuptuar drejt ate qe the ….”kur bera betimin…..”!
Shyqyr qe marove agjerimin,presidento.Heren tjeter me fort inshalla.
Pa u vendosur ne vendin e saj DREJTESIA krateri i G ERDECIT nuk do te mbyllet kurre.
Po ça gomari paske qene bre bure, rote mulliri fare. Del dhe na thua ketu topalli me ka urdheruar te bej kete dhe ate, po ti je president o gomar apo se di ti, si te beka presione topalli ty, nje rrugaçe rugesh ka me shume dinjitet se topalli. Po ste vjen turp qe qahesh si femi se te paska sulmuar topalli. Po ty jo vetem topalli te ka heq vijen por dhe gjithe populli mbane, me te majte dhe te djathte. Kush do doje nje lider si ty ne krye, as mish as peshk. Ik o gomar se sje per president , i vjen te maje gishtit Moisiut dhe Meidanit. Je bere lodra e berishes , te kurdis dhe loz me ty si te doje, po ke dinjitet ti mos njeri? Tallen dhe ministrat me ty, dhe gjykatat tallen me ty, dhe prokuroret. Je bere personazh qesharak dhe komik. U vrane 4 njerez, dhe heshte , pastaj na u kujtove pas nje jave dhe na the qe sduhet te vriteshin. Po u vrane nga ju ata, se dhe ti ke pergjegjesi se je president i asaj qeverie dhe jo i shqipetareve, edhe ti duhet te denohesh per vrasjen e tyre apo ke menduar tja hedhesh lehte. Ti ti i pari duhet te denohesh, ti je instanca me e larte , je thjesht nje qen i bindur dhe koke ulur