Drejtori i përgjithshëm i Lacios, Igli Tare, ka blinduar talentin argjentinas, Mauro Zarate, duke thënë se asnjë kampion nuk do të lëvizë nga ekipi kryeqytetas. Tare ka mohuar mundësinë e një largimi të mundshëm të argjenitasit Zarate, edhe pse prej ditësh është duke u folur për një transferim të mundshëm të tij në Rusi. Mediat ruse bëjnë me dije se Spartak i Moskës ka ndërmend që të ofrojë 20 milionë euro për sulmuesin argjentinas, ndërsa këtij të fundit do t’i japë 3 milionë euro në sezon. Megjithatë, drejtori shqiptar i Lacios, për momentin nuk do ta dëgjojë fjalën shitje për Lacion. “Mauro Zarate është një kampion dhe tek Lacion, kampionët blihen, nuk shiten. Zarate është një pasuri e jona dhe ne nuk kemi ndërmend që të privohemi prej tij. Për më tepër, nuk na ka ardhur asnjë ofertë as nga Spartaku i Moskës dhe nga asnjë ekip tjetër rus”, ka thënë Tare. Por, ndërhyrja e Tares shihet nga mediat italiane vetëm një mënyrë për të mbajtur të fshehur këtë marrëveshje deri në fund të sezonit.