Behgjet Pacolli nuk e ka siguruar mbështetjen e Jakup Krasniqit, Fatmir Limajt dhe Ukë Rugovës për t’u bërë kryetar shteti. Asnjëri prej këtyre personaliteteve nuk e ka hedhur nënshkrimin në letër-nominimin e Pacollit për president, ndonëse, krejt ndryshe, kanë vepruar 64 nga gjithsej 67 deputetët e koalicionit qeverisës.
Nënkryetari i PDK-së, Fatmir Limaj, nuk e ka mohuar e as pohuar këtë gjë, mirëpo është zotuar se mënyrën e të votuarit të tij do ta bëjë publike menjëherë pas përfundimit të seancës në Kuvend.
“Vota është e fshehtë, por unë ju garantoj se do ta bëj atë publike. Do ta shpreh edhe qëndrimin tim”, e citon “Koha Ditore” Limajn.
Një bashkëpartiak i tij nuk e ka përjashtuar mundësinë që disa prej deputetëve që janë deklaruar në mbështetje të Pacollit, të votojnë kundër tij. “Janë mbi dhjetë deputetë të PDK-së që janë deklaruar kundër zgjedhjes së Pacollit president. Disa prej tyre e kanë nënshkruar letër-nominimin, mirëpo kjo nuk është garanci që ata t’ia japin votën në Kuvend”, ka thënë zyrtari i lartë i PDK-së.
Edhe vetë Pacolli është deklaruar të mos jetë në dijeni nëse i ka votat e mjaftueshme për t’u vënë në krye të shtetit.
“Nuk e di. Po ta dija edhe do t’ju tregoja”, ka thënë ai, pak kohë pasi ka dhënë betimin për deputet. Lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, para dy ditësh ka mohuar që brenda partisë së tij ka deputetë që mund të mos e votojnë Pacollin për president, duke thënë se çdo qëndrim që është marrë në PDK për ndërtimin e koalicionit qeverisës dhe për votimin e presidentit, ka qenë konsensual.
Atë ditë edhe Pacolli qe treguar më optimist.
“Unë besoj se përfaqësuesit e popullit të Kosovës do të votojnë për zgjedhjen time si president të Kosovës dhe unë prej momentit që ia filloj punës do të filloj implementimin e të gjitha obligimeve që parashihen me Kushtetutë”, ka thënë Pacolli.
Në bazë të Kushtetutës, parashihet që votimi për presidentin të jetë i fshehtë dhe të zhvillohet deri në tri raunde. Në dy raundet e para kërkohet që kandidati për president t’i marrë 81 vota për t’u konsideruar i zgjedhur. Dhe nëse nuk arrin ta marrë mbështetjen e 2/3 së Kuvendit, atëherë kalon në raundin e tretë, ku i nevojitet të marrë së paku 61 vota. Dështimi në raundin e tretë, e dërgon vendin në zgjedhje ta parakohshme. Ato duhet të organizon brenda afatit 45 ditësh.
Sipas burimeve të gazetës, partnerët e koalicionit e kanë parasysh rrezikun e dështimit të Pacollit në dy raundet e para, dhe për këtë shkak janë duke e përgatitur skenarin për t’iu shmangur zgjedhjeve të reja. “Nëse në dy raundet e para shihet se Pacolli nuk është duke e marrë mbështetjen e shumicës parlamentare, atëherë ka gjasa që të ndërpritet procesi i votimit në raundin e tretë”, ka thënë burimi i gazetës. Në këso rrethanash, sipas tij, partnerët e koalicionit do të duhet të shqyrtojnë mundësitë e ofrimit të një kandidati tjetër.
Pacolli aktualisht është i vetmi kandidat që zyrtarisht është nominuar për president. Por për t’u pranuar kandidatura e tij në Kuvend, do të duhej të sillte dëshmi se i plotëson kriteret për të qenë kryetar shteti.
Ligji për presidentin e parasheh që kandidati për president të jetë shtetas i Kosovës, të ketë së paku 35 vjet, si dhe të ketë pasur banim të përhershëm në Kosovë për së paku dhjetë vjet.
Pretendenti për president ka nënshtetësi të dyfishtë: zvicerane dhe kosovare. As me Kushtetutë e as me ligj nuk është e definuar nëse presidenti mund “të jetë qytetar lojal” i dy shteteve njëkohësisht, ndonëse, Ligji për shtetësinë, nuk paraqet pengesa që qytetari i Kosovës të ketë një e më shumë nënshtetësi.
Pacolli do të duhej së paku që të ofronte dëshmi se është mbi 35 vjeç dhe se ka pasur banim të përhershëm në Kosovë, aq sa kërkohet me ligj.
Fillimisht në seancën e së martës duhet të bëhet zgjedhja e presidentit, në mënyrë që t’i hapet rruga votimit të Qeverisë së re.
Partitë politike opozitare, të hënën, veç janë deklaruar se nuk do ta votojnë as presidentin e as Qeverinë.
Nga subjekti më i madh opozitar, Lidhja Demokratike e Kosovës, është thënë se Grupi parlamentar i kësaj partie e konsideron këtë Qeveri si “qeveri të pakicës” dhe me këtë nuk do ta votojë atë.
Zyrtari i lartë i LDK-së, Lutfi Haziri, gjatë një paraqitjeje për medie nga Kuvendi i Kosovës, ka vlerësuar se Qeveria që pritet të formohet nga PDK – AKR – lista “Dr. Ibrahim Rugova” dhe parti të pakicave, “është Qeveri e pakicës politike, madje më keq, edhe e pakicës etnike”.
“Në këtë mënyrë do të jenë pakicë edhe në popullatë”, ka thënë Haziri.
Kundër votimit të Qeverisë dhe presidentit është shprehur edhe Ardian Gjini i AAK-së. “Qëndrimi i AAK-së është se nuk do të votojmë për president të Kosovës dhe definitivisht nuk do të votojmë për Qeverinë e ardhshme të Kosovës. Ne nuk do të marrim pjesë fare në votim”, ka deklaruar Gjini. Ai ka përjashtuar edhe mundësinë që AAK-ja të dalë me një kundërkandidat për president. “Me siguri se jo”, ka thënë shkurt Gjini. Kundër zgjedhjes së Pacollit president, janë deklaruar edhe deputetët e lëvizjes “Vetëvendosje”. “Ne e kemi bërë të qartë edhe më herët se zoti Pacolli, si kryetar i AKR-së, por edhe si Behgjet Pacolli, në deklarimet e tij publike ka treguar se do të angazhohet për një program politik dhe për një të ardhme politike të Kosovës për të cilën ne jemi absolutisht kundër. Prandaj, meqenëse jemi kundër programit që ai e përfaqëson dhe meqenëse jemi kundër proceseve politike, të cilat ai i ka përqafuar ne natyrisht se jemi edhe kundër tij dhe nuk do ta votojmë”, ka thënë deputeti Visar Ymeri. Pavarësisht qëndrimeve të opozitës, nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli, është shprehur optimist se Kosova do të bëhet me institucione të martën. “Mbledhja e nesërme do të rezultojë me krijimin e institucioneve të reja”, ka thënë ai. Kosova është me u.d. të presidentit, që nga fundi i shtatorit të vitit të kaluar, kurse me Qeveri në dorëheqje nga fillimi i nëntorit.
“KD”
Comments are closed.
Kosova deri ne konsolidimie saj si shtet i pavarur dhe demokratik,i duhet te kete nje qeveri te unitetit
kombetar me koalicjon te gjere me te gjtha partite qe perfaqesohenne kuvend.Cdo zgjidhje tjeter zgjat
pa kufi stabilitetin e vendit dhe i drejton ujerat drejt Beogradit ,ashtu sic i deshiron edhe Saliu.