Paramarrëveshje mes Milanit dhe Realit për Kaka

9 Mars 2011, 11:11Sport TEMA

Reali tashmë e ka nxjerrë në shitje brazilianin Kaka dhe siç bëjnë të ditur mediat spanjolle, klubi i kryeqytetit spanjoll ka arritur një paramarrëveshje me Milanin për rikthimin e tij tek kuqezinjtë. Sipas “El Mundo Deportivo”, tashmë është caktuar edhe shuma që do të duhet të paguajë Milani për rikthimin e brazilianit, e cila lëviz nga 20 deri në 30 milionë euro. Por, duke parë këtë shumë goxha të lartë, nuk dihet se sa të sakta janë të dhënat e mediave spanjolle. Kjo, duke qenë se Milani nuk është duke kaluar një moment të mirë financiar dhe një shifër e tillë do të thotë që kuqezinjtë në merkaton e verës të mos shpenëzojnë për asnjë lojtar tjetër. Për më tepër, një shifër e tillë do të ishte më mirë që të shpenzohej tek një lojtar më i ri dhe që ka më shumë garanci, duke qenë se mosha për Kakanë kalon dhe ai ka pothuajse një vit që nuk luan. Pra, nuk garanci fizike, duke parë edhe dëmtimet e fundit të pësuara. Megjithatë, dëshira e drejtuesve të Milanit për ta rikthyer brazilian është e madhe, sidomos duke parë që për të interesohet edhe Interi i Leonardos. Ndoshta dëshira dhe pasioni këtë radhë mund të ndikojnë mbi logjikën, e cila të çon drejt mendimit që do të ishte më mirë për Milanin të vazhdonte një rrugë tjetër, larg asaj të brazilianit Kaka.

Lini një Përgjigje