Kabineti i qeverisë Thaçi pritet të freskohet me emra të rinj, por nga radhët e PDK-së mbeten pothuajse të njëjtit persona që ishin deri tash në udhëheqje. Burime të KTV-së brenda kësaj partie flasin për krijimin edhe të një ministrie të re.
Përveç emrave të rinj, të cilët pritet të freskojnë qeverinë e re, pritet të krijohet edhe një ministri, ajo për Dialog, bëjnë të ditur burime të KTV-së brenda PDK-së.
Kjo ministri, sipas tyre, do të udhëhiqet nga ministrja në largim e Administratës Publike, Edita Tahiri.
Vlora Çitakut duket se po i shkojnë për dore punët e jashtme, meqë i ra të merret me këtë punë pas dorëheqjes së ministrit Hyseni. Andaj pritet ta marrë timonin e diplomacisë.
E ministri në dorëheqje, Enver Hoxhaj, emri i të cilit është përmendur së fundi për ministër të Jashtëm, do ta zërë vendin e kolegut të tij partiak, Besim Beqaj.
Hoxhaj, sipas këtyre burimeve, pritet të jetë ministër i Integrimeve.
Ndërsa Besim Beqaj, ministër i Ekonomisë dhe i Energjisë, dikastere këto të cilat mandatin e kaluar kanë funksionuar si të ndara.
Memli Krasniqi do të jetë ministër i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, ministri kjo e cila deri tash është udhëhequr nga Fatmir Limaj.
Ramë Buja pritet të emërohet ministër i Arsimit.
Ndërsa Blerand Stavileci, siç duket, nuk do t’i dalë punë të bartet nga njëra ministri në tjetrën, pasi do të mbetet në ministrinë e njëjtë, atë të Bujqësisë.
Nga pozita aktuale nuk do të lëvizë as Bajram Rexhepi, ministër i Punëve të Brendshme.
Hajredin Kuçi do të mbetet sërish zëvendëskryeministër, mirëpo ai do të ngarkohet edhe me një përgjegjësi tjetër, duke marrë postin e ministrit të Drejtësisë.
Ministër i Financave pritet të emërohet Bedri Hamza.
Ndërsa për Ministrinë e Kulturës fliten dy emra; Lirak Çelaj ose Berat Buzhala.
Jashtë qeverisë do të mbesin Fatmir Limaj, Ahmet Shala dhe Justina Pula Shiroka.
Ndërkaq, sipas medieve të shkruara, “Lista Ibrahim Rugova” do të marrë një zëvendëskryeministër, një ministri dhe dy zëvendësministra. Nga ky subjekt Bujar Bukoshi parashihet të jetë zëvendëskryeministër për zhvillim ekonomik, ndërsa Dardan Gashi – ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
E AKR-ja pritet t’i drejtojë Ministrinë e FSK-së me Agim Çekun në krye, atë të Tregtisë dhe Industrisë, për të cilën është folur emri i Mimoza Kusari Lilës dhe Ministrinë e Shëndetësisë, të cilën do ta drejtojë Ferid Agani.
Ndërkaq, siç kanë raportuar sonte disa media përbërja e ekzekutivit të ri do ta ketë Edita Tahirin, si zëvendëskryeministre për njohje dhe politikë të jashtme; Hajredin Kuçin, zëvendëskryeministër për rend e ligj; Bujar Bukoshin, zëvendëskryeministër për zhvillim. Ndërkaq, Ministria e Kthimit dhe Komuniteteve dhe ajo e Administratës Publike do t’u takojë komunitetit serb, kurse ministër i Pushtetit Lokal do të jetë Mahir Yagcilar.
“KD”