Partia e vogël që mban qeverinë e PD-së me votat e saj po kërkon të marrë të paktën 20 për qind të bashkive e komunave në “tavolinë” duke i kërkuar PD-së që të mbështesë kandidatët e saj. Luan Rama zbardh negociatat e vështira që po vazhdojnë prej kohësh dhe akoma nuk kanë akorduar në një marrëveshje konkrete mes dy partive. Problemi që hasin ka të bëjë me elektoratin, pasi në momentin kur PD vendos ti japë LSI-së një bashki apo komunë atëherë duhet të binde elektoratin e saj që të votojë për atë kandidat. Në një njoftim të dërguar për median Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama hedh dritë mbi këto negociata që deri më tani janë mbajtur krejt të fshehta jo vetëm nga publiku por dhe nga vetë forumet e dy partive. Ai thotë se LSI ka potenciale kandidatësh për çdo bashki duke lënë kështu të kuptohet se presioni që ajo po i bën PD-së është shumë i madh për të marrë bashki të mëdha. “LSI në këtë fazë që flasim LSI ka kandidatë për kryetarë për të gjitha bashkitë dhe komunat e vendit. Kemi gjithashtu pothuaj në të përfunduar listat e kandidatëve për të gjitha këshillat e bashkive dhe komunave por në varësi të marrëveshjes së bashkëpunimit do të përcaktojmë se çfarë bashkish dhe komunash do të ketë kandidatë për kryetarë atë që përfaqëson LSI. Ne me shumë seriozitet po punojmë për të konkurruar në të gjithë vendin. Kemi emra kandidatësh për të konkurruar në të gjithë vendin duke filluar që nga Bashkia e Tiranës dhe në tryezën e bisedimeve me PD-në do të ofrojmë argumentet, kontributet dhe ermin që garanton fitoren jo thjesht nën emrin apo nën flamurin e partisë por nën e emrin e qytetarëve që votojnë”, shprehet Luan Rama. Më tej ai pranon se megjithatë LSI ia ka vënë syrin disa bashkive por pa bërë të ditur qytetet. “Natyrisht ne kemi disa prioritete, kemi disa zona që i konsiderojmë të rëndësishme për performancën politike dhe qeverisëse të LSI. Do të paraqesim argumentet tona se përse duhet që në këto zona të konkurrojë kryetari i propozuar nga LSI, me logjikën që kandidati ynë ofron padyshim më shumë garanci për të fituar në këto njësi vendore. Nga kjo logjikë do të arsyetojmë dhe më pas do të konkludojmë. Ne jemi në fazën e përmbylljes së këtyre projekteve”, thotë ai.
Më tej Rama thotë se nëse PD nuk do të pranonte që një zonë të preferuar të LSI-së të mos ia japë asaj atëherë mund të prishet marrëveshje dhe të dalin përballë njëra-tjetrës dhe pse në koalicion. “Ne jemi në një fazë konsultimesh. Do të diskutojmë me përfaqësuesit e PD, zonat ku e preferojë të kandidojmë dhe zonat ku ata preferojnë të kandidojnë. Me këtë konkluzion, pasi të kemi përcaktuar zonat se ku do të kandidojmë, do t’u drejtohemi forumeve tona drejtuese për të vendosur përfundimisht emrin dhe gjithçka lidhet me hapësirën e bashkëpunimit”.
LSI po mundohet ta “shesë” shtrenjtë mbështetjen e saj për kandidatin e PD-së në Tiranë me pretendimin se votat e saj janë përcaktuese për tu përballur me PS-në e cila mban këtë bashki prej tre mandatash rresht. Luan Rama lë të kuptohet se pazari në Tiranë po bëhet për minibashkitë në këtë rast. “Pra në këto zgjedhje jo vetëm Tirana, e cila është padyshim kryefjala e këtyre zgjedhjeve, por në shumë njësi vendore është koha që qytetarëve t’i ofrohet një projekt i ri zhvillimi, t’i ofrohet një njeri në drejtim, dhe nga kjo logjikë unë gjykoj dhe besoj se do të konkludojmë në një marrëveshje bashkëpunimi të suksesshme dhe që garanton fitoren”, sqaron ai duke theksuar se negociatat synojnë të bëjnë “zgjedhje të matura, zgjedhje që nuk burojnë në zgjedhje klienteliste dhe emocionale.”
Comments are closed.
Tre jane gjerat qe me shkojne ne mend duke lexuar kete njoftim.
1 LSI po i ben presion PD.
2 Po qe se PD i jep kerkeses se LSI 20 % te kandidateve per zgjedhje ne pushtetin lokal atehere e ka te sigurte qe i ka te humbura 20% te votave, sepse ne keto zona zgjedhore antaret e PD nuk do te pranojne ne mase (ne disa raste hapur , ne te tjerat heshturazi) qe te votojne per hajdutet e LSI (sic e konceptojne ata).
3 PD dhe LSI do te bejne gjoja se nuk merren vesh per zgjedhjet vendore e per pasoje,do te thone ata,do te dalin ne zgjedhjet e pushtetit lokal si kundershtare, por megjthate gjoja, per hir te integrimit europian, do te vazhdojne te qeverisin ne nivel qendror. Ne kete rast i gjendet ilaci edhe situates kur PS nuk do te mare pjese ne zgjedhje.
Si ju duket ? Edhe ata e dine se gjithcka eshte e qepur ne pe te bardhe, por nuk kane se c’te bejne.
LSI po ndeshkon te arrdhmen e saj duke mbajtur qeverine e Berishes.