Nga: Mustafa Nano
1- Zoti ekziston, mund të ekzistojë, duhet të ekzistojë apo nuk ekziston?
Mendoj se ekziston.
2. Gjuha shqipe ju duket e pasur, e varfër apo si të tjerat?
E pasur si alfabet, pasi ka 36 shkronja dhe si gjuhët e tjera, për sa i përket fjalorit.
3. Njerëzit janë esencialisht të mirë apo janë esencialisht të këqij?
Ka nga të dy llojet.
4. Do të ishit dakord që fëmija juaj të merrte pjesë në lojën televizive “Big Brother”?
Jo, nuk do të isha dakord.
5. Harmonia ndërfetare në Shqipëri është një legjendë apo një realitet i bukur?
Është realitet i bukur.
6. Shihni ndonjë unitet të qartë kulturor midis Shqipërisë e Kosovës?
Po shumë, jemi një komb.
7. Cili është njeriu më i rëndësishëm, numrin e të cilit e keni në phonebook?
Në nivel zyrtar kombëtar, numrin e Presidentit të Republikës, ndërsa në nivel zyrtar ndërkombëtar kam numra presidentësh dhe kryeministrash. Në rrafshin shpirtëror kuptohet që numrat më të rëndësishëm janë të familjes sime.
8. Mendoni se në botën e sotme demokratike (mund të) bëhen vrasje për arsye shtetërore?
Jo, nuk mendoj se duhet të ketë vrasje për “arsye shtetërore”. Ka pasur shekuj më parë, por jo sot.
9. Fan Noli udhëhoqi një grusht shteti apo një revolucion demokratik në vitin 1924?
Do të duhej një informacion i plotë, i saktë dhe jo i ngjyrosur për të dhënë një gjykim të saktë.
Nga historiografia e para viteve ‘90 është cilësuar si një revolucion demokratiko-borgjez, ndërsa në realitet edhe mund të ishte një marrje pushteti që ngjason me një grusht shteti, por që po të kishte jetëgjatësi, mund të ishte një përpjekje për qeverisje demokratike.
10. Ajo që komunistët e kanë quajtur “Lufta Nacionalçlirimtare”, ka qenë sipas jush edhe luftë civile?
Po, ka pasur edhe elementë të luftës civile, sidomos pas prishjes në mënyrë të njëanshme të Marrëveshjes së Mukjes nga Enver Hoxha dhe asistentët e tij jugosllavë.
11. Nëse do t’ju kërkonin të veçonit ndonjë arritje të diktaturës komuniste pesëdhjetëvjeçare, çfarë do të thoshit? Arsimi dhe shëndetësia.
12. Sikur të kishit jetuar në vitet e Luftës së Dytë Botërore, do të rreshtoheshit me partizanët, me Ballin Kombëtar apo do të qëndronit asnjanës?
Xhaxhai u rreshtua me partizanet ku dha edhe jetën, ndërsa babai u rreshtua me nacionalistët.
Di me siguri që do të luftoja për çlirimin e vendit dhe besoj se do të rreshtohesha me patriotët nacionalistët, që kërkonin përveç çlirimit të Shqipërisë edhe bashkimin me Kosovën.
13. Largimi i Ahmet Zogut nga Shqipëria në prill të vitit 1939 është një gjest i qortueshëm apo i kuptueshëm?
Pavarësisht rrethanave, do ta quaja të qortueshëm, aq më tepër që ikja e tij i hapi rrugë ardhjes më vonë të komunistëve në pushtet.
14. Do të ishit dakord të përkthehej në gjuhën shqipe “Mein Kampf” i Adolf Hitlerit?
Pse jo, nuk shoh ndonjë gjë të keqe nga librat.
15. Cili është njeriu më i rëndësishëm, me të cilin ju keni bërë një fotografi?
Ish-Presidenti amerikan Bill Clinton.
16. Çfarë ishte në të vërtetë ajo që ndodhi në vitin 1997?
Një aliazh tipik shqiptar me pasoja anti-shqiptare, me pak lakmues nga jashtë.
17. Mendoni se do të ishit në gjendje të vrisnit një njeri në kushtet, kur ky njeri kërcënon jetën tuaj apo të së dashurve tuaj?
Është gjëja e fundit që do të mendoja në jetën time, por nëse nuk do të kisha zgjidhje tjetër dhe për të mbrojtur familjen time, edhe mund ta bëja.
18. Ne shqiptarët jemi europianë me titull të plotë?
Fatkeqësisht akoma jo, më duket se lexova një ditë në gazetën tuaj, në mos gaboj, një definim që më pëlqeu, jemi europian “part time”.
19. Në cilën ngjarje të madhe të historisë botërore do të donit të kishit qenë protagonistë?
Nga pikëpamja shkencore përkrah Edisonit në shpikjen e elektricitetit, nga pikëpamja historike përkrah gjeneralit Ajzenauer në zbarkimin e trupave aleate në Normandi, gjë që shënoi kthesën dhe fatin e Luftës së Dytë Botërore, në dobi të qytetërimit dhe të vlerave të tij.
20. Me cilin personazh të historisë së Shqipërisë do të kishit dashur të bënit një bisedë të gjatë e të shtruar?
Me Ahmet Zogun.
21: Cili është libri që po lexoni?
Libri i George W. Bush “Decision Points”, ku fatkeqësisht nuk thuhet asnjë fjalë për Shqipërinë dhe pritjen madhështore që iu bë.
22. Cili komb europian ju ndjell më shumë me historinë e me kulturën e vet?
Anglezet me historinë dhe francezët me kulturën.
23. Si do të reagonit, sikur të merrnit vesh se djali/vajza juaj është homoseksual(e)?
Katastrofë, nuk do ta imagjinoja dot.
24. Keni frikë nga vdekja?
Jo, dhe po citoj një shprehje që nuk është e imja, por më pëlqen. “Nuk kam frikë nga vdekja, pasi kur jam unë, nuk është ajo dhe kur është ajo, nuk jam unë.”
25. Ç’është Atdheu?
Ai vend ku jeta është e bukur dhe të shijon më shumë se në vende të tjera.
Comments are closed.
Kjo ishte nje interviste kote per te mbushur faqet e gazetes. Une nuk e dije perse e bejne Aleksader Biberaj kaq te rendesishem. Per mua kjo ishte humbje kohe kur e lexova kete interviste. Ky eshte mendimi im. Mos harroni se edhe ky ishte klyshe i berishes. Berisha nuk i dha nje post ministrie dhe tani ben gjoja si rrebel.
Intrevista quiz kuiz. Pyetje pa kemishe gazetari. Biberaj eshte i detyruar te pergjigjet si Beluli, (ne fakt te gjithe jemi nga pak Beluler) por pyetjet e Nanos jane si ai mushti i rrushit i nxjerre prej rrusheve te papjekur. Natyrisht do te lexojme edhe keto gjera.