Rama në Gërdec: Padrejtësia është bërë themel i shtetit

15 Mars 2011, 16:21Politika TEMA

UPDATE- Kryetari i opozitës, Edi Rama, ka thënë se ka ardhur koha që këtij regjimi vraës i duhet thënë fundi. Rama tha se pushteti ka vrarë dhe nuk ka marrë përgjegjësi për krimet që ka kryer.

“E kisha të vështirë të gjeja fjalët për këtë tragjedi. U bënë tre vjet nga dita kur 26 njerëz të zakonshëm të këtij vendi u vranë dhe kujtimi i asaj vrasje makabër me duart e një shteti të vënë në dispozicion të pushtetit për përfitime të paligjshme të oborrit të Saliut, thotë më shumë se çdo fjalë sot. Padrejtësia është bërë themel i shtetit të Saliut dhe kusuarëve të tij.  U vranë 26 njerëz të varfër, njerëz që shkonin çdo ditë në punë, të cilët nuk figuronin në asnjë listë të këtij shteti. Ajo fabrikë tronditi mbarë shqipërinë dhe nxorri nga nëntoka një krrupsion që vazhdon ta gërryejë Shqipërinë dhe varfërojë shqiptarët. Askush nuk ka dalë dhe nuk është ndëshkuar përpara drejtësisë për vrasjet e tre viteve më parë, por edhe të atyre të 21 janarit. U vra deputeti Fatmir Xhindi dhe askush nuk di të thotë se kush u vra dhe pse u vra. U vra më pas një tjetër përfaqësues i popullit, një kryetar komune në Kukës, një shqiptar i nderhshëm dhe askush nuk di të thotë se kush e vrau Remzi Veselin. Por, gjithkush di të thotë kush i vrau katër shqiptarët e tjerë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” më 21 janar. Ishte dora e regjimit të kusarisë, që vodhi zgjedhjet për të vjedhur Shqipërinë dhe vrau për pushtetin. Çfarë mund të themi sot, përveçse të rininëvizojmë me këmbëngulje se ne jemi e vetmja rrugë për Shqipërinë dhe shqiptarët, që i nxjerr njerëzit nga rruga e kusarisë.  Sot unë nuk mund të bëj gjë tjetër veçse të përpiqem që të them se nuk duhet të harrojmë ata që humbën jetën në Gërdec, deputetin që humbi jetën në derën e shtëpisë, kryetarin e komunës që humbi jetën në rrugën e shtëpisë dhe ata katër qytetarë që humbën jetën në rrugën e Shqipërisë. Ne nuk do ta ndalim betejën tonë, e cila do të jetë më e fortë se më kurrë. Nuk do të zbrapsemi përballë këtij regjimi vrasës, për të larguar këtë kualicion turpi që po i merr Shqipërisë gjithçka. Nuk duhet të lejojmë më që të ndodhin tragjedi të tilla. Duhet të çlirojmë njerëzit e zakonshëm, që vuajnë nga papunësia, varfëria”, tha Rama në fjalën e tij.

Spartak Ngjela, aleati i opozitës, ka folur me tone të ashpra kundër qeverisë dhe kryeministrit Berisha, duke e bërë atë përgjegjës direkt për tragjedinë e Gërdecit. Ngjela ka thënë se ky kryeministër nuk mund të durohet më dhe atij i duhet thënë mjaft.

“Është turp kombëtar nëse nuk do të largojmë Berishën nga pushteti, i cili për një fabrikë vrau 26 persona. Nëse nuk do të kishte vrarë në Gërdec, nuk do të kishte vrarë as më 21 janar. Nëse nuk reagojmë, kyr kryeministër do të vrasë sërish. Kush na pengon në rrugën tonë, është armik i shqiptarëve. Ne jemi përgjegjës për vendin tonë, jo të huajt Ky kryeministër është i çmendur. Vetëm një budalla, ose që nuk i do shqiptarët mund ta marrë seriozisht këtë kryeministër. Kush janë këta dhe si mund të durohet ky kryeministër që akuzon presidentin dhe kreun e opozitës. Shqiptarët nuk mund ta durojnë më këtë kryeministër. Të gjithë diktatorët kanë vrarë dhe ministrat e Brendshëm kanë dhënë dorëheqjen. Vetëm me Gadafin ka ndodhur kjo dhe në Shqipëri, ku ministri i Brendshëm, edhe pse vrau katër persona, merr guximin të kandidojë për Bashkinë e Tiranës. Durimin tonë kryeministri po e merr për dobësi. Kjo shoqëri nuk mund të falë pa ndëshkuar ata persona që vranë këta të pafajshëm”, ka thënë gjatë fjalës së vet Ngjela.

Feruzan Durdaj, babai që humbi djalin e vet 5-vjeçar në tragjedinë e Gërdecit, tha se 15 marsi nuk do të harrohet kurrë, deri sa drejtësia të vendoset në vend.

“Viktimat janë vrarë sërish, pasi të gjithë ideatorët e fabrikës së Gërdecit kanë dalë të palagur. Ata që shkaktuan Gërdecin vazhdojnë që të mbajnë poste qeveritare. Ne nuk do ta harrojmë kurrë 15 marsin dhe që drejtësia nuk është vënë në vend. Ata që u vranë më 15 mars meritojnë më tepër se premtimet boshe të kryeministrit. Ata që shkaktuan Gërdecin duhet të dalin para drejtësisë dhe të mos fshihen pas imunitetit apo prindërve të tyre”, ka thënë Feruzan Durdaj, I cili humbi djalin e vet 5-vjeçar në tragjedinë e Gërdecit.

Opozita ka nisur protestën e vet për tragjedinë e ndodhur tre vjet më parë në Gërdec. Mijëra persona, me në krye kreun e opozitës, Edi Rama, janë të pranishëm në këtë protestë.

Opozita bën përgjegjëse për këtë tragjedi qeverinë aktuale dhe kryeministrin Berisha.

Në protestë janë të pranishëm edhe familjarë të viktimave të 15 marsit, të cilët kërkojnë vendosjen e drejtësisë, pasi edhe pas tre vjetësh, askush nuk është ndëshkuar për këtë ngjarje të rëndë.

1 komente në “Rama në Gërdec: Padrejtësia është bërë themel i shtetit”

  1. AlbinoBlackSheep says:

    Ne nuk do ta ndalim betejën tonë, e cila do të jetë më e fortë se më kurrë.

    Edi ti bej betejen, se listat e zgjedhesve i mbaroi se beri Ristani. Do shikosh Rruzhdie anekend Shqiperise.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje