Berisha e shpall vetë fituesin për ndërtimin e tunelit të Kërrabës

7 Mars 2011, 19:30Politika TEMA

Kryeministri para grupit të PD: Më 3 mars u shpall fituesi që do ndërtojë tunelin e Kërrabës. Më 3 mars vetëm sa u hapën ofertat. Vetë Olldashi deklaroi se fituesi do shpallet brenda dy javësh

Kryeministri Sali Berisha u shpreh përpara deputetëve të tij se është shpallur fituesi i kompanisë që do ndërtojë tunelin e Kërrabës. Berisha shtoi se fituesi është shpallur më 3 mars. Por në këtë ditë vetëm sa janë hapur ofertat për ndërtimin e këtij tuneli. Në konferencë për shtyp doli vetë ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, që u shpreh se gara do jetë e fortë dhe transparente, edhe pse nuk dha asnjë emër kompanie që po garon. Ky është një shembull për të treguar se si bëhen garat për projekte të mëdha në Shqipëri. Është e qartë për shumëkënd që fituesin e vendos vetë kryeministri dhe gjithçka është një farsë. Por sinqeriteti i Berishës është për tu admiruar.

Berisha para grupit

Para deputetëve Berisha tha se ishte një sukses edhe marrja e një kredie prej 200 milion dollarë nga Banka Islamike. Ai tha se kjo është e paprecedent. Megjithatë edhe Banka Islamike ka dhënë më pak nga sa ishte kërkuar. Vetë procesi i kërkimit të kredisë në treg të huaj ka qenë aspak transparent.

“Sot unë kam kënaqësinë t’ju informoj ju, por edhe qytetarët e Beratit, Lushnjës, Skraparit, Shkodrës, se ministria e Transportit dhe Punëve Publike ka marr porosi të hapë menjëherë tenderin për prokurimin në të gjithë gjatësinë të rrugës Lushnjë – Berat dhe të bypassit të Shkodrës. Në datë 3 mars, siç jeni informuar, u shpall kompania fituese që do të ndërtojë tunelin e Kërrabës. Ajo do ta ndërtojë brenda 18 muajsh. Ndërkohë këtë javë qeveria miraton dhe sjell në Parlament marrëveshjen me Bankën Islamike, e cila në një akt të paprecedent dha një kredi prej rreth 200 milionë dollarë, rast që nuk ka dhënë ndonjëherë këtë shumë. Por shkaku më kryesor i dhënies së saj ka qenë suksesi i projekteve të kësaj banke dhe të gjitha institucioneve financiare ndërkombëtare në Shqipëri. Punimet për tunelin do të nisin gjatë muajit prill, tunel ky që përbën dhe segmentin më nevralgjik të Korridorit 8 dhe Boshtit të Jugut. Autostrada Tiranë – Elbasan dhe tuneli i Kërrabës i kanë dhënë përgjigjen më të shkëlqyer qoftë segmentit më të vështirë dhe më problematik të Korridorit 8, por i kanë edhe përgjigjen më të shkëlqyer segmentit më problematik dhe më të vështirë të Boshtit të Jugut, sepse japin veprën e transportit më të përshtatshme, të distancës më të shkurtër dhe shpejtësisë më të madhe,” tha Berisha.

Olldashi para mediave

Më datë 3 mars u hapën ofertat elektronike për ndërtimin e tunelit të rrugës Tiranë – Elbasan. “Nga 26 kompani që morën pjesë fillimisht në tenderin e zhvilluar më datën 13.1.2011, u përzgjodhën 13 kompani që përmbushnin të gjitha kërkesat dhe detyrimet e dokumentacionit ligjor të prokurimit, 7 prej të cilave kanë paraqitur oferta ekonomike,” thuhet në njoftimin e Ministrië së Transporteve.

Ministri Olldashi e cilësoi procedurën “tërësisht transparente” dhe ndër të tjera shtoi se “tenderi i hapur ka bërë të mundur që ofertat ekonomike të jenë shumë të mira”.

“Kompani që kanë marrë pjesë në këtë procedurë kanë eksperiencë të gjatë në ndërtimin e tuneleve,” tha Olldashi.

“Ajo që është për tu theksuar është që proçedura tërësisht transparente dhe tenderi i hapur ka bërë që ofertat ekonomike të jenë shumë të volitshme, që do të thotë që nga 15.4 miliariardë që ka qënë fondi limit për ndërtimin e tunelit, ofertat variojnë në një ulje që shkon nga 81% e vlerës, oferta më e lartë ekonomike, në 54% të vlerës që është edhe oferta më e ulët”.

“Ndër të tjera duke e cilësuar këtë proçes si një garë shumë të fortë dhe duke besuar që do të sjellë tashmë të njëjtën cilësi edhe në ndërtimin e këtij projekti të madh të infrastukturës rrugore, ministri Olldashi tha se për shkak të respektimit të proçedurave ligjore nuk mund të jap detaje në lidhje me emrat e kompanive apo për elementë të tjerë teknik të këtij procesi,” thuhet në njoftimin e MPPT. Olldashi tha se fituesi do dalë brenda dy javësh.

3 komente në “Berisha e shpall vetë fituesin për ndërtimin e tunelit të Kërrabës”

  1. MEMEDHETARI says:

    Njeri i bie gozhdes e tjetri patkoit…
    Pastaj njeri i bie patkoit e tjetri gozhdes…
    Ne fakt asnjeri nuk eshte nallban.-
    Jane te dy sharlatane…

  2. beso says:

    Tyneli do behet qe te shkohet nga Tirana ne Elbasan me shpejtesine me te madhe,Po rrojti Salia ne karrike dhe nja tridhjet vjet,shpejtesia max.ne te gjithe rrugen Tr-El do ejet 40 km/ore.Ah,harrova te fundit;kompania qe ka fituar ishalla eshte Bechtel,se tenderuesit qe s’tregohen do kene qene;Bechtel-Enka.pastaj Enka-Bechtel,pastaj Bechtel vetem,Enka vetem,dhe ne fund Birra Tirana..

  3. plaku says:

    O popull, mire ta bejne qe tallen keshtu me ty, vete i zgjodhe ?!

Comments are closed.

Lini një Përgjigje