Të nderuar,
Për secilën dhe për secilin prej jush, ky mëngjes dhe kjo e hënë nuk do të jetë nga ato të zakonshmet. Kur të dilni nga shtretërit, mbase nuk do të keni kohë ta shikoni me pizhame profesor Tahirsylajn me prognozën javore të motit, as nuk do të vërtiteni nëpër komunikacion duke dërguar fëmijët nëpër çerdhe e shkolla.
Sepse duhet të jeni pak a shumë në streset e gjetjes së teshave dhe, me këtë, edhe të “uniformës” për këtë të hënë. Po ashtu, dhe kjo ka rëndësi, me kafenë e mëngjesit në ndonjërën prej mejhaneve të kryeqytetit nuk do të stërzgjateni, ngase agjendën e keni “të saktë” dhe paraprakisht të renditur.
Sot është ditë e rëndësishme: për ju dhe për qytetarët e Republikës së Kosovës. Jeni deputetët e legjislaturës së katërt të Kuvendit, që do të mblidheni për të vendosur për krijimin e institucioneve të vendit.
Drejt jush, të nderuara deputete e deputetë të rinj a të moçëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës janë drejtuar sytë e qytetarëve të vendit. Por, dhe ky “por” është aq i rëndësishëm, mos mendoni që vendi dhe me këtë edhe njerëzit e këtij nënqielli e shikojnë dhe e përjetojnë këtë takimin tuaj konstituiv si njërën prej ngjarjeve kulmore, si një prej “edhe një takimi” me rëndësi historike për “të tashmen” dhe “të ardhmen” e kombit dhe të shtetit tonë.
Ju, jeni përfaqësues – pjesërisht të përzgjedhur, pak të vjedhur, por së tepërmi të trafikuar të këtij vendi, që pritet të zgjidhni kryetarin e Kuvendit, presidentin e Republikës dhe qeverinë e këtij shteti. Apo edhe ta dërgoni vendin në zgjedhje të reja.
Asgjë më pak, as më tepër.
Dhe, para se t’i bëni krejt këto gjëra pa provuar për t’u zhytur në ndonjë akrobatikë të stërtepruar intelektuale, e cila edhe ashtu mund të jetë rrezik më vete, sidomos për deputetë në një të hënë paradite, është me vend që t’ua kujtojmë këtu një thënie të njërit prej atyre të mëdhenjve, nga më të mëdhenjtë që njerëzimi ka dhënë, amerikanit William Faulkner, i cili një miku një herë i kishte shkruar: “E kaluara nuk ka vdekur, bile ajo as që ka kaluar!”
Prandaj, ju lutemi: mos e harroni këtë thënie kur të niseni drejt asaj ndërtese në mes të sheshit të kryeqytetit të Republikës. Dhe, para se të futeni në të, provoni ta kujtoni luftën për mbijetesë të këtij kombi, jo qe dhjetë e njëzet vjet. Por, imagjinojeni paksa se si mund të flitet shqip në Prishtinë, në Drenicë e në Dukagjin edhe sot, pas luftërave vrastare të lloj-lloj pushtuesish për 2000 vjet…, të cilat kishin për qëllim të arrinin vetëm një gjë: zhdukjen e jo vetëm kësaj gjuhe, por edhe të kësaj fare!
Prandaj: mos u tutni. Ndaluni dhe shikoni fotografitë e atyre që bota dhe ne i kemi emërtuar si të “zhdukur”. (Mos harroni që në morgun e po këtij kryeqyteti i kemi 400 kufoma të trafikuara – pa ADN, pa identitet!).
Nëse provoni dhe, me këtë, edhe gaboni ta ikni pikëshikim/pikëtakimin me ta, ju garantoj që do t’ju kujtohet jo veç kjo thënia e Faulknerit, por mallkimi, mallkimi i sidomos atyre njerëzve tanë, bij e bija, motra e vëllezër, do të jetë shumë më i tmerrshëm sesa ky që e përjetuam këta muajt e fundit!
Ju, të nderuara deputete dhe të nderuar deputetë të Republikës sonë, sot dhe gjatë tërë javës do ta keni në duart tuaja se çfarë do të bëni… Të jeni pjesë koniunkturash partiake të përditshmërisë së pështirë politike apo të pavarurit, të cilët në bazë të ndërgjegjes, përkatësisë (së mirëfilltë) partiake dhe kombëtare, do ta vështroni dhe do të vendosni se nga do të shkojnë Kosova dhe kombi në muajt dhe nëse doni edhe në vitet që vijnë.
Edhe pse nuk do të bëni histori, e dini fare mirë që shumë rrugë nuk keni. Ose do jeni fillestarët e demokracisë së mirëfilltë me frymë perëndimore, ose edhe do të përfundoni në koshin e bërllokut, të cilin edhe ashtu e kemi plot e përplot!
Zgjidhni!
Sepse dikush ju ka zgjedhur, por mos e harroni që “e kaluara nuk ka vdekur… bile… as që ka kaluar!”.
Comments are closed.
Kush ka sy le te shikoje,kush ka veshe le te degjoje.Komplimente z.Cufaj.
le ta lexojne dhe deputetet e shqiprise kete shkrim….
Une mendoj se kjo thirrje eshte me teper per deputetet e partise se Saliut ne qofte se nuk duan te mbesin per jete te turperuar.