Deputeti i PS-së, Sajmir Tahiri, ka depozituar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, me anë të së cilës kërkon vendimin e kryeparlamentares Jozefina Topalli për përjashtimin e tij nga Kuvendi.
Tahiri sqaron vendimin e marrë ndaj tij nga deputetët në seancën para 10 shkurtit, ku deputetët e mazhorancës kërkuan përjashtimin e tij për 15 ditë nga seancat e Kuvendit dhe mbledhjes së grupeve parlamentare.
“Në vijim të këtij vendimi të Byrosë së Kuvendit, unë, nënshkrues i kësaj kërkese së bashku me dy kolegët Paulin Sterkaj dhe Armando Prenga, jam ndaluar të ushtroj detyrën dhe funksionin tim kushtetues të deputetit të Kuvendit nëpërmjet pjesëmarrjes në seanca plenare dhe komisionet e Kuvendit për 15 ditë kalendarike. Gjithashtu, më është ndaluar paga për të gjitha ditët e parashikuara në vendimin e Byrosë së Kuvendit. Megjithëse kërkesa e deputetëve propozues përfshinte edhe kolegë të tjerë mbi bazën e po të njëjtit argumentim, Byroja e Kuvendit mori vendim vetëm për tre nga pesë deputetët e opozitës ndaj të cilëve ishte kërkuar e njëjta masë disiplinore”, shkruan Tahiri, teksa sqaron vendimin e Byrosë.
Më tej, deputeti Tahiri thekson se me anë të një letre drejtuar Kryetares së Kuvendit ka kërkuar që të njihet zyrtarisht me arsyet që e ngarkojnë atë me përgjegjësi të tilla si prishja e seancave parlamentare, etj.
“Në vijim të kërkesës drejtuar Kryetares së Kuvendit, kam pritur përgjigjen zyrtare në lidhje me motivin konkret për masën disiplinore ndaj meje, përgjigje që nuk e mora kurrë. Duke konsideruar se vendimmarrja e Byrosë së Kuvendit për përjashtimin e deputetëve të Kuvendit nga seancat plenare dhe komisioneve të Kuvendit është pasojë dhe produkt konkret i një procedimi disiplinor quasi-gjyqësor në të gjitha trajtat dhe efektet, si dhe duke konsideruar se ky proces është zhvilluar pa respektuar standardet e përcaktuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut për një proces të rregullt ligjor, gjykoj se është e domosdoshme që Gjykata Kushtetuese të marrë në shqyrtim këtë kërkesë duke shpallur antikushtetueshmërinë dhe shfuqizuar Vendimin Nr. 10, Dt. 10.02.2011 të Kuvendit të Shqipërisë duke imponuar njëkohësisht praktikën e respektimit në të ardhmen të standardeve kushtetuese për një proces të rregullt ligjor edhe në vendimmarrjen e brendshme të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, thuhet më tej në kërkesën e deputetit Tahiri.