Bajern-Van Gal, zyrtarizohet divorci

7 Mars 2011, 16:19Sport TEMA

Luis Van Gal dhe Bajerni i Mynihut ndahen. Jo direkt, siç ishte folur gjatë ditëve të fundit, por në fund të sezonit. Lajmi është konfirmuar në faqen zyrtare të klubit bavarez. Vendimi për zgjidhjen e kontratës është marrë nga ana e të dyja palëve, pas një diskutimi të gjatë mes drejtuesve të Bajernit dhe trajnerit holandez, Luis Van Gal. “Luis Van Gal do të qëndrojë trajner i Bajernit deri në fund të sezonit. Kontrata që përfundonte më 30 gusht 2012 është zgjidhur me mirëkuptim. Shkak për këtë janë bërë divergjencat mbi drejtimin dhe strategjinë e klubit”, thuhet në njoftimin e klubit Bajernit të Mynihut. Bajerni është në një krizë të thellë, pas dy humbjeve në kampionat, ato ndaj Borusias së Dortmundit dhe Hanoverit, si dhe atë në gjysëmfinalen e Kupës së Gjermanisë me Shalke 04. Tashmë Bajern ndodhet pesë pikë larg vendit të tretë dhe rrezikon që sezonin e ardhshëm të mos kualifikohet në Ligën e Kampioneve. Gjatë javëve të fundit, mes drejtuesve të Bajernit dhe Van Galit ka pasur polemika të shumta, për shkak të vendimeve të dyshimta të këtij të fundit.

Lini një Përgjigje