Presidenti Bamir Topi, gjatë një ceremonie të zhvilluar me rastin e 20-vjetorit të rënies së bustit të diktatorit Enver Hoxha, ka deklaruar se demokracia nuk duhet të ndërtohet mbi bazën e harresës së atyre që kanë ndodhur gjatë komunizmit.
“Demokracia, që ne po përpiqemi të ndërtojmë me aq mund, sakrifica e përkushtim prej më shumë se dy dekadash, vërtet që nuk duhet dhe nuk mund t’i ketë themelet e veta mbi harresën, aq më keq mbi orvatjet e dështuara për të shpërndarë dhe justifikuar masën e fajit, duke tentuar njehsimin e vuajtësve me xhelatët, të të përndjekurve me inkuizitorët. Ja përse na duhet një fotoekspozitë e tillë, prej së cilës të gjithë ne mund të mësojmë shumë. Ja përse na duhen libra, dokumentarë, muzeume, vepra artistike dhe rrëfime-kujtesë. Ja përse na duhen dëshmi të gjalla të të mbijetuarve nga burgjet dhe kampet e internimit komunist dhe përkujtimore të viktimave. Sot, më tepër se asnjëherë tjetër, pas njëzet vjetësh në demokraci, pas shembjes së busteve e monumenteve të rreme e të fabrikuara, ne kemi nevojë për të rikujtuar dhe reflektuar. Kemi nevojë për heronj pozitivë të historisë sonë kombëtare, për figura me virtyte të vërteta njerëzore dhe me shpirt të lirë e demokratik, për shembuj, nga të cilët brezi i ri duhet të ndihet krenar e të frymëzohet, duke u mëkuar e rritur me atdhedashuri”, tha presidenti Topi.
Presidenti Topi nënvizoi se “shtrembërimi i historisë, harresa apo pluhurosja e qëllimshme e ngjarjeve dhe personazheve historike, është një grackë ku nuk duhet të bihet, pasi kjo do të ishte zvetënim dhe dobësim i ndërgjegjes së një kombi dhe i kujtesës historike të tij”.
Comments are closed.
…akoma me dallaveret e ndertimit e rindertimit te demokracise, ne Saliun o Bamir!! akoma flet me cliche te vjeteruara si mund te ndertohej ndryshe po nuk u harruan faktet se Berisha ishte komunist fanatik per 24 vjet dhe Nano po ashtu punonte ne Komitet Qendror me drejtorese N.Hoxhen, dhe ti qe ke ngrene çorben e tyre dhe te çuan te studioje ne Itali, ne kohen qe jashte shqiperise nuk dilnin vetem mizat dhe te besuarit e rregjimit kaq. pike .
Per qfare demokracie e ke fjlen Z. Topi??? Ne Shqiperi ka demokracie vetem per Njerezit qe jane te veshur me pushtet. Ne Shqipri ka economi te mire vetem per ato Njerez qe jane te veshur me pushtet.
Kurse populli i thjeshte as buken e thate nuk e kane. Shume Njerez diskotojne buken e gojes, sepse Berishes i intereson vetem pushteti.