Ibrahimoviç, “gjigand” në Serinë A, “liliput” në Champions

10 Mars 2011, 12:31Sport TEMA

Duket se tashmë ky është bërë një diskutim i vjetër. Zllatan Ibrahimoviç edhe njëherë ka zhgënjyer në ndeshjet me eliminim në Ligën e Kampioneve, duke mos arritur dot që të të shënojë dhe të ndihmojë Milanin. Golat në ndeshjet me eliminim direkt duket se janë kthyer në një makth të vërtetë për suedezin, i cili bllokohet në ndeshjet e rëndësishme. Aq sa tashmë atë e cilësojnë si një “gjigand” në ndeshjet që luan në Serinë A, ku nuk e ka të vështirë të shënojë dhe të japë asiste për shokët e ekipit dhe një “liliput” në Ligën e Kampioneve. Për këtë në fakt flasin edhe shifrat. Në 23 ndeshjet që ka luajtur në përballjet me eliminim direkt në Ligën e Kampioneve me Ajaksin, Juventusin, Interin, Barcelonën dhe Milanin, sulmuesi sudez ka mundur që të shënojë vetëm tre herë. Të tre këta gola i ka shënuar me Barcelonën. Shumë pak për një sulmues që konsiderohet si një prej të mëdhenjve gjatë dekadës së fundit. Lojtarët e mëdhenj e tregojnë veten në sfidat e rëndësishme, ndërsa Ibrahimoviç nuk e ka treguar asnjëherë këtë. Madje, edhe në ndeshjet e rëndësishme në Serinë A, ku duket se dominimi i tij është evident, golat e suedezit nuk mund të numërohen veçse me gishta. Nëse një lojtar quhet kampion kur shënon ndaj ekipeve si Leçe, Breshia, Siena dhe shoqet e tyre, atëherë suedezi është një kampion me titull të plotë. Por, fatkeqësisht për të, kampionë quhen ata që vendosin ndeshjet e rëndësishme, ato që mund të zgjidhen pikërisht vetëm nga një kampion.

Lini një Përgjigje