Topi, telegram Obamas në 20-vjetorin e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA

15 Mars 2011, 13:37Politika TEMA

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i ka dërguar një letër urimi presidentit amerikan, Barak Obama, me rastin e rivendosjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA-së 20 vjet më parë.

“I nderuar zoti President,

Kam kënaqësinë e veçantë dhe privilegjin që, edhe në emër të popullit shqiptar, të përshëndes 20-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës!

Që nga viti 1946, historia e marrëdhënieve mes dy vendeve tona fatkeqësisht provoi një ngrirje të gjithanshme, pavarësisht se vendi juaj përgjatë gjithë historisë moderne të Shqipërisë ka dhënë një kontribut të vyer dhe një mbështetje të jashtëzakonshme për interesat jetike të kombit shqiptar.

Në fund të viteve 80-të dhe në fillim të viteve 90-të të shekullit të kaluar, teksa erërat e lirisë dhe të ndryshimeve demokratike nisën të frynin edhe në vendin tonë, u bë e mundur që të rivendosen zyrtarisht marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve tona, duke konsoliduar përfundimisht miqësinë historike e tradicionale mes dy kombeve tona.

Tashmë Shqipëria është aleate besnike dhe partnere strategjike e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e lidhur ngushtë nga interesa dhe vlera të përbashkëta, anëtare e denjë dhe e sprovuar e NATO-s, kontribuese e koalicionit ndërkombëtar kundër terrorizmit. Marrëdhëniet e gjithanshme të shkëlqyera dypalëshe janë në kulmin e tyre, duke u shërbyer interesave të përbashkëta të dy vendeve dhe popujve tanë.

Më lejoni edhe njëherë, i nderuar zoti President, t’ju shpreh vlerësimin më të lartë për marrëdhëniet mes dy vendeve tona, si dhe t’ju siguroj se Shqipëria e populli shqiptar janë të vendosur në rrugën drejt integrimit të plotë në strukturat euroatlantike, duke përmbushur të gjitha standardet e një demokracie perëndimore model, siç është ajo e vendit tuaj, mikut dhe aleatit tonë më të madh!” – thuhet në mesazhin e Presidentit Topi.

Lini një Përgjigje