Topalli, zonja dhunëprodhuese në vend

22 Shkurt 2011, 18:59Politika TEMA

Nga Rexhep Qosja

DY GJEDHE SHTETËRORE

Ina Rama

Prej 21 janarit të këtij viti vazhdon fushata politike kundër Ina Ramës, prokurore e përgjithshme e Republikës së Shqipërisë.

Është kjo një fushatë e pazakonshme, e pashembullt, e padëgjuar dhe e palexuar në botën që e quajmë botë e qytetëruar.

Dhe, është kështu, fushatë e pazakonshme, e pashembullt, e padëgjuar dhe e palexuar në botën që e quajmë botë e qytetëruar sepse nuk është fushatë vetëm kundër prokurores së përgjithshme, Ina Rama, mëvetësia e së cilës sot përnjësohet me shtetin e me demokracinë e shtetit shqiptar.

Kjo është fushatë e pazakonshme, e pashembullt, e padëgjuar dhe e palexuar në botën që e quajmë botë e qytetëruar, sepse është njëkohësisht fushatë kundër një gruaje.

Dhe, është fushatë e quajtur siç e quajta, sado do të mund të quhej edhe më qartë, më drejtpërdrejt, fushatë e paskrupull, sepse është fushatë kundër një bashkëshorteje, një bije dhe, ndoshta, edhe një nëne e një motre.

Dhe, është kjo fushatë e quajtur kështu siç e quajta sepse bëhet me mjetet me të cilat kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, pretorianë të partisë e të qeverisë së tij i përdorin edhe në fushatat kundër kundërshtarëve politikë në Shqipërinë shtetërore dhe, kohë pas kohe, varësisht prej leverdive të tyre e të rrogëtarëve të tyre, edhe në Kosovë.

Si edhe fushatat e tjera që organizon regjimi i tij sot, ashtu edhe kjo është e filluar pikërisht prej kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha.

Si edhe në fushatat e tjera që organizon regjimi i tij sot ashtu edhe në këtë fushatë kryeministri i Shqipërisë ka futur në përdorim të njëjtat mjete: mjetin e diskreditimit politik dhe mjetin e diskreditimit, të fyerjes dhe të poshtërimit moral të të përndjekurit, në këtë rast të të përndjekurës.

Dhe, këto mjete të shpikura prej tij, mandej, vetëm sa kanë vazhduar t’i përsërisin, t’i shtjellojnë, t’i plotësojnë e t’i ashpërsojnë punëbërësit e tij, memurët e tij partiakë e shtetërorë!

Do t’i dëgjojmë, madje, edhe prej gojës së çthurur të kryetares së Kuvendit dhunëprodhues të Shqipërisë!

Nuk pranoj t’i përsëris këtu fjalët me të cilat kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha dhe pretorianët e pretorianet e tij duan ta diskreditojnë, ta fyejnë dhe ta poshtërojnë Ina Ramën.

Mund të them, ndërkaq, se me një gjuhë të tillë diskredituese, fyese dhe poshtëruese për një grua, që ka burrë, baba, vëlla, në Kosovë do të mund të flitej vetëm njëherë: gjasën për të folur ashtu për të edhe njëherë tjetër, diskredituesit, fyesit, poshtëruesit nuk do ta kishin më kurrë. Nderin e gruas, të motrës e të nënës, kur nuk e mbron shteti ligjor, do ta mbrosh vetë me Kanun, që është po ashtu një Kushtetutë zakonore e popullit, me disa vlera të tejkaluara dhe me disa vlera që vlejnë përgjithmonë.

Prokuroren e përgjithshme të Shqipërisë, Ina Ramën, nuk e njoh, nuk e kam takuar ndonjëherë. Ina Ramën e njoh aq sa dhe si mund të njihen njerëzit që paraqiten në televizione e në gazeta.

Prej paraqitjeve të saj në mediat kam krijuar përshtypjen: Ina Rama është një vetje e dinjitetshme, me gjest, sjellje e shprehje të Zonjës së vërtetë, në profesionin e vet e aftë e parimore, e ndërgjegjshme se kryen një detyrë të rëndësishme për popullin dhe atdheun e vet.

Sa shumë e shumë dallon prej kiç zëdhënëseve agresive të kryeministrit. Për fat. Për fatin e Shqipërisë.

Por e di se për prokurore të përgjithshme të Shqipërisë, Ina Rama është propozuar prej Partisë Demokratike të Shqipërisë; dhe e di se prokurore e përgjithshme e Shqipërisë, Ina Rama është zgjedhur në radhë të parë me votat e partive që përbëjnë shumicën në Kuvendin e Shqipërisë.

Pse, atëherë, Partia Demokratike e Shqipërisë, pse atëherë qeveria e Shqipërisë, pse atëherë kryeministri i Shqipërisë, pse atëherë Kuvendi i Shqipërisë, bëjnë tani fushatë kundër Ina Ramës, prokurore e përgjithshme e Shqipërisë?

Pse, vërtet, pse ata që e kanë zgjedhur, pse, vërtet, në radhë të parë ai që e ka zgjedhur, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, bëjnë fushatë të paskrupull kundër së zgjedhurës së vet, Ina Ramës?

Pse dhe si, Ina Rama, juristja, qytetarja, dikur aq e lavdëruar, aq e merituar, kaq shpejt e lehtë na qenka kthyer në të kundërtën e gjithë atyre që atëherë u thanë për të me qëllim që të gjithëve në Kuvend t’u mbushej mendja që të votonin për zgjedhjen e saj.

Pse i bëhet trysni Ina Ramës

Dy janë arsyet kryesore të salto mortales së kryepropozuesit dhe kryezgjedhësit të Ina Ramës prokurore e përgjithshme e Shqipërisë për sjelljet politike dhe fyese ndaj Ina Ramës.

E para, me nënshtrimin e prokurorisë së përgjithshme, kryeministrit të Shqipërisë dhe, në përgjithësi, oligarkisë së tij partiake i krijohet mundësia për ta përdorur shtetin për interesa personale të tij dhe të njerëzve rreth tij pa drojë prej ligjit dhe Kushtetutës. Me nënshtrimin e prokurorisë së përgjithshme ai me njerëzit rreth tij mund të bëjë privatizime ashtu siç i leverdis atij me njerëzit e tij, mund të ligjësojë përkatësi pushtetore të tij dhe të njerëzve rreth tij, mund të ligjësojë vjedhje, plaçkitje, korrupsion, gllabërime të llojeve më të ndryshme pa drojë se personazhet e këtyre krimeve ekonomike dhe politike mund të bëhen lëndë gjykimesh. Të shtiesh në dorë, të nënshtrosh prokurorinë e përgjithshme në kohë të tranzicionit në një vend ish-komunist do të thotë të bësh tranzicion për interesat e klaneve besnike, për nevojat e një oligarkie, shumë-shumë për nevojat e një klase – siç është bërë, më në fund, në Shqipëri, pa drojë se do të jesh i detyruar të japish llogari gjyqësore për cenimin e rëndë të interesave të përgjithshme kombëtare.

Nuk ka dyshim se sikur prokuroria e përgjithshme në Shqipëri të kishte funksionuar prej se është krijuar, pas rënies së komunizmit, shumë padrejtësi ekonomike, shumë afera korruptive, shumë shkelje të Kushtetutës nuk kishin ndodhur, ishin parandaluar, kurse protagonistët e atyre që kanë ndodhur ishin dënuar në procese gjyqësore.

Nuk ka dyshim se sikur prokuroria e përgjithshme të kishte pasur mundësinë të funksiononte lirshëm, si institucion i pavarur, procesi gjyqësor i tragjedisë së Gërdecit do të kishte pasur tjetër zhvillim, kurse në bankat e të akuzuarve do të ishin gjetur edhe fajtorë më të mëdhenj se ata që kemi parë.

Dhe, sikur prokuroria e përgjithshme të kishte pasur mundësinë të funksiononte lirshëm, si institucion, vërtet, i pavarur, shumë paqartësi në lidhje me ndërtimin dhe ndërtuesit e të ashtuquajturës rrugë kombëtare Durrës – Kukës – Morin do të kishin marrë përgjigjen e qartë gjyqësore.

E dyta, me nënshtrimin e prokurorisë së përgjithshme, kryeministrit të Shqipërisë dhe, në përgjithësi, oligarkisë së tij partiake u krijohet mundësia që të mund të shfrytëzojnë lirshëm, pa drojë prej Kushtetutës dhe ligjeve, institucionet e tjera shtetërore: për të bërë “të ligjshme” metoda, sjellje, veprime të paligjshme sikundër ndodhi në prag të zgjedhjeve të 28 qershorit kur u ndërrua Kushtetuta për një natë, si gjatë dhe menjëherë pas këtyre zgjedhjeve kur u bë vjedhje e votave; për të diskredituar me fjalorin më të kriminalizuar figurat kryesore të opozitës sikundër ngjet tani e sa vjet; për të përndjekur, mundësisht, për të kriminalizuar udhëheqjen e partisë kryesore të opozitës – Partisë Socialiste, sikundër ndodhi dhe vazhdon të ndodhë pas protestës së 21 janarit; për të cenuar lirinë e medieve, madje, për të nënshtruar disa prej tyre sikundër ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë me disa televizione dhe disa gazeta; për të përndjekur kritikët e regjimit përmes policisë, grupeve të mafiozëve, televizioneve a gazetave të nënshtruara sikundër ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë; për të përshtrirë dhe përthelluar trajtat autoritariste të sundimit sikundër janë cezarizmi, despotizmi, musolinizmi – sipas rastit e çastit. E të tjera. E të tjera.

Mendësia e fshatarizmit dhe mendësia e modernizmit

Nuk ka fije dyshimi se trysnia e jashtëzakonshme me gjuhë fyese, poshtëruese dhe kërcënuese e Sali Berishës dhe oligarkisë së tij partiake ndaj prokurores së përgjithshme të Shqipërisë, Ina Rama, sjellja e tij dhe e oligarkisë së tij partiake pushtetore edhe ndaj kryetarit të shtetit, Bamir Topi dhe shefit të Sigurimit Informues Shtetëror, Bahri Shaqiri, tregojnë fare qartë se çfarë përpjekjesh nuk ngurron të bëjë regjimi i tij për të nënshtruar institucionet e pavarura shtetërore dhe për ta bërë shtetin shqiptar shtet parti e parti shtet, shtet të përdorur dhe të shpërdorur për leverditë e Sali Berishës dhe të oligarkisë së tij partiake pushtetore.

Prokurorja e përgjithshme, Ina Rama, nuk do ta ketë të lehtë as në ditët, në javët, në muajt dhe në vitet që vijnë në qoftë se ky regjim despotik, absolutist nuk mënjanohet. Sado është mbushur një muaj nga protestat e 21 janarit, unë edhe sot kur po e shkruaj këtë artikull pashë dhe dëgjova dy nga memurët e kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, duke u shprehur cënueshëm dhe fyeshëm, ndaj prokurores së përgjithshme, Ina Rama, siç u shpreh punëdhënësi i tyre menjëherë pas protestës!

Por, prokurorja e përgjithshme, Ina Rama, nuk duhet të dëshpërohet. Në asnjë çast.

Dua t’ia përkujtoj, asaj dhe fyesve të saj, mendimin e gjeniut të lashtë, Eskilit: “Nga çdo e drejtë e nëpërkëmbur lind një borxh për t’u paguar”. Kryeministri i sotëm i Shqipërisë, Sali Berisha, kryetari i djeshëm i Shqipërisë, Sali Berisha, kryetari njëzetvjeçar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, sekretari i organizatës themelore të Partisë së Punës së Shqipërisë në Universitetin Shtetëror të Shqipërisë, Sali Berisha, ka shumë borxhe për të paguar. Më së shumti ndaj të vegjëlve, ndaj të varfërve, ndaj të pambrojturve, ndaj të ikurve prej atdheut të vet, ndaj sa e sa të vrarëve në vitin 1997, ndaj hallemëdhenjve të vrarë e të plagosur në Gërdec, ndaj protestuesve të vrarë, ndaj protestuesve të plagosur, ndaj protestuesve të burgosur nëpër rrugë, nëpër stacione të autobusëve, nëpër vende të punës apo nëpër shtëpi të veta më 21 janar. Do borxhe për të paguar për shkak të zbatimit kretenik të cenimeve, fyerjeve, kërcënimeve, dhunës së tij ndaj të tjerëve u mbeten edhe memurëve të tij partiakë dhe rrogëtarëve të tjerë. Dua të shpresoj se populli shqiptar, i cili ka ditur dhe ka arritur të mbahet në histori, do ta dijë kur dhe si t’i kërkojë këto borxhe.

Prokurorja e përgjithshme, Ina Rama, duhet të qëndrojë

Prokurorja e përgjithshme, Ina Rama, duhet të jetë e vetëdijshme se qëndresa e saj nuk është më çështje vetëm e saj: qëndresa e saj është çështje e gjithë Shqipërisë (dhe, më në fund, e Kosovës). Shqipëria ( dhe Kosova) ndodhet në procesin e ndërtimit të shtetit e të demokracisë, sado shtet është tani e nëntëdhjetë vjet. Dhe, në këtë proces shtetndërtimi e demokratizimi të saj, përplasen dy gjedhe botëkuptimore: gjedhja e fshatarizmit (jo në kuptimin mjedisor po në kuptimin e mendësisë) dhe gjedhja e modernizmit; gjedhja shtetërore despotike dhe gjedhja shtetërore demokratike.

Gjedhja shtetërore despotike e nënkupton Shqipërinë e një klase të shqiptarëve, Shqipërinë e tajkunëve të pasuruar sa çel e mëshel sytë në mënyra të paligjshme dhe të sunduesve e memurëve rreth tyre, Shqipërinë e feudalëve të rinj dhe të bajraktarëve të rinj, Shqipërinë e shkretëruar shpirtërisht e moralisht dhe të shfrytëzuar e të plaçkitur materialisht prej koalicionit të tyre, Shqipërinë e të papunëve, të të heshturve, të të frikësuarve, të të dëshpëruarve, të të përçmuarve, në njërën anë, dhe Shqipërinë e gllabëruesve, të fuqishmëve, të kërcënuesve, të poshtëruesve, në anën tjetër. A ka nevojë të thuhet se përfaqësuesi i kësaj gjedheje shtetërore prapakthyese është pikërisht Sali Berisha.

Gjedhja shtetërore demokratike, moderne, e nënkupton Shqipërinë e të gjithë shqiptarëve, e të gjithë qytetarëve të saj, Shqipërinë që do të jetë shtet, vërtet, demokratik, me pushtete, vërtet, të ndara, që janë themeli i demokracisë, Shqipërinë shtet i së drejtës, Shqipërinë shtet i drejtësisë sociale,që do t’u ofrojë gjasa të barabarta të gjithë qytetarëve të saj, Shqipërinë e qytetarëve të saj të vetëdijshëm se pa kulturë, pa shëndet moral dhe pa demokraci nuk mund të ketë as liri. Ndër përfaqësuesit e kësaj gjedheje shtetërore do të jetë edhe Ina Rama, natyrisht, në qoftë se do të jetë e parimshme dhe e qëndrueshme në mbrojtjen e vlerave demokratike siç po tregohet këto ditë.

Zonja Ina Rama!

Mos harro: Ti sot nuk ke vetëm një detyrë juridike – kushtetutare, por ke një mision historik kombëtar.

Unë nuk po të mbroj Ty, sepse Ti nuk ke nevojë për mbrojtjen time dhe të askujt tjetër,sepse mbrohesh vetë, me integritetin dhe aftësinë tënde, por, duke shkruar për Ty sot, unë dua të mbroj Shqipërinë moderne, demokratike dhe të qytetëruar – çka, mjerisht, sot nuk po e lënë që të bëhet arrivistët, despotët, gllabëruesit dhe poshtëruesit e vlerave të saj këtu e të fytyrës së saj në botë.

13 komente në “Topalli, zonja dhunëprodhuese në vend”

  1. gent says:

    Pse qeka dhune prodhuese kjo, akoma zihen meshkujt per Xhozin?

  2. fule says:

    Me duket se pervec fjaleve, qe kujt nuk i plas me ketu fundja, nuk eshte se kane ndonje gje ne dore kunder postit te kryeprokurorit. Madje urdher-ndalimi dhe kerekesa per heqje imuniteti mund ti shkoj kujtdo neser dhe ne cdo kohe (pavarsisht ne zbatohet apo jo dhe si gjykohet). Nuk eshte dhe aq gje e vogel.

  3. Falcon says:

    ne Tirane kete xhozefinen e quajne “Kizi i pazarit”..nuk ja vlein komentet per kete femer injorante

  4. Ilirian Bogonica says:

    Zoti Qosja, me kete analize perfekte, keni vendosur te gjitha pikat mbi (I) pervese jeni nje akademik i shkelqyer i kommbit tone, jeni dhe nje njeri me nje intuite shume te mprehte…
    Une e njoh familjarisht zonjen Ina Rama, ajo vjen nga nje familje e ndershme dhe patriote ku njerez nga familja e saj kane dhene jeten ne luften nacionalclirimtare dhe ne rradhe te pare eshte nje bashkeshorte dhe nene e mrekullueshme! Gjykimi moral, i amoraleve si Berisha, Jozefina dhe i tere klani i tyre korruptiv , shpiefes dhe trillues nuk perbejne asnje problem…per zonjen e nderuar Ina Rama, perkundrazi i japin me shume force qe ajo te bej punen e saj qe i takon me korrektese dhe vendosmeri! Koha do ti tregoj te gjitha poshtersite, padrejtesite qe po i behen popullit tone nga klanet qe kane pushtuar pushtetin tashme populli e ka dhene pergjigjen perfundimtare per keta palaco ”qeverritar” se kush jane realisht!!

  5. Epirioti says:

    Mero! Kur shkruani autorin mos ia ulni kaq shume vlerat. Jo Nga Rexhep Qosja, por Nga Akademiku Rexhep QOSJA. Une e di qe edhe ju nuk pelqeni intelektualet si gjithe populli e madje nuk po bezani asnje reagim per zhdukjen e institucionit te Akademise se Shkencave, as ju si media, as PD-ja(si autore) e as PS-ja si bashkeautore. Nuk ringjallet kombi pa intelektual, akademik dhe inteligjence. Mjere vatani e mjere mileti per mendjen qe keni, e une rri e harxhoj kohen time me ju

  6. raimondi says:

    Qosja duke folur ne kete menyre kaq Brilante
    ne te njejten kohe po mundohet te zgjoje nga gjumi ndergjegjen e Intelektulaeve te Shqipeirse qe ja ka futur gjumit per shtate pale qejfe
    Qosja po ju thote atyre se te gjithe duhet te ngrihen ne Mbrojtje te Prokurores se Pergjithshme kunder gjuhes prej Rugaci qe perdor Berisha
    –Sepse gjuha qe perdor Berisha kunder Ina Rames tregon ( nese do perfirazonim Qosen ) nje SHENDET MORAL te demtuar te Berishes dhe Ai duke folur ne ate menyre na fyen te gjitheve —-fyen cdo femer shqiptare ,
    ndaj te paret Intelektualet shqiptare duhet te protestonin kunder fjalorit te piste qe perdor Kryeministri
    Berisha
    ——-dhe nga ana tjeter duke folur here pas here per problemet me te mprehta te Shqiperise Profesori po ben DE -FACTO Bashkimin e Shqiperise me Kosoven -Kjo eshte akoma me cmuar spese ne kete menyre ne mesohemi te diskutojme per problemet tona ne te dyja anet e kufirit me te njejtin sentiment

    by the way –Qosja po fut shprehje te reja ne gjuhen shqipe, po e pasuron fjalorin tone

    Me pelqen atje ku thote nje shprehje te tille :,…… Shprehet Cenueshem —- Shume shprehje e bukur ,e shpreh me finese mendimin e tij duke e ngritur menyrne e te shprehurit ne shqip ne nivele siperore

  7. ed says:

    rajmond pajtohem plotesisht me vleresimet tuaja per profesor qosen , qe nga viti i larget 1990 kur e degjova intervisten e tij te pare ne radio tirana ku aq bukur shtruar dhe bindshem kerkonte heqjen e monumenteve te lenin stalinit nga bulevardi deshmoret e kombit ka mbetur perhere i respektur ne mendjen time, po ajo qe me beri pershtypje ne komenti juaj eshte vlerersimi i qoses si pasurues i gjuhes shqipe dhe ketu pajtohem plotesisht me ju . ky konstatim i juaj tregon leximin e vemendshem te shkrimeve te profesorit te nderuar dhe kulturen tuaj te pasur gjuhesore ,,,, por ketu pranome nje verejtje dashamirese e shoqerore perdorimi i shprehjes “by the way” shkon ne dreitim te kundert me komentin , faleminderit

  8. loni says:

    Falenderoj z. Rexhep Qosja per shpresen qe ngjall nder shqiptaret e vertete me keto shkrime realiste ne momentet e duhura. Akademiku eshte shembull i intelektualit perparimtar qe nuk pajtohet me mafiozet e ndyre qe drejton Sali Berisha. Ne keto momente te veshtira populli ka nevoje per keto shkrime te verteta dhe shpresedhenese. perkrahim te gjithe Ina Ramen ne punen e saj fisnike dhe ne shembullin e shkelqyer qe po jep persa i perket funksionimit te demokracise dhe shtetit te vertete. Jozefina kjo e paafte klasike dhe teveqele politike nuk ka dhe nuk di c’te beje tjeter, por per te mbulluar deshtimet dhe privilegjet e pamerituara leh si qen i Berishes.
    Ketu, zoti Qosja, fshataret (e kam fjalen si koncept jo si mjedis) por fshataret e keqinj, hajdute e kriminele, shpifes dhe genjeshtare kane vendosur regjim jo demokratik dhe nuk bejne asnje pune per vendin por veten vjedhin dhe ndajne pasurine e Shqiperire ndermjet tyre…kjo nuk durohet me…Une uroj qe zonja Ina Rama pasi t’i largojme keto qelbesira nga pushteti te zbatoje deri ne nje ligjin antimafie per keto kriminele duke filluar me Sali Berishen, djalin e tij kriminel dhe vajzen e tij te korruptuar, e me rradhe te gjithe monstrat qe vetequhen ministra si dhe ate bazhibozukun, ate hajdutin Meta, edhe gjithe te korruptuarit e tjere te PD.
    Turp per intelektualet shqipetare qe rrine e flene gjume dhe nuk nngrihen kundra ketyre mafiozeve qe shkaterruan vendin. Turp te kene qe pranojne Sali Berishen qe vret e pret, vjedh e shan, shpif dhe genjen….me falni se harrova ketu nuk ka intelektuale….ketu ka sahanlepires qe shkruajne letra kunder opozites kur ajo me te drejte proteston, jane sahanlepiresit si puna e atyre qe shkruajten kundra greves se urise ne bulevardin e Tiranes.
    Shpret do te shpetojme nga kjo klike kriminelesh, por shpetimi do te jete io vertete kur keto me sali berishen te parin te marrin denimin e merituar nga gjykatat qe do jene te cliruara nga sundimi i ketyre maskarenjeve.

  9. beso says:

    Gjuha e Saliut ndaj Ina Rames tregoi fundin e doktorllekut te Saliut;ishte tamam ne rolin e tij te vertete.Kur do jete me keq,ky mut burre do flase per dashnore dhe lesbike;eshte tipi i ulet Berisha per te pjelle thashetheme,dhe s’ka me keq se maloku i keq kur perzjen shpifjet me thashethemet.Po Ina Rama ka ne dore nje gje spektakolare;te therrase Saliun ne Prokurori,si deshmitar per vrasjet e 21 janarit,si person te informuar per faktet,pasi ky mut burri ishte brenda gjate gjithe kohes,dhe ne cilesine e kryeministrit DUHEJ dhe duhet patjeter te kete dhene urdhera direkte ne ato dy-tri ore.Te shenohen me kujdes ato qe do thote,se do kete surpriza hetimi,duke i bashkangjitur me deponimet e te ndaluarve.Dhe po te marresh Saliun ne pyetje,qe eshte e obligueshme-Ina Rames nuk duhet ti kete shpetuar kjo hollesi- le ta shohim pastaj malokun e pabese sesi flet ezber?Sa per Topallen,shoh me kenaqesi qe Profesor Qosja e permend kalimthi;eshte person qe nuk ia vlen ta permendesh.Topalle e pafsha!Pershendetje dhe respekt per Rexhep Qosen,njeriun qe me shume se kushdo shkrimtar tjeter shqiptar(Parisi eshte kryeqyteti i te dashuruarve-s’paskan thene kot)po ndihmon ti jape dinjitet demokracise sone!

  10. AdrianGJ says:

    Se Ina Rama u sulmua nga pozita teper e vertete….

    Por Z Qosja kontradiktone veten – na flet per nje shqiperi te qytetruar por pastaj na permend Kanunin ku burri duhet ta coj “nderin” a gruas ne vend…. Kanuni eshte mesjetar zoti Qosja, eshte e vertet qe eshte ende nje realitet is hidhur ne Shqiperi dhe Kosove.
    Kometet e Z Qosja jane seksiste dhe une ndihem i ofenduar dhe eshte nje ofendim per te gjithe femrate ne Shqiperi dhe Kosove kor thote se “Mund të them, ndërkaq, se me një gjuhë të tillë diskredituese, fyese dhe poshtëruese për një grua, që ka burrë, baba, vëlla, në Kosovë do të mund të flitej vetëm njëherë: gjasën për të folur ashtu për të edhe njëherë tjetër, diskredituesit, fyesit, poshtëruesit nuk do ta kishin më kurrë. Nderin e gruas, të motrës e të nënës, kur nuk e mbron shteti ligjor, do ta mbrosh vetë me Kanun, që është po ashtu një Kushtetutë zakonore e popullit, me disa vlera të tejkaluara dhe me disa vlera që vlejnë përgjithmonë.”

    Mos vadhe Z Qosja i konsideron femrat si te dobeta dhe nuk jane ne gjendje to mbrojne veten dhe burrat e ture duhet te ja u dergojne “nderin” ne vend…

  11. hajri says:

    CINIZMI DHE INJORANCA E KESAJ GRUAJE NUK HONEPSET.GJYNAH QE ESHTE SHKODRANE

  12. plaku says:

    I nderuari z.AdrianGJ.
    Ne shkrimin tuaj ju thoni “Kometet e Z Qosja jane seksiste dhe …..
    Do te mesoja dicka te re nga juve ne kuptimin qe ku e gjeni ju ne shkrimin e lartepermendur te Akademikut Qosja se komentet e tij jane seksiste ?

    Akademiku Qosja thote shprehimisht :

    “…… do ta mbrosh vetë me Kanun, që është po ashtu një Kushtetutë zakonore e popullit, me disa vlera të tejkaluara dhe me disa vlera që vlejnë përgjithmonë.”

    Nuk e di une mendj se per neve ne Shqiperi eshte nje fat i madh qe Akademiku Qosja shkruan dhe mendoj mendimet e tij duhet ti lexojme me kujdes dhe jo ti shperdorojme me paturpesi. Ai per Kanunin thote ” me disa vlera te tejkaluara “, pra ai nuk thote sic pretendoni ju se “burrat duhet t’ja u
    dergojne “nderin ” ne vend.

    1. AdrianGJ says:

      Z Plaku

      Aj eshte akademik dhe profesor – por kjo nuk do te thote se une apo nje tjeter te jemi dakord me ato qe shkruan. Kjo nuk do te thote qe ai apo ju te ofendoheni, nese nuk jame dakord, dhe te perdorni fjale te tilla si “paturpesi” sepse une si gjithe te tjeret kam opinionin tim.
      Une opinionin tim e argumentova me faktin se nje grau, ne nje qyteterim modern dhe te shkullit 21, nuk ka nevoje qe nje burre te ve ne vend nderin e saj – dhe nese nje gjuhe e tille do te perdorej ne Europen perendimore dhe demokratike do te quhej seksiste. Kuptohet qe Shqiperia eshte larg nga kjo demokraci por kjo duhet te jete aspirate jone.

      Ky eshte opinioni im – e respektoje opinionin tuaj te mesiperm por nuk jame dakord me te sespse me duket se nuk e kuptuat thelbine e komentit tim.

      Se fundi Z Qosja po shkruan shume per Shqiperine kohet e fundit dhe mezi pres te shoh nje artikull nga ai ne lidhje me Presidentin e ri te Kosoves…..

Comments are closed.

Lini një Përgjigje