Topi takon Imzot Palian: Duhen respektuar institucionet e pavarura kushtetuese

2 Mars 2011, 12:36Politika TEMA

Presidenti Bamir Topi priti sot përfaqësuesin e Komunitetit të “Sant’ Exhidios”, Imzot Vinçenco Palian me rastin e njëzetvjetorit të ardhjes për herë të parë në vendin tonë. Palia njihet si negociator në disa prej konflikteve në rajon, përfshi edhe në ngjarjet e vitit 1997 në Shqipëri.

Edhe në këtë takim që Kryetari i Shtetit shqiptar zhvilloi me Imzot Palian u diskutua për zhvillimet e fundit dhe situatën në Shqipëri.

“Këto zhvillime kanë pushtuar jo vetëm diskursin politik, publik, shoqëror, por edhe mendjet e qytetarëve shqiptarë, të cilët aspirojnë vlera demokratike e evropiane të sjelljes dhe përgjegjësisë politike, shtetërore dhe institucionale,” tha Topi. “Duhen respektuar institucionet e pavarura kushtetuese dhe duhet hequr dorë nga retorika e ashpër për t’iu rikthyer dialogut konstruktiv politik e institucional dhe për t’u përgatitur e zhvilluar sipas standardeve zgjedhjet e ardhshme vendore të 8 majit 2011,” vijoi më tej Topi.

Nga ana e tij, Imzot Vinçenco Palia vlerësoi rolin e Kryetarit të Shtetit në këtë situatë dhe nënvizoi rëndësinë e përballimit së saj me maturi dhe përgjegjshmëri, duke ritheksuar domosdoshmërinë e vendosjes së dialogut konstruktiv mes palëve politike dhe gjetjen sa më të shpejtë të zgjidhjes institucionale, që do t’i shërbente më së miri edhe aspiratës integruese të Shqipërisë në familjen evropiane.

Lini një Përgjigje