Presidenti Bamir Topi, nëpërmjet një letre, ka ngushëlluar presidentin amerikan, Barak Obama, për vrasjen e dy ushtarëve nga ana e kosovarit Arid Uka.
“I nderuar Zoti President,
Me hidhërim shumë të thellë mora lajmin makabër të vrasjes së dy ushtarëve amerikanë dhe plagosjen e dy të tjerëve nga një dorë kriminale dhe terroriste, që preku rëndë ndjenjat e kombit shqiptar dhe atij amerikan, në një moment të shkëlqyer të marrëdhënieve të gjithanshme midis dy popujve e vendeve tona.
Në emër të popullit shqiptar, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave, qeverisë Suaj dhe gjithë popullit amerikan.
Shpreh bindjen e plotë se shumë shpejt do të zbulohen motivet kriminale të kësaj dore gjakatare dhe drejtësia do të japë dënimin e merituar.” – thuhet në mesazhin e Presidentit Topi.