Juventusi duket se e ka gjetur trajnerin e ardhshëm. Disa prej sajteve italiane bëjnë me dije se bardhezinjtë janë duke menduar që të vendosin në stolin e trajnerit holandezin Luis Van Gal. Ky i fundit tashmë ka zgjidhur kontratën me Bajernin dhe në verë do të jetë i lirë. Shumë në Itali e shohin si trajnerin ideal për të ringritur Juventusin. Van Gal gjithmonë është konsideruar si një trajner i rreptë, i cili mund të rikthejë disiplinën dhe besimin tek një ekip që tashmë e ka humbur. Emri Van Gal është bërë i detyrueshëm për drejtuesit e Juventusit, të cilët e kanë kuptuar se kanë shumë pak mundësi që të afrojnë Kapelon si trajner, duke qenë se ky i fundit duket i vendosur për të përfunduar aventurën e tij me kombëtaren angleze. Me Van Galin, Juventusi duket se do të ofrojë edhe Marçelo Lipin si drejtues. Ndërkohë, së fundmi është folur se për Van Gal interesohen edhe londinezët e Çelsit. Megjithatë, mbetet për t’u parë deri në fund ecuria e Çelsit, pasi nëse trajneri aktual i bluve, Karlo Ançeloti, do të arrinte të fitonte kampionatin apo Ligën e Kampioneve, atëherë drejtuesit e klubit londinez do të vazhdonin që t’i besonin ende italianit.