Socialistët Europianë: Nuk ka kompromis me demokracinë. Mbi protestuesit nuk qëllohet me armë

7 Mars 2011, 19:46Politika TEMA

-Deklaratë e ashpër e drejtuesve të Partisë së Socialistëve Europianë: Duhen larguar nga shoqëria fenomeni i korrupsionit dhe vrasjes së protestuesve

-Eurosocialistët shprehin shqetësim edhe për zgjedhjet lokale duke vënë theksin tek mundësia e manipulimeve në Tiranë

Socialistët europianë janë treguar të rreptë me qeverisjen Berisha, sidomos me aktin e vrasjes së 4 protestuesve. Qëndrimi është mbajtur nga drejtuesit më të lartë të Socialistëve Europianë gjatë samitit që kanë zhvilluar ata në Greqi. Presidenti i Partisë Socialiste Europiane,

Poul Nyrup Rasmussen dhe ish kryeministri italian Massimo D’Alema në një konferencë për shtyp gjatë punimeve të Samitit të lartë të të majtës europiane kanë shprehur shqetësimin serioz lidhur me zhvillimet në Shqipëri. Ata kanë kritikuar Berishën për sjelljet e tij të përsëritura autoritare. Dy liderët nënvizuan faktin se me demokracinë nuk mund të bëhet kompromis dhe se nuk mund të qëllohet me armë ndaj protestuesve.

“Mund t’ju them se sot në mëngjes kemi pasur mundësi të diskutojmë situatën në Shqipëri dhe se Edi Rama, lideri ynë na informoi ne, mbi zhvillimet shqetësuese dhe ne i ndoqëm ato që tha me shumë shumë kujdes si pjesë e komitetit tonë që merret me Ballkanin. Besoj që është shumë e rëndësishme të mos bëhet kompromis me demokracinë dhe të insistohet që të largohen nga shoqëria, nga çdo shoqëri, duke përfshirë Shqipërinë, fenomene si korrupsioni dhe përdorimi i dhunës së armëve kundër njerëzve që duan të protestojnë paqësisht,” tha Rasmussen.

Kurse D’Alema tha se kjo sjellje e Berishës po përsëritet për fat të keq. Ai ka shprehur edhe shqetësim për zgjedhjet lokale, sidomos për votimet në Tiranë. “Jam shumë dakord me ju. Mendoj ishte shumë e rëndësishme për ne të shprehim solidaritetin tonë me Edi Ramën. Ne jemi shumë të shqetësuar për situatën në Shqipëri, jo vetëm për korrupsionin, por në të njëjtën kohë për sjelljen autoritare të Kryeministrit Berisha, çka fatkeqësisht është e përsëritur, ne kemi një histori të gjatë me Shqipërinë, si italianë mbi këto çështje, nuk është hera e parë. Majin e ardhshëm në Shqipëri do të ketë zgjedhje lokale, nga të cilat më të rëndësishmet do të jenë në Tiranë. Ne shpresojmë që do të jetë e mundur të mbahen zgjedhje të drejta dhe unë besoj se Europa duhet të ushtrojë presion mbi qeverinë shqiptare që të garantojë zgjedhjet e drejta, dhe ky është shqetësimi dhe solidariteti ynë. Mendoj se duhet të përfshijmë institucionet Europiane sepse Shqipëria është një vend kandidat dhe unë mendoj se Europa duhet të garantojë vlerat Europiane në Shqipëri, ky është qëndrimi ynë,” tha D’Alema.

2 komente në “Socialistët Europianë: Nuk ka kompromis me demokracinë. Mbi protestuesit nuk qëllohet me armë”

  1. AlbinoBlackSheep says:

    Eurosocialistët shprehin shqetësim edhe për zgjedhjet lokale duke vënë theksin tek mundësia e manipulimeve në Tiranë.

    As mos shprehni shqetesim fare per sa kohe qe Rama eshte dakord qe te marre pjese ne votimet e organizuara nga Berisha dhe qeveria e tij. Rama eshte konfuz ne kerkesat e tij.Cfare garancie kerkon nga te huajt o shqiptar. Eshte jashte llogjike dhe e pamundur qe ata te parandalojne vjedhjet e votave.Ate qe ka bere Berisha me pare do e beje perseri.Dhe perseri do ti djege fletet e votimit. Edi po i largohet elektoratit vetem qe te duket si njeri i kompromisit me byrokratet perendimore. Po shet te drejten baze te demokracise.Voten e lire.

  2. raimondi says:

    Kjo deklarata eshte shume e mire –pavaresisht se ajo nuk ka ndonje efekt tek votuesit por duhet per efekt propagandistik ne EU
    Tani problemi eshte votimi dhe Edi duhet te punoje ne baze me perfaqsuesit e PS-se qe jane ne qendrat e votimit ,
    sepse ata jane njerezit qe ruajne voten.–Duhet te gjeje njerez besnike ndaj idealit socialist dhe ne Tirane te veodnose njerezit e tij,
    ne menyre qe te ndaloje vjedhjen e votave ne Tirane
    Sepse as qe diskutohet qe Sala do beje te pamunduren ti vjedhi votat ,sidomos ne Tirane

Comments are closed.

Lini një Përgjigje