Varfëria merr pesë jetë në Gramsh dhe Ersekë

5 Mars 2011, 08:08Politika TEMA

Tre persona janë gjendur të vdekur mbrëmjen e djeshme në Gramsh pasi janë zënë nga tavani i një godine ku po merrnin skrap. Policia pohoi se viktimat janë Altin Elezi 37 vjeç, Nazif Boja 22 vjeç dhe Dritan Hoxholli 28 vjeç. Ata kanë gjetur vdekjen në momentin që ishin duke nxjerrë hekur në një ndërtesë tek godina e ish-rezervave të shtetit, në fshatin Bratilë të komunës Kodovjat. Godina e vjetër është shembur duke zënë poshtë tre punëtorët. Burimet e policisë në vendin e ngjarjes pohuan se ende nuk dihet kur është koha e saktë e ngjarjes. Vendi ku ka ndodhur ngjarja është në një zonë të izoluar dhe tre viktimat janë gjetur dje nga një banor që ka kaluar rastësisht. Nga hetimet e para mendohet se goditjet e vareve të tre viktimave kanë dëmtuar murin mbajtës të godinës ë vjetër. Në një moment muri ka rënë dhe për pasojë soletat e tavanin kanë zënë poshtë tre personat. Hetuesit pohuan se Elezi mendohet të jetë personi, i cili kishte një pikë të grumbullimit dhe shitjes së skrapit në Elbasan, ndërsa personat e tjerë punonin për të kundrejt një pagese të caktuar.

Banorë të zonës kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë tentuar që të nxjerrin viktimat, por ato kishin vdekur. Për më tepër se gjysmë ore, punonjësit e policisë, kanë punuar për të nxjerrë trupat e viktimave, të cilët më pas janë nisur për në morgun e spitalit të Elbasani.
Sipas policisë këta të fundit kanë udhëtuar drejt fshatit Bratilë me makinën e 28-vjeçarit Hoxholli. Banorët e zonës pohuan se ndërtesa e vjetër ishte nderuar për ushtrinë dhe më pas ishte vënë në përdorim të rezervave të shtetit. Prej vitesh ajo ishte e braktisur dhe tejet e amortizuar.

Policia ka marrë kontakt me familjet e viktimave, të cilët kanë pohuar se tre burrat ishin larguar mbrëmjen e së enjtes dhe që nga ai moment nuk kishin marrë asnjë njoftim prej tyre. Ekspertët kanë nisur hetimet për ngjarjen dhe paraprakisht prej tyre është ngritur versioni se ngjarja është aksidentale. Pritet që sot policia të ketë edhe një konkluzion përfundimtar në lidhje me ngjarjen pas përfundimit të plotë të akteve të ekspertimit, autopisë së trupave të viktimave dhe veprimeve të tjera hetimore.

Dy persona humbën jetën teksa përpiqeshin të nxirrnin gurë në një gurore. Ngjara e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në fshatin Qinamin të Ersekës. Viktimat janë Bujar Avdyli 59-vjeç dhe Pandi Prifti 64- vjeç. Bëhet e ditur se punëtorët i ka zënë një masiv gurësh duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, të cilat po punojnë për zbardhjen e e ngjarjes së ndodhur, ndërsa pritet që pas hetimeve të tyre të bëhen të ditura më shumë detaje përfshijnë edhe verifikimin e kushteve teknike në punë./shekulli/

1 komente në “Varfëria merr pesë jetë në Gramsh dhe Ersekë”

  1. nicolla disha says:

    Ku eshte Berisha qe thote se economia Shqiptare eshte e mire??
    Ja shikoje Z. Berisha qe 5 jete vdesin nga varferia qe po i merr perdite shpirtin Shqiptareve.
    Po kjo a eshte nje prove e forte qe tregon se economia e popullit Shqiptare ka permasa shkatrruese??

Comments are closed.

Lini një Përgjigje