Partia Socialiste ka reaguar pas fjalimit të kryeministrit Berisha gjatë koncertit të organizuar në sheshin “Nënë Tereza”, duke thënë se kryeministri e ka kthyer 20 shkurti në një ditë urrejtjeje kundër opozitës.
“Sot duhet të ishte një festë spontane e popullit, aspak një miting i Sali Berishës ku arsimtarë, studentë e punonjës të administratës nga anembanë vendit ngjishen në autobusë e nxirren në shesh për të treguar sesa e do populli regjimin e Saliut. Sali Berisha po ndjek shembujt e shëmtuar të diktatorëve në largim. Historia e vjetër dhe e re e diktatorëve, është sot modeli dhe historia e fundit të Sali Berishës.
Ai po vret për të ndalur protestat, ai po fyen gjakun e të vrarëve për drejtësi para zyrës së tij, ai po rreh barbarisht për të trembur valën e pakënaqësisë popullore, ai po organizon anti-mitingje groteske duke e kthyer 20 shkurtin nga një ditë simbol të opozitarizimit kundër diktaturës në një ditë të urrejtjes kundër opozitës. Kjo fotografi, ku Saliu qëndron në majë të varkës familjare të diktatorit Enver Hoxha, është prova më e qartë e se Sali Berisha ishte dhe mbetet njeriu i diktaturës.
Prandaj në ditët e javët në vijim, shqiptarët do të protestojnë më të shumtë se kurrë kundër Saliut e Ilirit e kusarëve me bllok në dorë, të cilët nuk mund të trembin më askënd me dhunën e fjalëve dhe dhunën e armëve pas të cilave janë strukur këta kusarë”.
Më tej, Balla përmendi tubimin paqësor të opozitës dy ditë më parë duke thënë se “200 mijë shqiptarë demonstruan paqësisht ditën e premte, më 18 shkurt, kundër regjimit të Sali Berishës, por edhe më të shumtë do të protestojnë në ditët e javët në vijim kundër kusarisë e matrapazllëkut të Saliut e Ilirit. 200 mijë shqiptarë protestuan të premten, por më shumë do të protestojnë në ditët në vijim kundër këtij regjimi, që flet për mrekulli ekonomike në një vend me 1 milion të papunë.
Dhjetëra e qindra mijëra shqiptarë do të protestojnë me vendosmëri kundër mjerimit ku i ka zhytur ky regjim hajdutësh, në një kohë që vetë Saliu, djali e vajza e farefisi, ministrat e oborri po plaçkitin çdo gjë me vlerë që ka ky vend. Vetëm këta vrasës dhe matrapazë po përjetojnë sot një mrekulli ekonomike në xhepat dhe vilat e tyre.
Shqiptarët e ndershëm do të vazhdojnë të protestojnë kundër korrupsionit me bllok në dorë, kundër plaçkitjes së 1280 pasurive të fundit publike që i kanë mbetur këtij populli, të cilat Saliu synon t’i përpijë në vetëm dy muaj sepse e ndjen se i ka ardhur fundi dhe se populli nuk e duron dot më mbi supe barrën e korrupsionit, vjedhjeve, matrapazllëqeve e pafytyrësisë të Sali Berishës, Ilir Metës, Lulzim Bashës e ministrave e shërbëtorëve të tjerë të këtij pushteti të vjedhur.
Sot Sali Berisha bën festë, por vetëm një muaj më parë vrau me gjakftohtësi me pushkët e Gardës Republikane, ashtu siç vrau Ahmadinexhadi në Iran, katër shqiptarë të pafajshëm që ngritën zërin e demonstruan kundër regjimit të tij”, deklaroi deputeti i PS-së, Taulant Balla.
Comments are closed.
…mire Berisha,po ju shikoni se po na lodhni me mitingje pas mitingjesh dhe pastaj ikni me bisht nder shale sapo t’iu vije ndonje burrokrat nga brukseli. Jo po hyjme ne zgjedhje, jo po s’hyjme ne zgjedhje , zgjedhje te parakohshme, e terrci e verrci, tani me duket se po hyni ne zgjedhje me bisht nder shale perseri.
Thate qe gjaku i kater demostruesve nuk behet uje dhe nuk harrohet, sot pas nje muaji na rezulton se Berisha eshte njelloj i forte, pa iu prekur asnje fije floku si para 21 janarit.
Nuk e di, po edhe ju po luani me durimin dhe pasionin e njerezve per drejtesi! Me duket se edhe kete rradhe i keni bere hesapet pa hanxhinjte e brukselit dhe washigtonit.