Kompania Euroil është sponsor i PD dhe Liri Berishës, ndërsa kompania Fisheku është mbrojtur nga njerëz të afërt të Berishës kundër një borxhi të madh që ka pasur në tatime në vitin 2006
Kryeministri Sali Berisha, Ministri i Financave Ritvan Bode, dhe ish Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, kanë tentuar të injorojnë denoncimet për kontrabandën e naftës virgine, edhe pse kanë pasur informacione zyrtare për këtë trafik. Prokuroria e Përgjithshme ka pranuar zyrtarisht se ajo ka nisur hetimin dhe ka gjetur të konsumuar veprën penale vetëm pasi ka regjistruar denoncimin e ish Ministrit Dritan Prifti. “Qeveria ka pasur dijeni”, theksoi ish Ministri Dritan Prifti… “Gjatë kohës që unë kam qenë në qeveri ia kam thënë kryeministrit dhe ai i ka kërkuar ministrit të Financave të hetonte. Por më pas unë ika dhe nuk i di rezultatet e hetimit”.
Moskallëzimi i krimit dhe shmangia e këtij skandali nga hetimet mund të bëhen objekt hetimi në vazhdim i drejtësisë shqiptare, pasi zyrtarët e lartë të qeverisë kanë konsumuar dy shkelje të forta ligjore. E para që lidhet me Kodin Penal, i cili parashikon dënime për moskallëzim krimi dhe e dyta me vetë ligjin që Berisha ka bërë për transparencën e administratës publike ku nxiten zyrtarët e saj të kallëzojnë korrupsionin në administratë. Moskallëzimi në prokurori i këtij krimi megjithë denoncimet zyrtare të një Ministri janë një element që provojnë lidhjen e forta politike të dy kompanive me qeverinë shqiptare.
Kompania e parë Euroil, ka një lidhje të fortë me Partinë Demokratike. Pronari i saj Hajri Elezi, është një mbështetës i njohur i PD-së. Pas fitores së PD në vitin 2005 ai ka formuar së bashku me partnerin e Albana Vokshit kompaninë Euroil, ndërkohë që Mimoza Vokshi ishte Kryetare e Bordit të ARMO-s nga ku kjo kompani ka fituar rregullisht tenderin e naftës virgine, thuajse pa konkurrencë. Elezi është i njohur si një person me lidhje të afërta me familjen Berisha dhe sidomos gruan e kryeministrit Berisha. Ai ka qenë sponsor i veprimtarive të saj të ashtuquajtura bamirëse. Elezaj pati një krisje në raportet me PD në vitin 2008, kur tentoi të privatizonte kompaninë ARMO duke përfaqësuar ofertën e dytë pas Taçi Oil, por ai nuk reagoi kurrë publikisht kundër padrejtësisë që ju bë.
Kompania tjetër Fisheku vjen me lidhje nga e majta, por pas fitores së PD në vitin 2005 u lidh fort me një prej njerëzve të afërt të Berishës, botuesin e gazetës 55 Fahri Balliu. Në një problem të fortë ligjor që ju krijua nga tatimet në vitin 2006, lidhur me një sasi nafte të deklaruar si import nga Bullgaria, Fisheku rrezikoi një gjobë prej disa miliona eurosh, por falë lidhjeve që kish krijuar me pushtetin, përmes një studio avokatie, partnere me vajzën e zotit Berisha, ai e fitoi gjyqin dhe shpëtoi nga pagesa e një shume të madhe paresh.
Tashmë prokuroria ka verifikuar se evazioni fiskal nga kjo veprimtari shkon deri në 50 milionë euro. Nëse i referohemi ish-ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, njeriu që denoncoi publikisht skandalin me eksportet e rreme të naftës, kemi të bëjmë me rreth 40 mijë tonë naftë. “Të paktën një sasi prej 30 deri në 40 mijë tonë naftë “vergine” duhet të jetë futur në tregun vendas”, deklaron Prifti. Nëse kjo gjë është e vërtetë, atëherë fitimi i supozuar është rreth 40 milionë euro, një shumë rekord sa i përket evazionit fiskal në Shqipëri ndër vite. Por dhe për shifrën ka kontradikta.
Top Channel zotëron një dokument zyrtar të organit të akuzës, ku zbulohet se vetëm në fundin e vitit 2009 janë kontrabanduar rreth 16 mijë e 685 tonë naftë “virgine”, ndërkohë që jozyrtarisht burime konfidenciale nga prokuroria thonë se në total janë kontrabanduar rreth 50 mijë tonë naftë, një shifër e përafërt kjo me atë të deklaruar nga Prifti. Kjo shifër e rrit në 50 milionë evazionin fiskal nëse llogarisim afërsisht se ata fitonin 1 euro për litër.
Dokumenti i prokurorisë konfirmon edhe skemën e trafikut sipas versionit të denoncuar nga ish-ministri. Nafta “virgine” blihej nga kompania “Euroil” dhe më pas shpërndahej nga disa shoqëri të tjera, apo subjekte fizike transporti në tregun brendshëm, pa u eksportuar.
Dokumenti i prokurorisë rrëzon edhe pretendimet e institucioneve qeveritare se zanafilla e hetimeve për kontrabandën është bërë pas denoncimeve të tyre dhe jo ish-ministrit, pasi në të thuhet se hetimi është regjistruar kryesisht nga prokuroria pas denoncimeve në shtypin e shkruar dhe median vizive dhe pas verifikimeve, siç është dhe marrja në pyetje e ish-ministrit Prifti.