Lionel Mesi, shifra stratosferike, 45 gola në 39 ndeshje

10 Mars 2011, 11:50Sport TEMA

Lionel Mesi gjithmonë e më shumë është duke u konsideruar me legjendën Diego Armando Maradona dhe shumë prej tyre thonë se tashmë ai e ka arritur, madje, ka dhe nga ata që thonë se e ka kaluar Maradonën. Por, përtej të gjithave këtyre, ato që kanë rëndësi janë shifrat. Dhe shifrat e shënimit të golave nga ana e Mesit janë të frikshme. Argjentinasi i Barcelonës ka mundur që të shënojë plot 45 gola në 39 ndeshje. Tashmë ai është në krye të klasifikimeve të golashënuesve në të gjitha kompeticionet. Në Ligën e Kampioneve ka shënuar 8 gola dhe ndodhet në krye, para Etosë, Anelkasë dhe Mario Gomesit. Në kampionatin spanjoll ka shënuar 27 gola dhe gjendet në krye të klasifikimit, së bashku me Kristiano Ronaldon, që gjithashtu ka shënuar 27 gola. Në Kupën e Spanjës ndodhet gjithashtu në krye të golashënuesve, me 7 gola të shënuar. Të mos harrojmë pastaj edhe tre golat që ka shënuar me kombëtaren e Argjentinës kundër Spanjës, Brazilit dhe Portugalisë, të cilat janë mposhtur që të trija pikërisht nga golat e talentit 24-vjeçar. Është në mënyrë të qartë përpara atij që cilësohet aktualisht si rivali i tij i drejtëpërdrejtë, portugezit Kristiano Ronaldo. Ky i fundit ka shënuar 38 gola në 40 ndeshje, që gjithashtu nuk janë pak. Por, jo aq sa për të arritur argjentinasin, i cili këtë sezon duket i pandalshëm. Shumë tashmë kanë filluar të vënë baste dhe mendojnë se në fund të sezonit ai do të arrijë në kuotën e shënimit të 60 golave, një shifër që nuk është arritur nga askush deri më tani.

Lini një Përgjigje