Arjen Roben drejt Milanit

11 Mars 2011, 10:16Sport TEMA

Arjen Roben mund të kalojë tek italianët e Milanit. Lajmi për momentin është spekulativ dhe në muajt e ardhshëm pritet që të konfirmohet. Megjithatë, ka disa arsye, sipas “Gazzeto dello Sport”, që të bëjnë të mendosh se e ardhmja e Roben mund të jetë në Milano. Sipas gazetës italiane, është vetë dëshira e holandezit për të kaluar tek Milani. Për këtë arsye, duket se ai ka bërë edhe hapin e parë, duke kontaktuar me mikun e tij, Mark Van Bomel, i cili aktualisht luan pikërisht për Milanin. Roben nuk kërkon që sezonin e ardhshëm të mos luajë në Ligën e Kampioneve dhe për këtë arsye ka filluar të vlerësojë situatën. Kjo, duke qenë se Bajerni rrezikon që sezonin e ardhshëm të mos marrë pjesë në Champions, duke qenë se ndodhet pesë pikë larg vendit të tretë, që është edhe vendi i fundit që siguron pjesëmarrjen në kompeticionin më të rëndësishëm evropian për klube. Për më tepër, në fund të këtij sezoni, nga Bajerni do të largohet edhe tekniku holandez, Luis Van Gal, një mbështetës i Roben. Megjithatë, pavarësisht dëshirës së këtij të fundit, çështja është e komplikuar. Drejtuesit e Bajernit nuk kanë ndërmend që ta shesin dhe nëse ai do të këmbëngulë të largohet, atëherë kjo do të ndodhë për një shumë të konsiderueshme, duke parë që Roben është një nga lojtarët më të mirë në qarkullim. Por, për momentin Milani nuk është në gjendje të mirë financiare dhe për këtë arsye nuk dihet nëse do të investojë shuma të rëndësishme gjatë merkatos së kësaj vere. Megjithatë, Roben e ka bërë të vetën, tashmë është radha e Milanit që ë përgjigjet, nëse e dëshiron apo jo lojtarin.

Lini një Përgjigje