Milani i Masimiliano Alegrit është edhe më i mirë se Interi i sezonit të fundit të drejtuar nga portugezi Hoze Murinjo. Këtë e tregojnë shifrat, pasi Milani ka dy pikë më shumë se Interi i vjetshëm dhe tre më shumë se Milani i Leonardos, që pikërisht në këtë pjesë të sezonit doli nga lufta për titull, pas barazimit 1-1 në shtëpi ndaj Napolit. Goli i Gatuzos të shtunën kundër Juventusit, duke se ka bindur kuqezinjtë që, pas 8 vitesh mungesë, ky mund të jetë viti i duhur për të fituar titullin kampion në Itali. Megjithatë, mungojnë edhe 10 ndeshje dhe Milani duhet të fillojuë të shqetësohet sidomos për sulmuesit e vet. Duke përjashtuar brazilianin Pato, të gjithë të tjerët kanë qenë në një rënie forme. Ibrahimoviç ka shënuar vetëm një gol në shtatë ndeshjet e fundit dhe atë e ka bërë me penallti. Nëse suedezi vazhdon me këto ritme, për Milanin do të jetë e vështirë, duke qenë se e presin disa ndeshje të vështira, si derbi me Interin apo ndeshja me Romën. Por edhe Robinjo me Kasanon nuk janë duke kaluar një moment të mirë. Pozitive dhe pika më e fortë e Milanit duket se është kthyer mbrojtja, që në tetë ndeshjet e fundit ka pësuar vetëm dy gola. Një pjesë e mirë e meritës për këtë i shkon mbrojtësit brazilian, Tiago Silva, që është duke zhvilluar një kampionat të shkëlqyer. Por, duhet vlerësuar gjithashtu roli i mesfushorit holandez, Mark Van Bomel, i cili duket se është bërë zot i mesfushës milaniste, duke dhënë ndihmë si në repartin e avancuar, por mbi të gjitha në mbrojtje. Tashmë është ndeshja me Totenhemit dhe kuqezinjtë do të përpiqen me të gjitha mundësitë që të kualifikohen, për të arritur ndoshta atë që arriti Murinjo vjet me Interin, fitimin e kampionatit, kupës dhe Ligës së Kampioneve.