Balla: Personat e përfshirë në skandalin e naftës, sponsorizues të PD-së

14 Mars 2011, 12:39Politika TEMA

Deputeti i PS-së, Taulant Balla, ka thënë se personat që janë përfshirë në skandalin e naftës virgin, janë sponsorizues dhe mbështetës të PD-së. Sipas Ballës, “pronari i Kompanisë Euroil, i arrestuar tre ditë më parë, është mik i familjes së Sali Berishës. Kjo kompani ka fituar tenderin për furnizimin me naftë të gjithë institucioneve shtetërore, ndërkohë që një tjetër prodhim i bizneseve të tij gjendet dhe konsumohet në tavolinën e ministrave gjatë mbledhjeve të qeverisë”.

Deputeti i PS-së ka akuzuar kryeministrin Berisha si të përfshirë direkt në këtë aferë.

“Si ka mundësi që sa herë që zbulohet kusaria e radhës, hajdutëria dhe matrapazllëku, dalin në shesh lidhjet e tua dhe të familjarëve të tu. Si ka mundësi që edhe në këtë rast, ashtu si edhe për bizneset e mafias italiane “Sacra Corona Unita” apo bizneset e Fazlliçit, llogaritë dhe regjistrin kontabël i mban Shpresa Breçani, mbesa e kryeministrit Sali Berisha, emri i së cilës shfaqet në gjithë kompanitë e privilegjuara nga pushteti”, tha Balla. Ai ka shtuar se institucionet shtetërore si Drejtoria e Doganave, Drejtoria e Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit, Drejtoria e Tatimeve, Inspektoriati Qëndror Teknik, nuk kanë vepruar në parandalimin e kësaj afere korruptive.

Lini një Përgjigje