Berisha: Dialogu Kosovë-Serbi, i nevojshëm

8 Mars 2011, 13:18Politika TEMA

Kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur nisjen e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës. Ai ka thënë se ky dialog është i domosdoshëm për paqen dhe stabilitetin në rajon.

“Kryeministri Berisha përshëndet fillimin e dialogut midis dy vendeve, si një proces i domosdoshëm për konsolidimin e pavarësisë, integritetit territorial të Republikës së Kosovës, por, gjithashtu, si një proces që kontribuon në paqen dhe stabilitetin në rajon. Zgjidhja nga shteti  i lirë dhe i pavarur i Kosovës i të gjitha problemeve, me fqinjët në tërësi dhe Serbinë në veçanti, ka rëndësi parësore në konsolidimin, sovranitetin  dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, fuqizimin e rolit të saj në bashkëpunimin, integrimin rajonal, europian dhe euroatlantik.

Kryeministri Berisha përshëndet angazhimin e BE-së, zyrës së Baroneshës  Ashton, në lehtësimin e dialogut, si dhe mbështetjen e qeverisë së SHBA, si një kusht i domosdoshëm për ecurinë pozitive dhe suksesin e tij. Ai beson se e ardhmja europiane, e shqiptarëve dhe serbëve përben bazën solide, për të nisur një kapitull të ri në marrëdhëniet dhe bashkëpunimin midis këtyre dy kombeve”, thuhet në faqen zyrtare të Kryeministrisë.

Lini një Përgjigje